“Nga gjumërat e vdekjes zgjohu, pra!”
20 shkurt 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut
Fuqiplotë, i Cili urdhëron në Librin e
Tij, Kur’anin Famëlartë: “Ti (Muhammed)
thirr për në rrugën e Zotit tënd me
urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo
me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që
është më e mira. Zoti yt është Ai që e
di më së miri atë që është larguar nga
rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të
udhëzuarit.”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë, Zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili
thoshte: “Përhapni për mua qoftë edhe
një fjalë…”[2]
Të nderuar vëllezër dhe
motra muslimanë,
Gjatë leximeve të ditëve të fundit, më
tërhoqi vëmendjen konstatimi dhe
sihariqi i njërit prej dijetarëve më të
shquar dhe thirrësve më të spikatur të
kohës tonë, Shejkh Ahmed Keftaro
(1914-2004) pas një bashkëbisedimi me
një gazetare hollandeze, e cila kishte
përqafuar Islamin dhe ishte bërë një
ndër thirrëset e afirmuara islame në
Hollandë. Thotë: “Unë jam i bindur
(më shumë se vetë qëndrueshmëria e
maleve) se nëse ne do të përgatisim për
çdo vend evropian pesëdhjetë edukatorë
islamë, thirrës me cilësitë kur’anore,
të cilët do ta prezantojnë Islamin me
fjalë dhe me vepra, me sjellje dhe me
moral, do të realizojmë një revolucion
botëror njerëzor drejt Islamit, madje do
t’i bënim mbarë botës shërbimin më të
mirë dhe mirësinë më të përkryer!”[3]
Po të shohim sot, në realitetet, me të
cilat po përballet feja e jonë dhe
personaliteti i ymetit islam në botë,
rreth 50 vite pas këtij sihariqi të
dhënë nga dijetari i shquar sirian, do
të shohim se Islami jo vetëm që ka
mbërritur në dyert e çdo vendi evropian,
por ai po përhapet dhe po kthehet në një
model të pazbuluar ende si duhet për
shoqëri të tëra, që kanë dekada (ndoshta
edhe shekuj), që rropaten në krahët e
mendimeve, ideologjive dhe kulturave të
ndryshme, që e kanë çuar Evropën të jetë
nevojtare për balsamin e mësimeve dhe
udhëzimit islam.
Të nderuar vëllezër dhe
motra besimtarë,
Në Kur’anin Famëlartë, të gjithë ne jemi
të ftuar për të kryer amanetin e
Thirrjes Islame, në jetën e përditshme.
All-llahu (xh.sh) thotë: “Nga ju le të
jetë grup që thërret në atë që është e
dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe
ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata
të shpëtuarit”.[4]
Ndërkohë në suren “El-Maide”, Zoti
kritikon neglizhencën e parisë fetare të
popujve të shkuar, kur thotë: “E pse
paria fetare (e krishterë dhe jehude) të
mos i ndalin ata nga thëniet e tyre të
rreme dhe nga ngrënia e haramit
(ryshfetit)! Sa punë e keqe është ajo (e
parisë fetare)”[5],
dmth: “kritikë për veprimin e parisë
fetare, që lanë pas dore tërheqjen e
vëmendjes dhe ndalimin e njerëzve nga
thënia e gënjeshtrës dhe ushqimi me
haram… kritikë për heshtjen e tyre në
rrugën e ndryshimit të së keqes”.[6]
Pra, secili prej nesh, jemi të ftuar të
kryejmë me përgjegjësi të madhe amanetin
e përhapjes së vlerave të fesë tonë,
duke mos neglizhuar asnjë situatë a
mundësi që na jepet në jetë.
Nëse nuk mundesh ta kryesh këtë amanet
të shtrenjtë e të shenjtë me gjuhën
tënde, blej një libër dhe dhuroja një
komshiu, një të afërmi. Përhap dituri!
Kur të dalësh nga xhamia, blej një
revistë, një gazetë, një broshurë a një
përmbledhje me hadithe; lexoji në shtëpi
me familjen tënde. Mos lejo që errësira
e neglizhencës ndaj mësimeve të fesë të
dominojë mbi vullnetin e afrimit me
Zotin dhe dritësimin e realiteteve sipas
udhëzimit të Tij!
Diskuto me njerëzit e tu të afërm, me
shoqërinë tënde. Bëje fenë tënde, objekt
komunikimi të zakonshëm, pa komplekse.
Gjallërojini bisedat dhe takimet e
përditshme me shpirtin e fesë dhe vlerat
e besimit, sepse njeriu nuk duhet të
ketë ndrojtje, as të turpërohet për të
përmendur Zotin a për të përhapur fjalën
e Tij, kudo që të jetë! Muslimani nuk
duhet të turpërohet e të ndjehet jo
rehat për të përmendur fenë e tij dhe
dëshmimin e saj publikisht!
Kam lexuar një transmetim, ku thuhet se
në një rast, Hz. Aliu (r.a) mbajti një
hytbe, ku ndër të tjera tha: “O ju
njerëz, ata që ishin para jush u
shkatërruan për shkak të veprimit të
gjynaheve, por edhe sepse paria fetare
nuk ua tërhoqi vëmendjen. E, kur u
zhytën në gjynahe, u shkatërruan nga
ndëshkimi hyjnor. Prandaj, urdhëroni për
të mirë dhe ndalojeni të keqen, para se
të zbresë ndër ju, ai që zbriti ndër ta!
Dhe, dijeni se urdhërimi për të mirë dhe
ndalimi nga e keqja, nuk jua ndalon
rizkun, as jua afron exhelin!”[7]
Ne shqiptarët i kemi të qarta argumentet
e Zotit në raport me neglizhencën ndaj
mësimeve të fesë tonë. Ka mbi 100 vite,
që në trojet tona bëhen përpjekje nga më
të ndryshmet, nëpërmjet misionarëve të
së keqes në mesin tonë, për ta
çrrënjosur Islamin nga zemrat dhe
shpirti i shqiptarëve. Sa e sa
propaganda, konferenca, vizita nga të
huaj, deklarata e shkrimi, emisione e
libra… Bombardim i përditshëm, në të
gjitha format, vetëm e vetëm për ta
zbutur ndikimin e Islamit, për ta
eliminuar ndikimin e tij, për ta
pastruar boshtin e identitetit të
shqiptarit nga prekja islame!? Përse?
A nuk e kemi për detyrë të pyesim: Ku
është Islami sot? Ose, më mirë thuaj: Ku
janë muslimanët sot? Ku është Thirrja
Islame? Çfarë borxhi i kemi
njerëzve-karnevalë në realitetet
shqiptare, që abuzojnë me lirinë e
fjalës, duke përbaltur botëkuptimin
islam, vlerat islame, Librin tonë të
shenjtë, Resulull-llahun (a.s),
trashëgiminë e pastër të brezave të
shkuar muslimanë?!
Ndërkohë, çdo ditë pyete veten: Çfarë
kam bërë për fenë time islame, sot? Deri
kur do të
na duhet të heshtim, përpara këtij
poshtërimi botëror që po i bëhet ymetit
islam, si kurrë më parë, në emër të
pranverave, që janë kthyer në dimra të
acartë, në emër të demokracive, që po
kthehen në fashizëm e shkatërrim?!
Flasin sot për terrorizmin,
ekstremizmin, fanatizmin e verbër,
injorancën e të ngjashme. Flisni, me të
madhe, flisni, por mos na përfshini ne
muslimanëve në këto tematika, sepse nuk
kemi lidhje me asnjërën prej tyre!
Po, në kuadrin e bashkëpunimeve të
dobishme, ne mund të japim zgjidhjet
tona për shërimin e shoqërive dhe botës
nga këto lëngata të krijuara, jo prej
nesh, që fatkeqësisht kanë prekur edhe
individë dhe shoqëri islame, si epidemi
vrastare!
Nuk mund të kemi lidhje me shpikjet e
kolonizatorëve të botës islame dhe
arabe, sot, pas shumë dekadash, nga
sulmet e tyre barbare! Nuk mund të kemi
lidhje me mbështetjen servile dhe
hileqare të ish-kolonizatorëve të botës
arabe, ndaj destabilizimit të kësaj bote
të hutuar, me qëllim rizhvatjen e tokave
dhe pasurive!?
Prandaj, sot, më shumë se kurrë, kemi
nevojë të ftojmë drejt vlerave të fesë
tonë, sepse: “Islami e edukon individin,
e bën të kuptojë vetveten dhe e
disiplinon njerzillëkun e tij.
Njëkohësisht, organizmat islame e
edukojnë shoqërinë, duke mbrojtur
drejtësinë, që duhet të qarkullojë në
mesin e individëve të saj”[8]
Të nderuar vëllezër dhe
motra besimtarë,
Në përfundim të kësaj hytbeje, m’u
kujtua tabela e madhe, në dalje të
safallekut të xhamisë së sahabiut të
nderuar Ebu Ejjub El-Ensari, në
Stamboll. E kam fotografuar. Në mesin e
rreshtave të saj, ndër të tjera shënohen
edhe këto të dhëna historike të marra
nga libri i famshëm: “Usdul-gabe fi
ma’rifetis-sahabe”[9],
të Ibnul-Ethirit: “Ebu Ejjubi ndërroi
jetë në vitin 52 hixhri (viti 674).
Ishte pjesë e ushtrisë së Jezid ibni
Muavijes, në rrethimin e
Kostandinopojës, kur u sëmur. Jezidi
erdhi ta vizitonte dhe iu drejtua me
këto fjalë: “A ke gjë nevojë?” Ia ktheu:
“Kam nevojë, që nëse vdes, hip në kal
dhe vrapo në tokën e armikut, ku të
gjesh një vend, më varros”… “që të
dëgjonte zhurmën e patkonjve të kuajve
të muslimanëve, mbi varrin e tij, që të
kuptonte se ata e arritën qëllimin e
tyre; triumfin dhe fitoren”.[10]
Asokohe, në vitin 674, kur Ebu Ejjubi
(r.a) ndërroi jetë, ishte 101 vjeç.
Ndërkohë, triumfi i Kostandinopojës
erdhi ditën e martë[11],
më 29 maj 1453, pas 779 vitesh nga ajo
dëshirë e fundit e sahabiut të moshuar,
në rrugën e përhapjes së Dritës Islame…
Prandaj duhet të zgjohemi e të mos
ndikohemi nga asnjë faktor pengues a
turbullues në rrugën tonë drejt
gjallërimit të realiteteve tona me
frymën e besimit dhe fesë tonë të pastër
islame. Tamam siç thoshte Mehmet Akif
Ersoj:
“Pa shih me qafë përkulur kush po qan?
E drejta për të jetuar, e jotja, o
musliman!
Shpëtoje atë të pashpresë për hir të
Zotit,
Nga gjumërat e vdekjes zgjohu, pra!”[12]
Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemín.
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 20 shkurt 2015
[1] Kur’ani,
En-Nahl: 125. (Përkthimi i kuptimeve në
gjuhën shqipe nga H. Sherif Ahmeti).
[2] Transmetuar
nga Imam Bukhariu, nga Abdull-llah ibn
Omer (r.a).
[3] Shejkh Ahmed
Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, përgatitur
për botim nga Zahir Ebu Davud, Damask,
pa vit botimi, f. 65-66. (Në fund të
shkrimit me titull: “Islami vërshon
drejt Evropës”, që mban shënimin:
“Ligjëratë e mbajtur më 4.1.1961”).
[4] Kur’ani, Ali
Imran: 104.
[5] Kur’ani,
El-Maide: 63. (Përkthimi i kuptimeve në
gjuhën shqipe nga H. Sherif Ahmeti, me
një përshtatje të lehtë).
[6] Et-Tahir Ibn
Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, ribotim,
Bejrut, 2000, vëll. i 5- të, f. 145.
[7] Shejkh
Rexheb Dib, “Iddetud-duat”, botimi I
parë, Damask, 2000, f. 47.
[8] Dr. Muhammed
Said Ramadan El-Buti dhe Dr. Tajjib
Tizini, “El-Islam vel-asr tehaddijjatun
ve afak”, botimi i parë, Damask, 1998,
f. 26.
[9] Vepër
biografike voluminoze, që trajton jetën
dhe personalitetin e një numri të madh
prej sahabëve të Resulull-llahut (a.s).
[10] Khalid
Muhammed Khalid, “Rixhalun
hauler-Resul”, pa vend e vit botimi, f.
407.
[11] Për këtë,
e marta, nuk mund të jetë kurrë ditë
tersi.
[12] Mehmet
Akif Ersoj, “Fletët”, Shkup, LOGOS-A,
2006, f. 363.