Stacione malli...

(Përjetim i një vizite në shtëpinë e hoxhës tim të dashur, H. Vehbi S. Gavoçi,
në Damask të Sirisë)

Damask, 24 dhjetor 2007. Namazi i akshamit ka ulur siparin, e lutjet e një nate të re janë ngritur lartësive të bardha, në pritje të përgjigjeve. Përgjigjja e lutjes time qëndron para meje e natyrshëm shkoj drejt saj...
 
Trokita në derë. Momentet e pritjes deri në hapjen e saj janë aq të gjata, sa të shkurtra kur para teje shfaqet i dashuri... Pritja, që nuk i kaloi sekondat e një minuti, shoqërohej me një emocion të veçantë. Kishte kohë që nuk kishte kaluar nga zemra ime...
 
Dera u hap. Momenti kur syri të bie në ato dy sy të bukur të atij njeriu të bardhë, me shfaqjen e të cilit shfaqet një botë e tërë rrezatimesh historike plot nur dijetarësh e njerëzish të përkushtuar ndaj kësaj feje dhe mësimeve të saj qytetëruese. Moment i shtrenjtë! Më i shtrenjtë se qindra momente të venitura në trokitjet e dyerve të vdekura të njerëzve në grahma qytetëruese...
 
Vështrime të gëzuara, të përmalluara. Sytë e bukur të Hoxhës, jo vetëm që më uruan mirëseardhjen, por më dhuruan ngrohtësi që shkrin emocionet e që njëkohësisht i ndez ato për të jetuar në mënyrë të papërsëritshme në praninë e dritshme të një njeriu, dashuria e të cilit është thurruar thellë në zemër...
 
Selame e përqafime. Selamet në praninë e të dashurit, përveç gjuhës së mallit të përligjur, shprehin edhe nostalgjinë e viteve të shkuara, mallin e viteve që jetojmë, mallin e viteve që do të vijnë, ku malli dhe nostalgjia do të jenë shumëfish më të përmalluar për selamet para duarve të të dashurit...

Ai selam i ngrohtë të krijon një ndjesi, para së cilës e sheh veten të vogël, por që dita-ditës burrërohesh, dita-ditës fuqizohesh, dita-ditësh rritesh edhe para vetë dashurisë së tij. E në një moment si ky, papritur e gjen veten të përmalluar para duarve të tij, i pangopur me selame e vështrime... Ah, sa shpejt shkojnë ato selame e vështrime... Nga karriga e kujtimeve të mia, ku jam ulur, ato janë kthyer në kohë të shkuar... Është malli që s’njeh gramatikë e që s’pyet për kohë... çdo gjë për të është e tashme...
 
U ulëm. E si mund të rrijë njeriu “rehat” përbri të dashurit, aq më tepër që taxhet e diturisë dhe të përshpirtësisë shëmbëllejnë mbi kokën e tij të bardhë, duke i shtuar bardhësisë së natyrshme bardhësi...

Zemra nuk njeh gjuhë tjetër veç dashurisë e pafajësisë së saj. Përgjigjet i shoqëron zëri i thyer, herë-herë i mekur i shoqëruar me frymëmarrje të thella që në prezencën e të dashurit fitojnë oksigjen dashurie të pastër, ushqyes për dashurinë dhe besnikërinë e saj... Oksigjen fatlum për zemrën e drobitur rrugëtimeve të gjata e të pafund botërave pa oksigjen dashurie e besnikërie ndaj saj...
 
U gëzua i dashuri. U gëzova unë. Shkëndijat e syve të tij ndezën zemrën time me gëzimin e tij. I dhanë sihariq asaj e sërish mekshëm uli sytë para gëzimit të të dashurit, me kokën ulur qëndroi derisa i dashuri për dore e mori drejt lutjeve bekuese të mbarësisë...

Lotuan gëzueshëm sytë e të dashurit. O Zot, si mund ta përshkruajë dobësia e përshkrimit tim dritësinë e lotit të tij të mrekullueshëm, rrezatimet e të cilit mbushën lotët e mi me dritë të dashuri... E lotët tanë u bashkuan... u bënë një lot i vetëm... Për pak çaste ne ishim një.., i dashuri dhe unë... Na bashkoi shkëndija e lotit të tij...
 
U lut i dashuri. Lutja e tij nuk kishte kufi. Unë qëndroja pas lutjes së tij. Vrapoja pas dritës së saj, por nuk e zija dot. Drita e lutjes së tij shpejtonte drejt brigjeve të përgjigjeve nuranite që pasojnë kësi lutjesh. Unë, në heshtjen time para të dashurit, ndjeja vetëm flladet e përgjigjeve të lumtura të lutjes së tij plot dritë që ktheheshin drejt meje, duke më mbushur me optimizëm e duke më falur lutje plot dritë...
 
Më vështroi i dashuri. O Zot, si mund të mos e ndiqja vështrimin e tij, për të cilin kisha aq shumë mall... O Zot, por si mund ta vështroja vështrimin e tij, kur krejt qënia ime, me dëshirën e madhe dhe kënaqësinë e saj para tij, ishte skuqur para vështrimit të të dashurit... Vështrimi im nuk mund ta vështronte vështrimin e tij. Me sy ulur do të priste rrezatimet e tij bekuese, ndonëse nga thellësia e zemrës gëlonte një dëshirë rebele, të cilës sytë e mi të ulur nuk mund t’i përgjigjeshin, ndonëse edhe ata dëshironin pak rebelim...
 
U ngrita. Ajo derë që para pak momentesh ishte hapur për të hyrë nëpërmjet saj, po hapej sërish.., por nga ana tjetër... Sa kishim ndenjur bashkë? Sa kishim pa ndenjur bashkë?.. Ajo vizitë ishte si një mirazh i ëndërruar që ishte kthyer në realitet...
 
E putha dorën e të dashurit. Nuk lejova që malli e nostalgjia të më merrnin kënaqësinë e përmallshme të ndenjës me të dashurin për disa momente mirazhi.
Ishte një moment sa për një orë... një orë sa për një ditë, e një ditë sa për një vit a më shumë se një vit... Ishte si një mirazh i ëndërruar...
 

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 janar 2008
 
...................................................
(E ripublikoj sot, më 19 shkurt 2015,
në dyvjetorin e ndarjes fizike nga kjo jetë të Zotërisë tim, H. Vehbi S. Gavoçi...)

 


Stacione malli...