Takim pune mbi xhaminë e re në fshatin Kullaj

Ditën e mërkurë, më 18 shkurt 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, priti në një takim pune imamin dhe antarët e këshillit të xhamisë së fshatit Kullaj, komuna Postribë.

Në qendër të vëmendjes ishte angazhimi i përbashkët për të realizuar ndërtimin e xhamisë së re në këtë fshat, pasi xhamia aktuale është amortizuar dhe nuk plotëson si duhet nevojat e xhematit, sidomos rinisë, për kryerjen në kushte bashkëkohore dhe normale të riteve fetare dhe aktiviteteve të ndryshme fetare, kulturore dhe arsimore.

Një ndër xhamitë e hershme në fshatin Kullaj daton që në vitin 1650. Nga ai vit e në vazhdim, përherë besimtarët muslimanë të këtij fshati kanë dëshmuar vullnetin e tyre islam, edhe nëpërmjet interesimit dhe mirëmbajtjes së xhamisë dhe aktivitetit të saj.

Sot, në 25 vjetorin e rimëkëmbjes islame në Shkodër e Shqipëri, janë krijuar kushtet për ndërtimin e një xhamie të re, me anekse të domosdoshme për zhvillimin e jetës fetare, në kushtet më të mira të mundshme.

Në takimin e sotëm, Myftiu ka informuar antarët e këshillit të xhamisë së fshatit Kullaj dhe imamin, z. Ardin Selhani, për interesimin dhe lobimin e Myftinisë Shkodër për arritjen e realizimit të një projekti bashkëkohor për xhaminë e re në Kullaj. Tashmë, kushtet janë plotësuar dhe Myftinia Shkodër po kryen ndërhyrjet e fundit, për të mbërritur tek dita e afërt e hedhjes së themeleve për fillimin e xhamisë së re.

Nga ana e tyre, këshilltarët e kësaj xhamie kanë shprehur dëshirën e tyre të kahershme për arritjen e kësaj dite dhe njëkohësisht kanë vlerësuar interesimin e vazhdueshëm të Myftinisë për mundësimin e ndërtimit të një xhamie të re në Kullaj.

Me mbarësinë e All-llahut, punimet për këtë xhami të re duhet të nisin sa më parë, në një ditë të gëzueshme e sihariqi për besimtarët e krejt Postribës dhe Shkodrës.

 


Takim pune mbi xhaminë e re në fshatin Kullaj
Takim pune mbi xhaminë e re në fshatin Kullaj