“Përfito nga pesë gjëra, para pesë të tjerave…”
13 shkurt 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Krijuesit Fuqiplotë. Atij që është Një
dhe i Vetëm, që nuk ka nevojë për asgjë
dhe askë, që nuk ka lindur prej kujt as
ka lindur kush prej Tij, që nuk ka
shoqe, as bij, as bija. Asgjë nuk i
përngjet Atij! All-llahu,
El-Vahidul-Ehad, që ishte para se të
ishte gjithësia, që është dhe do të jetë
edhe kur të mos jetë më asgjë.
I Vetmi, Pushtetploti, i Cili urdhëron
në Kur’anin Famëlartë: [“Thuaj: “Cili
send ka dëshminë më të madhe?” Thuaj:
“All-llahu është dëshmues mes meje e
jush, e mua më është shpallur ky Kur'an
që me të t'ju tërheq vërejtjen juve dhe
atij që i komunikohet (dhe të gjithë
atyre që vijnë pas jush deri në ditën e
kiametit). Ju, a po dëshmoni se pos
All-llahut ka edhe zota të tjerë?!”
Thuaj: “Unë nuk dëshmoj!” Ai është vetëm
Një Zot dhe unë jam i pastër nga ajo që
ju i shoqëroni!”][1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta, ia dërgojmë zotërisë tonë,
Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte:
“Përfito nga pesë gjëra para pesë të
tjerave: nga jeta para vdekjes, nga
shëndeti para sëmundjes, nga boshllëku
para angazhimit, nga rinia para
pleqërisë dhe nga pasuria para
varfërisë”.[2]
Të nderuar vëllezër dhe
motra besimtarë,
Në përditshmërinë e aktivitetit të tij,
secili prej nesh është i ftuar të
meditojë dhe të reflektojë me veten e
tij rreth këtij hadithi të shquar.
Nëpërmjet tij, i Dërguari i All-llahut,
Hz. Muhammedi (a.s), na fton të mendojmë
dhe të shfrytëzojmë jetën, shëndetin,
kohën e lirë, rininë dhe pasurinë, për
të dëshmuar cilësi besimi dhe
përkushtimi ndaj Zotit, në çdo etapë të
jetës tonë.
Në shpjegimin e këtij hadithi, Imam
Mennavi, ndër të tjera thekson: “Përfito
nga pesë gjëra para pesë të tjerave”,
dmth: veproji pesë gjëra para se të
ndodhin pesë të tjera. “nga jeta para
vdekjes”, dmth: përfito nga ato gjëra që
do të sjellin dobi pas vdekjes, sepse
kush vdes, ndërpritet vepra e tij… “nga
shëndeti para sëmundjes”, dmth:
shfrytëzo punën në gjendje shëndeti…
“nga boshllëku para angazhimit”, dmth:
shfrytëzo kohën e lirë në këtë botë,
përpara se të angazhohesh me hallet e
jetës së përtejme… “nga rinia para
pleqërisë”, dmth: shfrytëzo shfaqjen e
nënshtrimit ndaj Zotit në gjendje
aftësie, para se të sulmohesh nga mosha
e thyer dhe të pendohesh për atë që ke
lënë pa bërë në hak të All-llahut. Dhe,
“nga pasuria para varfërisë”, dmth:
shfrytëzo dhënien e sadekasë nga
pasurisa jote, përpara se të vijë një
gjendje varfërie…”.[3]
Në realitetet e sotme të botës islame,
të gjithë ne jemi të ftuar të përfitojmë
nga ky hadith, duke e bërë atë një
stacion të rëndësishëm ndryshimi në
jetë. Dmth, sot, kur të shkosh në
shtëpi, mundohu të bësh një
përllogaritje të mënyrës sesi sillesh me
kohën tënde, me shëndetin tënd, me
rininë dhe forcën tënde. Llogarit, sa
orë në ditë lexon? Sa orë në ditë punon,
për të ndihmuar familjen tënde a për të
fituar nga puna e hallallit? Sa orë a
minuta i kushton shëndetit tënd dhe
mbajtjes së trupit në gjendje aktive? Si
je me adhurimet ditore? I fal pesë
namazet? Po namaz nate? Po tehexhud? Ke
një vird të përditshëm dhikri, ku ulesh
dhe ndjehesh si Imam Neveviu (631-676),
që thoshte: “e kishte marrë malli nefsin
tim për të bërë dhikër”[4],
pasi kishte kaluar një sëmundje, që e
kishte ndërprerë nga aktiviteti i
përditshëm? A je prej atyre, për të
cilët thuhet, se: “Gjëja më e shtrenjtë
për të ishte koha e tij?”[5],
siç thonin për Shejkhul-Islamin e kohës,
Imam Neveviun? A të pengon gjë për të
dhënë, sadopak, për hatër të Zotit dhe
fitimit të pëlqimit të Tij, nëpërmjet
rrugëve të sadekasë? Etj, etj pa fund.
Pra, ky hadith është një peshore, në të
cilën, secili duhet të vendosë veten,
për të parë sesa musliman i rregullt dhe
i dobishëm për veten dhe rrethin e tij
është!
Të dashur vëllezër dhe motra
besimtarë,
Po lexoja disa pasazhe nga jeta e
sahabiut të dashur Muadh ibni Xhebel
(r.a), sahabiu, për të cilin,
Resulull-llahu (a.s) thoshte: “… dhe më
i dituri i ymmetit tim për hallalin dhe
haramin, është Muadhi”[6].
Subhanallah, sa e mrekullueshme është
lutja, me të cilën i drejtohet
All-llahut, në ditën e fundit të jetës
së tij, ky dijetar i shquar në mesin e
sahabëve.
Transmetohet, se kur iu afrua vdekja,
Muadhi (r.a) pyeti: “A është bërë
sabahu?” I thanë: “Jo”. Pak më vonë
erdhën dhe i thanë: “U bë sabahu”. Ai
tha: “Eudhu bil-lahi[7]
nga një natë, sabahu i së cilës të çon
në zjarr! Mirë se vjen o vdekje, mirë se
vjen! Vizitor i rrallë. I dashur, që
vjen në varfëri! All-llahumme unë të jam
frikësuar tërë jetën, ndërsa sot kam
shpresë në Ty! All-llahumme, Ti e di se
unë nuk e kam dashur këtë botë as
jetëgjatësinë në të për rrjedhën e
lumenjve, as për mbjelljen e pemëve,
por, vetëm për etjen e ditëve të nxehta,
përpëlitjen në orët e urisë dhe afrimin
me dijetarët, në gjunjë, në hallkat e
dhikrit”[8]
Ne si shoqëri islame, kemi nevojë të
përhershme për përvetësimin e këtij
hadithi në jetën tonë, sidomos në
marrëdhëniet e ndërtimit të
personalitetit të muslimanit në veten
tonë. Sepse periudha e ndërtimit të
personalitetit të muslimanit, mund të
jetë shumë më e gjatë sesa mendon
dikush. Normal!
Nuk bëhesh musliman vetëm se ke thënë
shehadetin dhe ke mësuar dy a dhjetë
sure, ke agjëru një a pesë Ramazane, ke
shku në haxh a ke dhënë zekatin. Këto,
janë shtyllat e ndërtimit. Unë flas për
moralin, për sjelljen, për shfrytëzimin
e kohës, për bujarinë, për respektin dhe
dashninë e pakufijshme ndaj dijes dhe
dijetarëve, për marrëdhënien me
hallallin dhe haramin në jetën e
përditshme, për ruajtjen e gjuhës, për
“shenjtërimin e kohës”, për qetësinë dhe
ruajtjen e dinjitetit etj.
E dini si? Ja, Imam Bukhariu (194-256),
i cili thoshte: “Unë shpresoj ta takoj
All-llahun dhe mos të më llogarisë se
kam përfolur njeri!”[9],
sepse thoshte për veten e tij, se: “Nuk
kishte përfolur njeri qëkur kishte
mësuar se gibeti ishte haram”[10]
Ja, përpara kolosit të hadithit, korifeu
i fikhut; Imami i jonë, Ebu Hanife
Numani (80-150), për të cilin thuhej se
kur shpenzonte nga pasuria e tij për të
varfërit dhe nevojtarët, u thoshte:
“Falënderojeni All-llahun e Madhëruar,
sepse kjo është nga pasuria e Tij, që po
jua jep. Këto janë fitimet e mallit
tuaj, që All-llahu i bën të vërshojnë
nga duart e mia”[11]
Pra, bujaria e tij dhe modestia në
bamirësi, ishte shembull për njerëzit.
Po, se është bukur, kur imami, hatibi,
myftiu, a kushdo që rend në botën e
udhëzimit drejt vlerave të besimit, të
jetë shembull bujarie, që jep nga ajo që
i ka dhënë Zoti, pa pasur frikë
varfërinë dhe pa kërkuar asnjë
falënderim për bamirësinë e tij.
Edhe një shembull të fundit në këtë
pikë: Për dijetarin e madh dhe të
shquar, Ibn Xherir Et-Tabari (223-310),
mufesirin e Kur’anit, historianin e
pashoq, muhadithin, fakihun, usulitin,
gjuhëtarin, poetin, muxhtehidin absolut,
një nga dijetarët më të mëdhenj të
historisë së njerëzimit, thuhet se:
“Disa nga nxënësit e tij, llogaritën
ditët e jetës së tij, nga mosha e
pjekurisë deri në vdekje, në moshën 86
vjeç, pastaj i pjesëtuan këto ditë me
numrin e faqeve të librave të shkruar
prej tij. Rezultati ishte:
katërmbëdhjetë fletë (28 faqe) shkrim në
ditë! Kjo, sigurisht nuk i ndodh një
krijese, vetëm se me një përkujdesje të
veçantë nga Krijuesi!”[12]
Vëllezër dhe motra,
Dëshira ime është që rinia e pranishme
në xhami (e aq më tepër ata të rinj
muslimanë jashta xhamive), të kenë
shembuj udhëzimi në jetë, të
shfrytëzojnë maksimalisht kohën me gjëra
të dobishme dhe të mos lejojnë
pesimizmin të afrohet në dyert e zemrës
së tyre. Është e vërtetë se realitetet e
sotme shqiptare, mbajnë erë pesimizmi,
erë mungesë prespektive e ndërtimi, por
muslimani e ka të ndaluar pesimizmin në
jetën e tij! I riu musliman, nuk mund të
jetë pesimist, Islami ia ndalon atë!
Në jetën e brezave të shkuar, ka pasur
vuajtje dhe pengesa të shumta e të
panumërta, por marrëdhënia e dijetarëve
dhe njerëzve të ruajtur, me kohën, ka
qenë dhe mbetet pikë referimi. Fjala
bie, sahabiu i nderuar Abdull-llah ibn
Mes’ud (r.a), thoshte: “Nuk jam penduar
për ndonjë gjë në jetë, si pendimin që
kam pasur për një ditë, që i ka
perënduar dielli, më është pakësuar
exheli e, puna ime nuk është shtuar në
të”[13]
Ja, Hafizi Ibn Asakir (499-571),
damaskeni që i la bibliotekës së botës
islame vepra pa fund, ku përmenden:
“Historia e Damaskut”, në 80 vëllime!
Mbi 50 vepra të shkruara, në mesin e të
cilave spikat: “El-Erbainel-Buldanijje”[14],
ku ka mbledhur katërdhjetë hadithe, nga
katërdhjetë dijetarë, nga katërdhjetë
qytete.
Mësuesit e tij numërohen deri në 1300,
prej të cilëve 80 e ca, gra. Ai bënte
hatme Kur’anin një herë në javë, ndërsa
në Ramazan, për çdo ditë. E kalonte
zgjuar me adhurime e dhikër natën e
Gjysmës së muajit Shaban, por jo vetëm.
Në Bagdad njihej si: “Pishtari i
zjarrit”, Ndriçuesi!
Imam Neveviu, thoshte për të: “Ai është
Hafizi i Shamit (Damaskut e përtej),
madje Hafizi i botës, Imami absolut, i
besueshmi, i qëndrueshmi”[15]
All-llahut të Madhëruar i lutem ta
begatojë jetën tonë, ta gjallërojë atë
me përmendjen e vazhdueshme të Madhërisë
së Tij!
Të na japë begati në shëndetin tonë dhe
të na forcojë në rrugën e Thirrjes dhe
Shërbimit ndaj Fjalës dhe të Vërtetës së
vetme, që buron prej Tij!
Ta pasurojë kohën tonë me shfrytëzimin e
saj, aty ku është dobia për fenë, jetën,
rrethin dhe shoqërinë tonë!
Ta ruajë rininë tonë nga devijimi,
femohimi, imoralitetit dhe shthurrja. Ta
mbrojë rininë tonë nga lëngatat e kohës
dhe ta bëjë atë shembull në dije,
edukatë, moral, përparim e drejtim!
Ta begatojë pasurinë tonë dhe ta mbrojë
hallallin tonë nga harami dhe hijet e
tij! Amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Guri i Zi )
Shkodër, më 13 shkurt 2015
[1] Kur’ani, El-En’am: 19.
[2] Hakimi, nga
Ibni Abbasi (r.a).Etj.
[3] Muhammed
Abdurrauf El-Mennavi, “Fejdul-Kadir”,
botimi i parë, Bejrut, 1996, vëllimi i
dytë, f. 20-21.
[4] Abdulgani
Ed-Dakr, “El-Imamun-Nevevi”, botimi i
pestë, Damask, 2005, f. 100.
[5] Abdulgani
Ed-Dakr, vep. e cit., f. 151.
[6] Transmetuar
nga Tirmidhiu, nga Enes ibn Malik (r.a).
[7] Në shqip:
Kërkoj mbrojtjen e All-llahut.
[8] Ibn Kudame
El-Makdisi, “Er-Rikkatu vel-Buka”,
botimi i tretë, Damask, 2014, f. 253.
[9] Abdussettar
Esh-Shejkh, “El-Imamul-Bukhari”, botimi
i parë, Damask, 2007, f. 81.
[10]
Abdussettar Esh-Shejkh, vep. e cit., f.
20.
[11] Vehbi
Sulejman Gavoçi, “Ebu Hanifeten-Nu’man”,
botimi i dytë, Damask, 2014, f. 79.
[12] Shejkh
Abdulfettah Ebu Guddeh,
“El-ulemaul-uzzab”, botimi i gjashtë,
Bejrut, 2008, f. 58.
[13] Shejkh
Abdulfettah Ebu Guddeh, “Kimetuz-zemen
indel-ulema”, botimi i dhjetë, Bejrut,
2002, f. 27.
[14] Me
përafërsi, mund të përkthehet edhe si:
“Hadithet e katërdhjetë qyteteve”.
[15] Të dhënat
për Hafiz Ibni Asakirin i kam
përmbledhur shkurtimisht nga burimi i
lartpërmendur. (Shejkh Abdulfettah Ebu
Guddeh, vep. e cit., fq. 95- 99).