Mevludi i Prizrenit,
një natë plotë dritë salavati në Shkodër

Ditën e hënë, më 9 shkurt 2015, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, ka organizuar një aktivitet fetar në kuadër të përkujtimit të mesazhit universal dhe dërgesës profetike të Hz. Muhammedit (a.s).
 
Si një aktivitet i përvitshëm, që organizohet nga Myftinia Shkodër, këtë vit është menduar që në skenën e teatrit “Migjeni”, të sillet modeli i Mevludit të Prizrenit.
 
Në krye të herës, aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe nga Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, z. Lutfi ef. Ballek.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i KMSh-së, përcolli edhe përshëndetjet e Kryetarit, z. Skender Bruçaj, duke theksuar se këto aktivitete janë një shembull i mirë në rrugën e gjallërimit të jetës fetare në vendin tonë.
 
Nënkryetari i KMSh-së, z. Bujar Spahiu, foli edhe për rëndësinë që ka përkujtimi i jetës dhe mesazhit universal të Hz. Muhammedit (a.s), si modeli i dijes, përparimit dhe organizimit shoqëror nën dritën e bekimeve hyjnore, vëllazërisë dhe harmonisë në mesin e krijesave të Zotit.
 
Ndërsa Lutfi ef. Ballek, në fjalën e tij, theksoi se ka ardhur koha të shtohen bashkëpunimet në mesin e muslimanëve në trojet shqiptare, në kuadër të promovimit të vlerave të përbashkëta dhe modeleve të larmishme të kulturës dhe traditave të bukura fetare.
 
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame Prizren, vlerësoi njëkohësisht këtë mbrëmje, si model i harmonisë dhe afrimit në mesin e dy qyteteve të mëdha shqiptare, Shkodrës dhe Prizrenit, edhe në kuadër të binjakëzimit që kanë dy myftinitë përkatëse.
 
Ndërsa Myftiu i Shkodrës, në fjalën e tij vuri theksin te rëndësia që ka promovimi i traditave të pastra islame shqiptare, si rasti i veprave poetike kushtuar Hz. Muhammedit (a.s), “Mevludet” në gjuhën shqipe.
 
Imam Muhamed Sytari, theksoi se “numri i madh i mevludeve (si vepra poetike islame) të shpërndarë në treva të ndryshme shqiptare dhe në diasporë, pasqyron një begati të çmueshme të kulturës islame të popullit tonë”.
 
Njëkohësisht, nxiti kthimin e interesimit për leximin e jetës së të Dërguarit (a.s), nëpërmjet vargjeve dhe rreshtave të Mevludeve, në mexhlise të ndryshme, jo vetëm në muajin Rebiulevvel, si për të mos lënë në harresë trashëgiminë e madhe e të vyer të kombit shqiptar në poezinë islame, kushtuar Hz. Muhammedit (a.s).
 
Aktiviteti kulmoi me shfaqjen e bukur të grupit të gjashtë hafizëve nga Prizreni, nën drejtimin e Kryeimamit, z. Ali Vezaj, me këndimin e pjesëve të përzgjedhura nga “Mevludi” i Tahir Popovës, salavateve dhe lutjeve, që dhuruan emocione dhe lot malli në mesin e të pranishëmve të shumtë, që kishin mbushur teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës.
 
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeimami i Ulqinit, z. Ali ef. Bardhi, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të KMSh, z. Oltion Kola, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, drejtues të medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër, drejtues të shoqatave të ndryshme bamirëse islame, që operojnë në Shkodër, pedagogë të Universitetit, anëtarë të Këshillit të Bashkisë Shkodër etj.

 


Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër
Mevludi i Prizrenit, një natë plotë dritë salavati në Shkodër