“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të Vetëm të gjithësisë, për ekzistencën dhe Njësinë e të Cilit, bën shenjë çdo gjë në këtë gjithësi.
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemrëta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Punoni sa të mundeni, sepse All-llahu nuk mërzitet derisa të mërziteni dhe, dijeni se puna më e mirë tek All-llahu është e vazhdueshmja, edhe nëse është e pakët”.[1]
 
Të nderuar vëllezër besimtarë,

Para disa netëve, më tërhoqi vëmendjen një ajet kur’anor, që imami e lexoi, teksa falnim namazin e jacisë, në një prej xhamive të Shkodrës. Ajeti 120 i sures “En-Nahl”, në të cilin All-llahu Mëshirëplotë na tregon për shembullin e Hz. Ibrahimit (a.s), teksa na fton të ndjekim shembullin e tij në jetë dhe të vishemi me cilësitë e tij të mrekullueshme, si besimtar dhe njeri i përkushtuar në jetë. Thotë: “Vërtetë, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i All-llahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.”[2]
           
Në komentimin e tij të këtij ajeti, H. Sherif Ahmeti thekson: “Ibrahimi ishte një “ymmet” – një popull; ngase të gjitha virtytet e mira ishin të grumbulluara tek ai; ngase në atë kohë nuk pati besimtarë të drejtë pos tij, andaj ai përfaqësonte një popull me besim të drejtë…”[3]

Edhe komentues dhe përkthyes të tjerë të Kur’anit Famëlartë e përkthejnë këtë ajet me diferenca të vogla, por pa e cekur madhështinë e fjalës “ymmet”, përveçse në një rast, siç do të ceket edhe më poshtë.

Në përkthimin e tij, Dr. Feti Mehdiu, e sjell kështu para lexuesit ajetin e lartpërmendur: “Ibrahimi ka qenë, njëmend, i përulur ndaj All-llahut, besimtar i vërtetë, nuk ka qenë prej mosbesimtarëvet”[4]

I nderuari Myfti Salih Ferhati, e përkthen në këtë mënyrë: “Ibrahimi qe një model, i bindur ndaj Zotit, monoteist dhe nuk ishte idhujtar”[5]

Prof. Hasan Nahi, në këtë mënyrë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para All-llahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët”[6]

Ndoshta i vetmi përkthim, që e përfshin këtë fjalë, “ymmet”, brenda ajetit, është një përkthim anonim (që nuk i ka shpëtuar kritikave të shumta, sidomos në akide dhe çështje thelbësisht fetare, nga Hoxha i jonë Shejkh Vehbi S. Gavoçi), ku konkretisht thuhet: “Me të vërtetë që Ibrahimi ishte Ummet (shembull i besimit, udhëheqës me cilësitë e virtytet më të larta, ose një komb i vetëm përballë një populli mosbesimtar…)”[7]
 
Të nderuar vëllezër besimtarë,
 
Është me shumë rëndësi për muslimanin bashkëkohor, të ketë shembuj udhëzimi në jetën e tij, të ketë modele frymëzimi, mbështetje shpirtërore në jetën e përditshme, ku përballet me paragjykimin, me vrapimin pas kërkimit të rizkut, me modele të ndryshme të femohimit, idhujtarisë a bestytnive, të përziera me elementë besimi me origjinë të lashtë në Libra të shenjtë, por që kanë degraduar në fenomene shirku. (Nuk janë larg vëmendjes tuaj: falli, sihret e ndryshme, lidhja pas parashikimit ditor të fatit, vizita e varreve, maleve e shpellave, me besim në dobinë që vjen drejtpërdrejtë prej tyre, pajisja e shtëpive a objekteve të çmuara, me varëse a lidhësa të ndryshme, me besim në forcën e tyre për ta larguar të keqen prej tyre etj.)

Prandaj, Zoti i gjithësisë, sjell në vëmendjen tonë, Hz. Ibrahimin (a.s), për të cilin thotë se është “ymmet”, në besimin e tij të patundur në Njësinë absolute të All-llahut, në nënshtrimin e tij ndaj thirrjes së besimit dhe përkushtimit të tij në rrugën e gjatë e plot sprova të dëshmimit të tij në jetë.

Si ta kuptojmë këtë fjalë të madhe, “ymmet” dhe cilësitë e tjera me të cilat karakterizohej “miku i All-llahut”, Hz. Ibrahimi (a.s)?

Komentuesit e ndryshëm të Kur’anit, bëjnë sqarimet e duhura rreth këtij ajeti, si më poshtë:

Imam Fehrudin Razi, thekson se: “Cilësia e parë: është qënia e tij ymmet. Në tefsirin e kësaj fjale ka disa mendime. I pari: Ai, i vetëm ishte ymmet prej ymmeteve, për plotësinë e tij në cilësitë e të mirës… I dyti: Ka thënë Muxhahidi: Ai ishte i vetmi besimtar, ndërsa krejt njerëzit ishin femohues. Për këtë kuptim, ai i vetëm ishte ymmet…”[8]  

(Imagjinoni për pak, një njeri i vetëm besimtar, përballë një qyteti të tërë, një komuniteti femohues, një bashkësie të devijuar e idhujtare!? A nuk është kjo një thirrje e madhërishme për secilin prej nesh, që të mos ketë ndrojtje për ta dëshmuar besimin dhe fenë e tij në realitetet shqiptare (dhe kudo qoftë), ku laicizmi selektiv, po kthehet në një pengesë të madhe përballë nesh dhe identitetit tonë islam? A nuk është kjo një mbështetje shpirtërore për të riun musliman shqiptar, që të kërkojë një punë hallalli, larg harameve dhe të ndaluarave të shumta, me të cilat përballet në rrugën e kërkimit të rizkut? A nuk është ky shembull i vullnetit të pashoq të Hz. Ibrahimit (a.s), një thirrje e shenjtë hyjnore, që i thotë secilit prej nesh: “Bëhu ymmet në realitetet e shoqërisë tënde! Mos ngurro, me urtësi e dije, me zgjuarsi dhe butësi, me dashamirësi dhe mëshirë, të bëhesh thirrës drejt vlerave të besimit në Një Zot të Vetëm”?)

Përtej këtij sqarimi, Shejkhul-Islam Et-Tahir Ibni Ashur, në tefsirin e tij, shpjegon se: “Ibrahimi (a.s) është cilësuar se ka qenë ymmet. Dhe fjala ymmet do të thotë: Një grupim madhështor njerëzish, që i bashkon një drejtim unifikues”[9]

Ai sqaron më tej se: “Ai, i vetëm, ishte ymmet në fé, sepse në kohën e dërgesës së tij nuk kishte asnjë njeri që e njësonte All-llahun, përveç tij. Nëpërmjet tij, All-llahu ringjalli teuhidin (besimin në Një Zot të Vetëm të gjithësisë), atë e dërgoi në mesin e popujve dhe qyteteve të ndryshme, atij i ndërtoi një pikëreferimi të madhnueshme, Qaben dhe, i ftoi njerëzit drejt vizitës së kësaj Shtëpie, për ta përhapur kujtimin e mirë të tij në mesin e popujve, kohë pas kohe”[10]

Unë ju pyes: Pas gjithë vështirësive, pengesave, persekutimit të pashembullt, deri dënimit me gjuajtje me katapultë drejt një zjarri të madh, me të cilët u përball Hz. Ibrahimi (a.s), triumfoi e vërteta, me të cilën ai ishte dërguar dhe me të cilën punonte dhe jetonte, apo u dëshpërua dhe humbi në rrugën e thirrjes së tij? Triumfoi dhe u përjetësua shembulli i tij deri në ditën e gjykimit! Fitoi bekimet hyjnore të Zotit të botërave, i cili dëshmoi para gjithësisë se: “Kush ka fé më të mirë se ai që sinqerisht i është bindur All-llahut dhe, duke qenë bamirës, e ndjek fenë e drejtë të Ibrahimit? All-llahu e zgjodhi Ibrahimin të dashurin më të ngushtë”[11]
           
Të nderuar dhe të dashur vëllezër,
 
Shumë me vlerë është të kuptojmë se shembulli i Hz. Ibrahimit (a.s), është shembulli i një prijësi të madh drejt vlerave të besimit, moralit dhe përkushtimit në jetë, pa pasur asnjëherë frikë nga përkulja përpara faktorëve pengues në mes të rrugës!  

Me fjalë të tjera, secili ndër ne, ka shumë nevojë sot për këtë prekje hyjnore në forcën e vullnetit të tij, për ta bërë atë një musliman shembullor, që i tutet Zotit (me dashni e përkushtim) në veten e tij, në familjen e tij, në rrethin e tij shoqëror, në zemrën e tij, në gjuhën e tij, në gjymtyrët e tij, në kërkim të shfaqjes së vlerave më të mira të besimit në jetë.

Sot, kemi nevojë të bëhemi pjesë e Shkollës së madhe të Hz. Ibrahimit (a.s), në besim e bindje, në mirënjohje dhe nështrim ndaj Zotit!

Sepse, Hz. Ibrahimi (a.s) ishte: “imam, pas të cilit duhet ecur! Një burrë i madh, që kishte grumbulluar krejt cilësitë e të mires!”[12]
 
I lutem All-llahut Mëshirëplotë, ta bëjë të sotmen tonë, më të mirë se të djeshmen që kaloi. Dhe, ta bëjë të nesërmen tonë, më të mirë se të sotmen, në rrugën e afrimit me Dashninë e Tij dhe në kërkim të Pëlqimit të Tij hyjnor. Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit Kullaj)
Shkodër, më 6 shkurt 2015


[1] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[2] Kur’ani, En-Nahl: 120. Nga: “Kur’ani përkthim me komentim”, përkthyer nga H. Sherif Ahmeti, ribotim, Prishtinë, 1990, f. 379.
[3] Të shihet: “Kur’ani përkthim me komentim”, përkthyer nga H. Sherif Ahmeti, ribotim, Prishtinë, 1990, f. 380.
[4] Kur’ani, En-Nahl: 120. Nga: “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”, përkthyer nga Dr. Feti Mehdiu, Shkup-Stamboll, 1999, f. 280
[5] Kur’ani, En-Nahl: 120. Nga: “Kurani i Nderuar”, shqipëroi Myfti Salih Ferhat Hoxha, Tiranë, 2013, f. 146.
[6] Kur’ani, En-Nahl: 120. Nga: “Kurani i madhërishëm”, përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe Prof. Hasan I. Nahi, botimi i VI-të, version shqip, AIITC, Tiranë, 2008, f. 312.
[7] Kur’ani: En-Nahl: 120. Nga: “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khan, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, botimi i dytë, Riad, 2000, f. 402-403.
[8] Imam Fehrudin Razi, “Et-Tefsirul-Kebir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. XX- të, f. 107-108.
[9] Et-Tahir Ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, ribotim, Bejrut, 2000, vëll. i 13- të, f. 254.s
[10] Et-Tahir Ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, vep. e cit., f. 254.
[11] Kur’ani, En-Nisa: 125.
[12] Ali Esh-Sherbexhi, “Tefsirul-Beshair ve Tenvirul-Besair”, botimi i parë, Damask, 1997, vëll. i dytë, f. 302.

 


“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”
“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”
“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”
“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”
“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”
“Vërtetë Ibrahimi ishte ymmet..!”