Mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute, i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të Vetëm të gjithësisë, Atij që furnizon me mirësitë e Tij, të përkushtuarin dhe gjynahqarin, të udhëzuarin dhe të devijuarin dhe, tek i Cili është kthimi i të gjithëve, në ditën e madhe të llogarisë.
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë e në çdo ditë zotërisë tonë, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Më të dashurit tuaj për mua dhe ata që do të ulen më afër meje prej jush, në ditën e kiametit, janë më të sjellshmit ndër ju në moral. Ndërsa, ata që do të jenë më larg meje prej jush, në ditën e kiametit, janë thashethemexhinjtë, llafazanët dhe mendjemëdhenjtë”[1]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra,
 
Nga Ibni Omeri (r.a) transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur një njeri i thotë vëllait të tij (musliman): “O i pafé (kafir-qafir)”, atëherë njëri prej të dyve është i përshtatshëm për atë fjalë. Nëse ai është siç i ka thënë, atëherë është në rregull, por nëse ai nuk është si është emërtuar, atëherë fjala i kthehet mbrapsht (atij që e ka thënë)".[2]

Në vitet e para të hapjes së shoqërisë sonë, pas rënies (në dukje) të murit të hekurt komunist, shnderuesit të kombit shqiptar, atëherë kur, edhe liria e besimit ishte "liruar" nga burgjet e ideologjisë më mizore dhe famëkeqe të kohërave të fundit, dijetari dhe burri i madh i kombit shqiptar, H. Vehbi S. Gavoçi, paralajmëronte në librat e tij për rrezikun e fenomenit të “qafirizimit” të tjetrit. Asokohe, ne nuk e dinim tamam se për çfarë bëhej fjalë, ndonëse hijet e kësaj fryme injorante, kishin nisur të përhapeshin në mesin tonë.

Hoxha i jonë, shkruante: "Hapën disa arabë të ardhur nga Rijadi një shkollë në Cërrik të Elbasanit dhe mblodhën shumë djelmosha për me ju mësue fenë islame… Gja e mirë, mirëpo këta arabë megjithëse shpenzohen nga bamirësit muslimanë që kanë medh'hebe Hanefi, Shafii, Maliki e Hanbeli, e shpenzuan atë pasuni për me i mësu fëmijëve tanë disa fjalë jashta medh'hebeve, si p.sh: me vu burri duart në gjoks ose gadi deri në fyt, më hapë kambët, me shpërvjelë fundin e pantallonave, etj. Dhe ma e randë se ato gjana, qe se filluan me helmu zemrat e fëmijëve kundër baballarëve dhe hoxhallarëve të tyre duke ju thanë se ata krejt kanë kenë larguar nga besimi, sa që një djalë shqiptar u muar me atë fjalë e tha përpara disa të tjerëve se: Baba i tij ishte për zjarr mbasi ka kenë hanefi!... I mjeri shpifës!".[3]

Ky lloj liberalizmi në përdorimin e disa termave të tilla si: “qafir”, “në zjarr”, “bidatli”, “i humbur”, “fasik”, etj, për disa të paditur që hiqen si të ditur, janë kthyer në modë thirrjeje, “e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë”.[4] 

Fillimisht, termi “qafir” në fjalorët e gjuhës arabe dhe terminologjisë islame e orientale përkthehet si vijon: “kefere, kafir (qafir)”: “Njeriu që nuk beson në Njësinë e Zotit, në Profetësinë e Muhammedit (a.s) ose në legjislacionin islam (Sheriatin), ose në të gjitha sëbashku.”[5]

Ndërsa poligloti i shquar shkodran, Tahir Dizdari, në kryeveprën e tij “Fjalori i orientalizmave”, e përkthen kështu këtë term: “qafír”: “Mohues, i pabesë, i pafé, …, félëshues, … (simbas botëkuptimit fetar) mosmirënjoftës, por edhe anmik i atdheut…”[6], ku e shoqëron edhe me shembuj nga folklori ynë.

Ndërkohë, në terminologjinë e jurisprudencës islame, termi “kufr”, përkthehet edhe si: [ateizëm, blasfemi (anglisht),  absence de foi; atheisme; incrédulité (frëngjisht), ose: mohimi i Profetit (a.s) në atë, me të cilën është dërguar, që konsiderohet si dijeni fetare e domosdoshme. E kundërta e besimit. Kufri është disa llojesh:

Kufër inkar: Kur njeriu mohon me zemër dhe me gjuhë, duke mos besuar tek e vërteta dhe duke mos e pranuar atë.

Kufrul-inad: Besimi në atë, me të cilën është dërguar Muhammedi (a.s) me zemër dhe mohimi i tij me gjuhë.

Kufrun-nifak: Kur njeriu nuk beson me zemrën e tij atë, me të cilën është dërguar Muhammedi (a.s), por e konfirmon atë me gjuhën e tij.

Kufër mil-le: Kur njeriu vepron ato gjëra që e nxjerrin nga Islami, qofshin fjalë, vepra a bindje.

Kufër amel: Kur besimtari vepron gjynahe që nuk e nxjerrin nga besimi, si thënia e të Dërguarit: “Sharja e besimtarit është devijim, vrasja e tij kufër”][7]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra,
 
Arsyeja se përse po i kthehem kësaj teme, sot (në vitin 2004 kam shkruar: “Qafirizimi, nuk është rruga e jonë”), është pikërisht rreziku i keqpërdorimit të këtij termi (“qafir” e të ngjashëm) masivisht në mesin e muslimanëve, sidomos nga të rinjtë.

Realitetet e sotme islame, po bëhen përherë e më shumë dëshmitarë të përdorimit plot injorancë të këtij termi, sidomos nga një grup njerëzish, që fenë po mundohen ta prezantojnë si shfaqje të jashte, jo ndërtim i brendshëm. Një grup njerëzish, që i gjen thuajse në çdo xhami duke çuçuritur sa në një cep, në një tjetër, duke u munduar të bëjnë për vete, sidomos rininë. Prej këtyre duhet pasur kujdes, tamam, siç kujdesemi nga një i infektuar, a sëmundje ngjitëse!?

Tradita e mirëfilltë islame, ajo që buron nga Profeti i mëshirës dhe pasuesit e tij të sinqertë është dashuria dhe respektimi i tjetrit dhe i mendimit të tij, pa dalë jashtë kufijve të tolerancës dhe lirisë së mendimit. Baza islame e të komunikuarit, nuk është dhuna, imponimi i mendimit, vetëmburrja e paragjykimi, por mirëkuptimi, dëshira për dialog ndërtues, tolerancë maksimale e shpirtmadhësia ndaj tjetrit, aq më shumë ndaj muslimanit.

"Në dialog nuk ka gjykatës dhe të gjykuar, vendimmarrës e të akuzuar. Dy persona u mblodhën për të dialoguar me njëri-tjetrin, ndërkohë që njëri i tha tjetrit: A do të dialogojmë? I tha: Po. Por me një kusht: Të mos nevrikosesh, të mos inatohesh, të mos çuditesh, të mos e bësh paragjykimin tënd argument, të kemi si qëllim të përbashkët të drejtën dhe të vërtetën  dhe pjekurinë si bazë të këtij takimi!".[8]

Dijetari i shquar bashkëkohor, El-Habib Ali Zejnulabidin El-Xhifri, duke shkruar për mentalitetin e tekfirit, thekson se: “Dijetarët tanë kanë thënë: “Nëse gjenden 99 shenja, që vërtetojnë se muslimani ka rrëshqitur në kufër (femohim) dhe një shenjë e vetme, që vërteton qëndrimin e tij në Islam, detyrë e Myftiut a Kadiut është të punojë me këtë shenjë të vetme. Ky rregull buron nga hadithi i Resulull-llahut (a.s): “Mbrojini muslimanët sa të mundni nga zbatimi i ndëshkimeve, e nëse i gjeni një justifikim muslimanit, lëreni të lirë. Të gabojë Prijësi në falje, është më mirë sesa të gabojë në ndëshkim!”[9] (Nga: Sherhush-Shifa, i Molla Ali El-Herevi Hanefiut)”[10]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra,
 
Duke folur rreth dialogut dhe mirëkuptimit të muslimanëve në mes vete, Shejkh Ahmed Keftaro, thot: "Historikisht kemi jetuar në botën islame me katër medh'hebe, ku të gjithë respektonin dhe justifikonin njëri-tjetrin. Shafiitë thonin: Mendimi ynë është kështu, ndërsa zotërinjtë hanefi kanë mendim tjetër… Malikitë thonin: Mendimi ynë është kështu, ndërsa zotërinjtë shafii kanë mendim tjetër… E gjithë kjo në një kornizë dashurie, mëshirimi e drejtësie që reflektonte botëkuptimin social dhe qytetërues tek ymeti, madje thuaj: Reflektonte edukimin e vërtetë nga Profeti (a.s) tek brezat e parë të këtij ymeti. Nuk do të gjesh në këtë ymet një shafii që nuk e respekton Ebu Hanifen, as ndonjë hanefi që s'e nderon Imam Malikun, me gjithë divergjencat prezente në mes medh'hebeve të tyre, me të cilat mbushen librat e jurisprudencës islame (fikhut).

Përkrah katër medh'hebeve, jurisprudenca islame ecte përpara edhe me sakrificat e Imamëve të tjerë të mëdhenj, si: Imam Ibn Xherir et-Tabari, Imam Xhafer es-Sadik, Imam Lejth ibn Sa'd, Imam el-Euzai, e shumë prijës të tjerë, nga mendimi dhe lodhja e të cilëve ymeti arriti pasurinë më të madhe shkencore dhe intelektuale.

Ndoshta përjashtimi i vetëm nga kjo liri mendimi në Islam është pikërisht ajo periudhë e zezë gjatë së cilës Mu'tezilitë sunduan mbi disa drejtues të shtetit abasit, gjë që solli përballimin e mendimit divergjent me shpatën dhe zjarrin…".[11]
 
All-llahut Mëshirëplotë i lutem të na bëjë prej atyre që përfshihen në mirësitë e ajetit kur’anor: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani!"[12] dhe të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën e saj.
Atij i lutem, t’i ruajë gjuhët tona nga sprova e "qafirizimit" të vëllezërve tanë muslimanë, për një arsye a një tjetër dhe të na bëjë prej atyre që vishen më begatitë e ajetit kur’anor: [E mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”][13] All-llahumme Amin!  


Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Tophanës)
Shkodër, më 30 janar 2015


[1] Transmetuar nga Imam Tirmidhiu, hadith hasen.
[2] Mutte­fekun alejhi, dmth, i transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi njëherazi.
[3] H. Vehbi Sulejman Gavoçi, "Syneti  e bidati", Shkodër, 1994, f. 47.
[4] Kur'ani: 18:104.
[5] Shih fjalorin arabisht-arabisht, "El-mu'xhemul-arabijjul-esasi", i përgatitur nga një grup prej gjuhëtarëve të mëdhenj të arabishtes, nën udhëzimin e Organizatës Arabe për Edukim, Kulturë dhe Shkencë, f. 1046. (pa vit e vend botimi).
[6] Tahir N. Dizdari, “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2005, f. 782.
[7] Prof. Dr. Muhammed Ravas Kalahxhi, “Fjalor i gjuhës së juristëve islamë”, botimi i dytë, Bejrut, 2006, f. 351.
[8] Shejkh Ahmed Keftaro, "Morali i dialogut dhe divergjencës", në revistën "Edukata islame", Prishtinë, nr. 72, f. 165.
[9] Transmetuar nga Tirmidhiu etj, si dhe Hakimi që e ka shpallur si sahih.
[10] El-Habib Ali El-Xhifir, “Kundër tekfirit -8-“, https://www.facebook.com/alhabibali.
[11] Shejkh Ahmed Keftaro, "Morali i dialogut dhe divergjencës", në revistën "Edukata islame", nr. 72, f. 162- 163.
[12] Kur'ani: 3:103. 
[13] Kur'ani: 4:94.

 


Mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”
Mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”