Kryetari i KMSh,
vizitë pune në Myftininë e Shkodrës
27 janar 2015
Ditën e martë, më 27
janar 2015, Kryetari i Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, z. Skender
Bruçaj, i shoqëruar nga kancelari i
KMSh, z. Ylli Cikalleshi dhe nga
myftilerët e nderuar: Ylli Gurra (Myfti
i Tiranës dhe Kryetar i KP) Agim Duka
(Myfti i Elbasanit), Redin Quku (Myfti i
Durrësit) dhe Besnik Leçini (Myfti i
Kavajës), zhvilluan një takim pune në
Myftininë e Shkodrës, ku u pritën nga
Myftiu i Shkodrës dhe stafi i Myftinisë.
Imam Muhamed Sytari, pasi i uroi
mirëseardhjen në Shkodër, Kryetarit të
KMSh dhe delegacionit shoqërues, bëri
një prezantim të aktivitetit të
Myftinisë Shkodër, duke theksuar rolin
që ka ruajtja e frymës së progresit në
prezantimin e mesazheve të pastra të
besimit dhe fesë islame në shoqëri.
Vizitorët u njohën edhe me disa nga
objektivat e Myftinisë Shkodër për vitin
2015, si vit jubilar i përkujtimit të 25
vjetorit të rihapjes së Xhamisë së
Plumbit, më 16 nëntor 1990.
Një rezume të aktivitetit arsimor dhe
kulturor në xhamitë e Shkodrës e bëri
edhe teologu Arben Halluni, që nëpërmjet
statistikave, tregoi për gjendjen e
xhamive dhe kurseve fetare, që organizon
Myftinia Shkodër në to.
Pas kësaj vizite, Kryetari i KMSh, së
bashku me myftilerët e nderuar, falën
namazin e mesditës në xhaminë e re te
"Dy Vajzave", ku zhvilluan edhe një
vizitë në ambientet e saj, të shoqëruer
nga imami i kësaj xhamie, teologu
Lavdrim Hamja.
Më pas, në një drekë të gjatë pune, u
diskutua për një sërë çështjesh, që
lidhen me aktivitetitn e secilës Myftini
dhe strategjitë për të ardhmen e afërt
dhe të largët, në rrugën e prezantimit
me dinjitet në sferat e ndryshme të
jetës dhe shoqërisë shqiptare.
Ndërkohë, Kryetari i KMSh dhe
delegacioni shoqërues, falën namazin e
iqindisë në xhaminë e Plumbit, ku imami
i saj, H. Mithat Myftija, bëri një
prezantim të historikut dhe momenteve më
të spikatura të kësaj xhamie ndër vite.
Një vizitë interesante ishte edhe ajo në
ambientet e gjurmëve të xhamisë së
Qafës, bri xhamisë së Plumbit.
Kjo vizitë pune, vjen në kuadër të një
nisme të re takimesh të larmishme në
myftini të ndryshme të Shqipërisë, që
Kryetari i Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, filloi
sot në Shkodër.