“Pastaj, nga ata erdhën breza,
që thonin atë që nuk e vepronin…”
23 janar 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të Vetëm të gjithësisë, i Cili e
krijoi njeriun në formën më të bukur, e
pajisi me mendje dhe e udhëzoi mendjen
me anë të dërgesave profetike dhe
shpalljeve hyjnore.
Salavatet dhe selamet më të përzemërta,
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë zotërisë tonë, Hz. Muhammedit
(a.s), i cili thoshte: “Cilido popull,
në mesin e të cilit veprohen veprat e
ndaluara, të cilat kanë mundësi t’i
ndryshojnë dhe nuk i ndryshojnë, do t’i
përfshijë All-llahu me një ndëshkim”.[1]
Të nderuar vëllezër dhe
motra,
Realitetet, me të cilat përballet sot
bota e jonë në përgjithësi dhe, shoqëria
e jonë islame në veçanti, i përngjet një
labirinthi të errët, ku njeriu hyn dhe
ngelet peng i hutimit, i humbjes së
kohës, i dështimit dhe i moskonkurimit
për të arritur më të mirën në jetë, duke
e jetuar atë sipas udhërrëfimit hyjnor,
me të cilin Zoti e ka begatuar jetën
tonë.
Shoqëria e jonë islame sot, po përballet
me tendencat e asimilimit, tjetërsimit,
ndryshimit të identitetit, ndryshimit të
kulturës dhe çrrënjosjes së vlerave
islame, me të cilat të parët tanë jetuan
në paqe, harmoni dhe begati, me natyrën,
me njeriun (cilindo njeri), me veten
(duke dëshmuar paqen e brendshme me
Zotin) dhe gjithçka përreth.
Dekadat e fundit, po bëhen përherë e më
shumë më të egra me muslimanin shqiptar,
atë evropian dhe në mbarë botën, duke i
ofruar atij modele dhe shembuj, që nuk
janë as mund të jenë bashkudhëtarë me
botën e tij, me shpirtin e besimit dhe
vlerat e Islamit.
Ditë pas dite, shoqëria e jonë islame,
po përballet me një propagandë sa të
fshehur aq të dukshme, në thelbin e së
cilës është frika nga Islami dhe
tendenca për ta paraqitur atë si një
fenomen keqbërës e të kobshëm, që për
shekuj e paska ngërthyer për fyti
shqiptarin, duke ia marrë frymën atij,
duke ia zbehur forcën dhe dritën e
shpirtit. Por, kjo nuk është e vërtetë!
Është qesharake!
Ditë pa dite, po dëgjojmë thirrje
patetike dhe analiza plot patos, në të
cilat flitet rreth dëmeve që Islami i ka
sjellë popullit tonë, kombit tonë dhe
rrezikut të madh që i kanoset
kontinentit tonë nga vërshimi i tij
drejt zemrës së Evropës së lashtë!?
Karshi kësaj fushate të vjetër, sa
vjetërsia e jetës mbi tokë dhe sa
lashtësia e thirrjeve profetike dhe
dërgesave hyjnore, individit musliman në
shoqërinë tonë, në parantezë, secilit
prej nesh, i del për detyrë, që të
kontrollojë veten e tij, ta marrë për
dore drejt udhëzimit dhe më pas të
kalojë tek tjetri, me këshillë dhe
urtësi, në rrugën e rregullimit të asaj
që është prishur dhe që ka për tendencë
të degradojë në tjetërsim.
Këtë ndërmarrje besimi dhe udhëzimi,
secili ta bëjë siç thotë Imam Gazaliu:
[Transmetohet se All-llahu i Madhëruar i
shpalli Hz. Isait (a.s): “O Isa,
këshilloje nefsin tënd, nëse ai e pranon
këshillën, këshillo edhe njerëzit,
përndryshe, të kesh turp prej Meje!”][2]
Të nderuar vëllezër dhe
motra,
Përhapja në masë në realitetet shqiptare
e alkoolit, trashëgimi i veseve më
negative nga periudha e ateizmit, si:
gënjeshtra, mashtrimi, prerja në besë,
smira, përgojimi në masë, egoizimi i
sëmurë, sharja me shenjtëritë e fesë
(për fat të keq akoma vazhdojmë të
dëgjojmë aty-këtu), betimi në krijesat e
Zotit, jo në Madhninë e Tij, kopracia,
imoraliteti, zhveshja e femrës në emër
të modave dhe etiketave të kohës,
mosfalja e namazit, mosagjërimi,
mosleximi i Kur’anit, mosmësimi i dijeve
elementare të fesë, mosthellimi në dije
e shkencë, privimi nga dhënia e zekatit,
mosbërja e dhikrit në formë të
përditshme (në shtëpi, xhami, punë
etj.), zbrazja e shtëpive nga salavati,
tehexhudi, namazi i natës e lutjet në
sexhde, ndalimi i fëmijëve për të
ndjekur mësimet e besimit a shfaqjes së
etiketës islame dhe moralit të
përkushtimit, kamata, rushfetet etj,
janë një alarm i madh për besimtarët,
për krejt shoqërinë tonë!
Ato janë një ftesë për të kthyer
vëmendjen drejt një urdhërese të hershme
islame, të zbritur në Kur’an, të
porositur nga Resulull-llahu (a.s), të
zbatuar nga sahabët dhe brezat pas tyre,
shekull pas shekulli: Urdhërimi për të
mirë dhe ndalimi i të keqes në jetë!
Në Kur’anin Famëlartë, Zoti urdhëron:
“(O Muhammed) Merre të lehtën, urdhëro
për mirë dhe largohu prej të
padijshmëve.”[3]
Poashtu urdhëron: “Nga ju le të jetë një
grup që thërret në atë që është e
dobishme, që urdhëron për punë të mbara
dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë
ata të shpëtuarit.”[4]
Në komentimin e këtij ajeti, Imam Razi
në tefsirin e tij, tërheq vëmendjen, se:
“Pjesa: “Nga ju le të jetë një grup”,
nuk ka për qëllim veçimin e një grupi të
caktuar, për dy arsye: E para: sepse
All-llahu ia ka obliguar krejt ymetit
urdhërimin për mirë dhe ndalimin e të
keqes, në ajetin 110 të sures Ali Imran,
ku thotë: “Ju jeni populli më i
dobishëm, i ardhur për të mirën e
njerëzve, urdhëroni për mirë, ndaloni
nga veprat e këqija dhe besoni në
All-llahun”. Së dyti: Çdo i ngarkuar me
obligueshmëritë e adhurimeve (mukelef),
e ka për detyrë të urdhërojë për të mirë
dhe të ndalojë nga e keqja, me dorën e
tij, me gjuhën e tij ose me zemrën e
tij, sikurse secili e ka për detyrë të
largojë të keqen nga vetja. Nëse është
kështu, themi se: kuptimi i këtij ajeti
është: Bëhuni thirrës drejt të mirës,
duke urdhëruar për të mirë dhe duke
ndaluar të keqen…”[5]
All-llahu i Madhëruar i ka cilësuar
besimtarët, si njerëz që janë pranë
njëri-tjetrit, të dashur në mes vete, të
lidhur me mirësitë e besimit, në
mbrojtje të kësaj shoqërie të lartë
besimi, sipas kuptimeve të ajetit 71 të
sures Teube, ku thotë: “Besimtarët dhe
besimtaret janë të dashur për
njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë,
ndalojnë nga e keqja, e falin namazin
dhe japin zekatin, respektojnë
All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të
tillët do t'i mëshirojë All-llahu.”[6]
Ndërsa Resulull-llahu (a.s), thoshte:
“Çdo profeti, që All-llahu ka dërguar në
ymetin përkatës, para meje, i ka dhënë
nga ai popull përkrahës dhe shokë, që
ndiqnin traditën e tij dhe e zbatonin
fjalën e tij. Pastaj, nga ata erdhën
breza, që thonin atë që nuk e vepronin
dhe që vepronin atë për të cilën nuk
urdhëroheshin. Kushdo që i ndalon ata me
dorën e tij, është besimtar! Kushdo që i
ndalon ata me gjuhën e tij, është
besimtar! Kushdo që i ndalon ata me
zemrën e tij, është besimtar! E pas
kësaj, nuk mbetet më as sa një kokërr
meli, besim!”[7]
Po, të dashur vëllezër dhe motra, sepse
sikurse kanë thënë edhe dijetarët tanë:
“kur muslimanët e lanë pas dore këtë
obligim dhe e neglizhuan zbatimin dhe
përkujdesjen ndaj tij, u kushtoi përçmim
e nënshtrim, humbje dhe devijim. U
zvogëluan në sytë e të huajve dhe u
sulmuan në shtëpitë e tyre! Popujt u
vërsulën drejt tyre si egërsira drejt
kafshatës së saj të lehtë e të njomë për
dhëmbët!”[8]
Prandaj, detyra e secilit është të jetë
i vëmendshëm në respektimin e fesë së
All-llahut, në veten e tij, në familjen
e tij, në fëmijët e tij, në shoqërinë e
tij, duke vlerësuar urdhëresat me
zbatimin e tyre dhe duke iu nënshtruar
Zotit në ndalesat e Tij, duke u larguar
dhe distancuar prej tyre!
Zoti na faltë e na udhëzoftë dhe mos e
bëftë asnjerin prej nesh “të vdekur në
mesin e të gjallëve”, për të cilin, kur
u pyet sahabiu i nderuar Hudhejfe
ibnul-Jemani (r.a), tha: “Ai që nuk e
ndalon të keqen, as me dorën e tij, as
me gjuhën e tij dhe as me zemrën e tij!”[9]
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dërgutit)
Shkodër, më 23 janar 2015
[1] Transmetuar nga Ebu Davudi, nga
Ebu Bekri (r.a).
[2] Imam Ebu
Hamid El-Gazali, “Ihjau Ulumiddin”,
botimi i parë, Bejrut, 2000, vëll. II,
fq. 384.
[3] Kur’ani,
El-A’rafë: 199.
[4] Kur’ani, Ali
Imran: 104.
[5] Imam
Fehrudin Razi, “Et-Tefsirul-Kebir”,
botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. VIII-
të, fq. 145.
[6] Kur’ani,
Et-Teube: 71.
[7] Transmetuar
nga Imam Muslimi, nga Abdullah ibni
Mes’udi (r.a).
[8] Dr. Mahmud
Akkam, “Sebilul-ma’ruf”, botimi i parë,
Haleb, 1996, fq. 14.
[9] Imam Ebu
Hamid El-Gazali, vep. e cit., fq.
383.