Trajnim shkencor
për imamë të Myftinisë Shkodër
17 janar 2015
Paraditen e së
shtunës, më 17 janar 2015, në ambjentet
e Universitetit “Bedër”, Komuniteti
Mysliman i Shqipërisë (Drejtoria e
Burimeve Njerëzore), në bashkëpunim me
Qendrën e Studimeve Islame të
Universitetit “Bedër”, organizuan
trajnimin me temë “Islami dhe komunikimi
në publik”, me grupin e parë të imamëve
të Myftinisë Shkodër.
Në këtë trajnim morën pjesë nënkryetari
i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z.
Bujar Spahiu, drejtori i Burimeve
Njerëzore, z. Dorian Demetja, kryevaizi
i Shqipërisë, Lauren Luli, drejtori i
Qendrës së Studimeve Islame në
Universitetin “Bedër”, z. Atakan
Derelioglu etj.
Aktiviteti shkencor u çel me këndimin e
disa ajeteve kur’anore nga studenti
indonezian, Zarfi Rizal.
Drejtori i Qendrës së Studimeve Islame,
z. Atakan Derelioglu, falënderoi imamët
për pjesëmarrjen dhe hodhi dritë mbi
vlerën dhe rëndësinë e komunikimit në
botën e teknologjisë.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë z. Bujar Spahiu në fjalën e
tij foli për vlerat e thirrjes në Islam
dhe dallimet midis kumtimit dhe
thirrjes. “Kumtimi është një tërheqje
vemëndjeje dhe një rrugë për shpëtim,
një përgjegjësi që realizohet me fjalë
dhe vepra”- tha z. Bujar Spahiu.
Kryevaizi i Shqipërisë, z. Lauren Luli u
ndal tek rëndësia e këtyre trajnimeve
dhe format e kumtimit. “Profeti (a.s)
kumtimit të Islamit i jepte një rëndësi
të veçantë. Mendoj se këto seminare do
të jenë tepër me vlerë për të përmbushur
mangësitë tona, që ta përcjellim sa më
qartë mesazhin hyjnor”, u shpreh ai.
Ndërkohë, në fjalën e tij, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, tha se
thirrja në Islam duhet të karakterizohet
nga urtësia dhe mirëpërdorimi i mjeteve
të saj, që lidhen edhe me rrethanat.
Myftiu theksoi se është me rëndësi të
madhe të kuptohet niveli intelektual i
njerëzve me të cilët komunikojmë dhe i
ftojmë drejt vlerave të fesë tonë.
“Imami duhet të ketë elasticitetin e
komunikimit, si dhe të njohë mirë
rregullat e urtësisë dhe mentalitetin
dominues në shoqëri”, tha Myftiu.
Arti i të folurit në publik u trajtua
nga përgjegjësi i Departamentit të
Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan
Çipuri. Ai foli mbi metodikat e të
shprehurit dhe përcjelljes me sukses të
mesazhit tek publiku. “Improvizimi i
çastit në dhënien e mesazheve fetare nuk
është shumë i sygjeruar. I
parapregadituri është ai që ndikon më
shume dhe e përcjell mesazhin më qartë”,
tha ndër të tjera Çipuri.
Gjatë trajnimit, përgjegjësi i
Departamentit të Shkencave Islame, Dr.
Selman Kuzu foli mbi metodikat e
thirrjes në Islam. “Shembulli ynë për
kumtim fetar është Profeti (a.s). Ato që
ne themi duhet t’i nxjerrim nga
thellësia e zemrës, dhe në një mënyrë sa
më të sinqertë”, tha Kuzu.
Edhe Dr. Muhammed Muteveli, pedagog në
Universitetin “Bedër”, dha udhëzime mbi
metodat e kumtesës dhe karakteristikat e
kumtuesit.
Para mbylljes së këtij trajnimi, rektori
i U. “Bedër”, Dr. Ferdinand Gjana,
përshëndeti pjesëmarrësit dhe i informoi
ata në lidhje me Universitetin, arritjet
dhe objektivat e tij për të ardhmen.
Në fund u shpërndanë edhe certifikatat
përkatëse të këtij trajnimi plot dobi
dhe vlera intelektuale, shkencore dhe
teologjike.
Me përshtatje nga: www.kmsh.al