“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të gjithësisë. Atij, që i nënshtrohet secila krijesë, me a pa vullnetin e saj. Edhe ateistët dhe femohuesit, shohin me sytë, që Zoti ua krijoi, dëgjojnë me veshët, me të cilët, Ai i kompletoi, nuhasin me hundën, që Ai vendosi në qeniet e Tij, për të dalluar erërat nga njëra-tjetra, shqiptojnë me gjuhët e tyre, me të cilat Zoti i bëri të thonë atë që duan, kur dhe si të duan, sipas një logjike, që buron nga mendja, me të cilën Zoti përsosi qenien njerëzore.
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta, ia dërgojmë zotërisë tonë dhe të mbarë njerëzimit, Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit mëshirë dhe udhëzim për tanësinë, i cili thoshte për veten e tij: “Jam lënduar sa nuk është lënduar njeri…”.[1]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra,
 
Ne vazhdojmë të përjetojmë momente të mrekullueshme shpirtërore, në këtë muaj të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), muaj në të cilin, më shumë se herët e tjera, ftohemi të rifreskojmë bisedat tona fetare, ligjëratat, vaset dhe hytbet tona, rreth personalitetit dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s).
           
Ndoshta, trysnia e ditëve të fundit ndaj Islamit dhe muslimanëve, e dëshmuar pas ngjarjes së Parisit, po bëhet përherë e më shumë një nxitës i mirë, për t’u thelluar secili prej nesh, përherë e më shumë, në vërtetësitë e fesë islame, për të parë e për të kuptuar, për të ndjerë e për të shijuar madhështinë e këtij Islam, me të cilin, All-llahu na udhëzoi, duke na nxjerrë nga errësira e padijes dhe afetarizmit, drejt dritës së dijes, frikës dhe dashnisë ndaj All-llahut, pasimit të traditave të Hz. Muhammedit (a.s) dhe dëshmimit të paqes së brendshme, në raport me Zotin, me veten dhe me tjetrin.
           
Gjatë këtyre ditëve, të gjithë jemi lënduar nga etiketimet e pavërteta në hak të fesë tonë dhe personalitetit të muslimanit. Terma të tillë si: “terrorizmi islamik”, “Islami opium për popujt”, “o muslimanë: shkoni andej nga keni ardhur”, “nuk ju duam në Evropë” etj, shoqëruar me djegien e disa xhamive dhe lëndimin fizik të disa muslimanëve të pafajshëm në Evropë (pa përmendur vrasjen, torturimin, vjedhjen dhe grabitjen e tyre në vende të Afrikës, në Lindje të Mesme a në Azinë e largët), na kanë befasuar dhe tronditur jashtë mase.

Të gjithë jemi lënduar, kur qarqe të ndryshme afetare dhe islamofobe, rinxorën në dritë të ashtuquajturat “karikatura”, karikaturat perverse, disa vite pas botimit të tyre në një gazete xhahile, që nuk mund të kishte as të ketë asnjë lidhje, as me fenë, as me qytetërimin, as me lirinë e fjalës e të shtypit!

Fillimisht, kjo që ka ndodhur në perëndim me fenë dhe simbolikat fetare (pikërisht fenë dhe simbolikat e tyre), të ngjall neveri dhe keqardhje. Njëkohësisht, histeria e padijes, mllefi historik dhe dekadenca morale e shpirtërore e disa perëndimorëve ka arritur deri aty sa të tallë e të satirizojë vetë shenjtëritë e tyre! Këta, në fakt, nuk kanë fé, sepse feja prodhon moral! Një popull që nuk ka shenjtëri, sado të pretendojë liri dhe demokraci, në vetvete është një popull meskin, i sëmurë, që meriton mëshirën tonë dhe lutjet më të mira për udhëzimin e tyre! Kjo është më e pakta e obligimit që kemi si njerëz, për njëri-tjetrin!
Po lexoja dje në faqen zyrtare të gazetës italiane: “Corriere della sera”, ku ndodhet një video e Papës aktual, i cili po mban një bisedë në aeroplan, gjatë fluturimit të djeshëm. Thotë: “Është e vërtetë se nuk mund të ketë reagime të dhunshme, por nëse dr. Gaspari, një mik i madh, më thotë ndonjë fjalë fyese kundër nënës time, e pret një grusht dhe kjo është normale. Është normale. Nuk mund të provokohet, nuk mund të fyhet feja e tjetrit! Nuk mund të tallet feja!”[2]

Befasimi i madh ishte, kur lexova (edhe ju mund ta verifikoni këtë fare lehtë), reagimet e disa katolikëve italianë, të cilët nuk lanë fyrje e sharje, ofendim e shfaqje zhgënjimi kundër Papës së tyre, se tha këto fjalë të vërteta e krejt normale?! (Do të dëshiroja që edhe drejtuesit e Kishës Katolike në Shkodër, ta kishin përvetësuar këtë udhëzim papnor dhe këtë thirrje logjike, sidomos para provokimit të 26 dhjetorit 2014, provokim që meritonte “grushtin e Papës”, sepse simbolet fetare janë nanë e babë!)

E përmenda faktin e mësipërm, atë të fjalës së Atit të Shenjtë të botës katolike, (si një pikë e fortë referimi e një pjese të Evropës) dhe komentet ofenduese që e pasuan, sepse feja, në perceptimin dhe këndvështrimin tonë islam, është rregullator i jetës, ekuilibrues i mendimit, mbrojtës i dinjitetit njerëzor, respektues i simboleve fetare të tjetrit!

Tek ne muslimanët, feja nuk është objekt tallje, as nishan qitjeje për ata që shenjestrojnë me padijen e tyre, a mendësitë e tyre (për ne , të sëmura), Zotin, profetët, kultet, Librat e shenjtë!? Në Kur’anin Famëlartë, Zoti urdhëron: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij).”[3]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra,
 
Historia e Thirrjes së Shenjtë Islame, është e mbushur me momente lëndimi, sharje dhe fyrje, me të cilat është përballur vetë i Dërguari i All-llahut (a.s), sahabët e tij, familja e tij, besimtarët. Por, ajo që duhet të kuptojë secili prej nesh gjatë leximit të këtyre momenteve të dhimbshme, është qëndresa dhe mospërkulja përpara presioneve të kohës. Dhe modeli më i mirë në këtë pikëpamje, është vetë Resulull-llahu (a.s). Ngjarja e mëposhtme, është vulë në këtë pikë.

Tranmseton Imam Tabaraniu etj, nga Akil ibn Ebi Talib (r.a), që thotë: “Kurejshët erdhën tek Ebu Talibi dhe i thanë: “O Ebu Talib, djali i vëllaut tënd, ka nisur të vijë në oborret dhe lagjet tona, duke folur për gjëra që na dëmtojnë. Po munde ta largosh prej nesh, bëje!”

(Ibn Akili thotë:) Më tha (Ebu Talibi): “Shko e ma kërko djalin e axhës tënd (pra, të Dërguarin e All-llahut)!”

Shkova dhe e gjeta në një kasolle tonën. Teksa ecnim, ai synonte hijet, mezi ecte, derisa mbërritëm tek Ebu Talibi, i cili iu drejtua Resulull-llahut (a.s): “O djali i vëllaut tim, pasha All-llahun, unë e di se ti je njeri që më bindesh. Populli yt kanë ardhur dhe më janë ankuar se ti shkon para Qabes dhe në lagjet e tyre dhe u flet për gjëra, prej të cilave ata lëndohen. Po munde, hiq dorë prej kësaj punë!”

(I Dërguari i All-llahut), ngriti sytë nga qielli, pastaj tha: “Pasha All-llahun, unë nuk mund të largohem nga kjo thirrje për të cilën jam dërguar, po aq sa mund të ndezë ndonjëri prej jush një pishtar nga ky diell. O axhë, nëse do më vinin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time, nuk do ta braktisja këtë thirrje, derisa të triumfojë, ose të vdes në rrugën e realizimit të këtij qëllimi!”, pastaj, iu drodh zëri dhe nisi të qante (a.s).

Ebu Talibi tha: “Pasha All-llahun, nipi im nuk ka gënjyer kurrë! Kthehuni mbrapsht!” Dhe iu drejtua të Dërguarit të All-llahut: “O djali i vëllaut tim, vazhdo punën tënde dhe vepro ç’të duash, se pasha All-llahun nuk të dorëzoj kurrë!”[4]

Por, përtej këtij fakti, lëndimet, sharjet dhe ofendimet e mushrikëve mekas, hebrenjve të Medines etj, ishin të shumta në hak të Pejgamberit (a.s) dhe Thirrjes së tij. Ato, akoma vazhdojnë dhe sërish do të nxjerrin kokë. E, karshi këtij fakti, ne si muslimanë duhet të dijmë se Zoti i gjithësisë e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë Vulën e të Dërguarve të Tij, gjatë jetës dhe pas largimit të tij fizik nga kjo botë. Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne lutemi të jemi prej atyre, që me urtësinë e traditave profetike, ta mbrojnë dhe ta prezantojnë si duhet presonalitetin e hz. Muhammedit (a.s) në jetën e përditshme.
           
Në Kur’anin Famëlartë, All-llahu i Madhëruar, urdhëron dhe thotë: “Edhe me të dërguarit para teje kanë bërë tallje. Porse Unë atyre që nuk besuan u pata dhënë afat, pastaj i ndëshkova (me dënim), e çfarë dënimi që ishte!”[5]
           
Në lidhje me kuptimin e këtij ajeti, në tefsirin e tij, Imam Ibni Kethiri, thotë: “I Madhëruari i drejtohet në këtë mënyrë të Dërguarit të Tij, duke ia marrë me të mirë hatrin, ndaj atyre që e përgënjeshtruan nga populli i tij: “Edhe me të dërguarit para teje kanë bërë tallje”, pra, ti ke një shembull të mirë në të dërguarit para teje”.[6]
           
Ndërsa Imam Fehrudin Razi, sqaron se: “Resulull-llahu (a.s) lëndohej nga fjalët e tyre fyese, kështu që All-llahu ia zbriti këtë ajet si qetësim dhe nxitje për të duruar para fodullëkut të popullit të tij… Dhe dije se Unë do të hakmerrem ndaj atyre femohues, sikurse jam hakmarrë edhe nga ata që ishin para tyre”.[7]

Në shpjegimin e pjesës së fundit të këtij ajeti: “e çfarë dënimi që ishte”, Imam Kurtubiu, thekson: “E pe sesi veprova me tallësit e profetëve para teje, ashtu do të veproj edhe me mushrikët e popullit tënd”.[8]

E gjithë kjo, sepse Resulull-llahu (a.s), sikurse transmetohet nga sahabiu i nderuar Mikdad ibnul-Esved (r.a): “u dërgua në më të vështirin realitet, në krahasim me profetët e tjerë, në periudhën e injorancës… ”.[9]

Në realitetet që jetojmë, kur dikush mundohet të fajësojë Islamin dhe muslimanët për atë, që nuk ka lidhje as me Islamin, as me muslimanët, duhet të na kumbojë i fortë premtimi hyjnor: “S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”.[10]

Ndërsa ne, si muslimanë, e kemi për detyrë të kthehemi përherë e më shumë nga feja e jonë, duke kuptuar se nuk mund të kemi të sotme, as të ardhme, as ne dhe as fëmijët tanë, vetëm se me Islamin tonë, me të cilin na ka nderuar All-llahu dhe na ka lartësuar në këtë botë.

Ne duhet të punojmë e të dëshmohemi të gatshëm për të bartur amanetin e Thirrjes Islame, këtu ku jemi dhe nesër në Evropë, sepse sipas dëshmive të dijetarëve të shquar të kohës dhe përllogaritjes së ngjarjeve dhe ndodhive të ndryshme, me të cilat jemi rrethuar, ky shekull është shekulli i Islamit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 16 janar 2015


[1] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Enesi (r.a).
[2] http://video.corriere.it/papa-non-si-puo-prendere-giro-fede-altri/aec4c568-9cc7-11e4-8bf6-694fc7ea2d25
[3] Kur’ani, El-En’am, 108.
[4] Shejkh Muhammed Jusuf El-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i VI-të, Damask, 1993, vëll. I- rë, fq. 264-265.
[5] Kur’ani: Er-Ra’d, 32.
[6] Një grup dijetarësh nën kujdesin e Shejkh Safijurrahman El-Mubarekfuri, “El-Misbahul-munir fi tehdhibi tefsir Ibni Kethir”, Kuvajt, pa vit botimi, fq. 690.
[7] Imam Fehrudin Razi, “Et-Tefsirul-Kebir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. XIX- të, fq. 44.
[8] Muhammed ibn Ahmed El-Ensari El-Kurtubi, “El-Xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëll. IX- të, fq. 331.
[9] Transmetuar nga Ebu Nuajmi në “El-Hilje” (1/175), si në veprën e Shejkh Muhammed Jusuf El-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i VI-të, Damask, 1993, vëll. I- rë, fq. 263.
[10] Kur’ani, El-Hixhr, 95.

 


“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”
“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”
“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”
“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”
“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen…”