Ja Resulall-llah, o simbol i Paqes,
o Mëshirë e dhuruar…

Thonë se qielli pa yje, në netë të errëta idhnake, si dita pa diell, në një mot gjëmimesh, në ditë të hirta, si netë pa yje… U them, bota pa Dritën tënde, si tanësia pa njerinë, ja Resulall-llah…
 
Sa herë bie nata, pelerinë  e heshtjes, kur botën në qetësi mbulon, diku larg në horizonte, zëri i trungut të hurmës, që për ty digjej në lotët e ndarjes, ende dëgjohet.., në mirazhe malli, drejt Dashnisë Tënde, ja Resulall-llah…
 
Më thonë t’u flas për Ty, për mallin Tënd… Po a ka ujë Dashnie, që pastër nga burimet e qiellit, si rreze Drite zbret, ta lajë zemrën, t’i japë abdest të përzgjedhurish, emrin Tënd ta shqiptojë, veshur me petk malli, ja Resulall-llah..? 
 
Mundohem të hap dyert e historisë, të kapem diku në një cep të pelerinës tënde, të bëhem dëshmitar… Dua të bëhem dëshmitar, bota të dëgjojë! Dua të bëhem dëshmitar, besa të jetojë, brez pas brezi, si zinxhir Nuri, kapur pas vështrimeve Tuaja plot Butësi Edukatori, ja Resulall-llah..!
 
Ti, zotëria im, qëndron ulur nën hijen e flladeve, që plagët e lënduara, me bekime mëshironjëse të shërojnë… Me duart lart nga qielli, në lutje, ëmbël nxjerr dritë zemre: “O Zoti im, nëse Ti nuk je i zemëruar me mua, asgjë nuk ka rëndësi..!”
 
Diku larg, të parët e Taifit dhe pasuesit e tyre, gëzojnë në hutinë e tyre, të lumtur nga sharja, fyerja e goditja… Ende mbajnë gur në duar, në zenit të paragjykimit… Ata të kanë lënduar, zotëria i humanizmit… 
 
Tashmë, shijojnë lirinë në dhimbjen tënde, ndërsa Ti lartësohesh në krahët e Pëlqimit hyjnor, që fatet e tyre t’i ka lënë në dorë… E Ti, buzëqesh në fytyrën e lajthitjes së tyre dhe vendos, në madhështinë e Mëshirës Tënde, që ata të jetojnë, lirshëm të rrugëtojnë drejt kaderit të tyre, me gurë në duar…
 
Bijtë e tyre, do ta lartësojnë Zotin Një dhe, me emrin Tënd të bukur, salavate lavdesh, drejt hapësirave të pendimit, gjithnjë do të dërgojnë…
 
Dhe nga ajo ditë, liria e të hutuarit, vazhdon të përplaset për brigjet e Madhështisë Tënde, duke u thyer në dëshpërim, si dallgë të zemëruara deti në dimërim…
 
Ja Resulall-llah, o simbol i Paqes, o Mëshirë e dhuruar, që qytetin e gurëve sfidove, me lutjen e Mallit Tënd për shekujt plot Teuhid…

Muhamed B. Sytari
Shkodër, 14 janar 2015

 


Ja Resulall-llah, o simbol i Paqes, o Mëshirë e dhuruar…