Ja Resulallah!
Njerëzimi sot ka më shumë nevojë për ty...
12 janar 2015
Një ndjesi e veçantë
shpirtërore të jesh në Xhaminë e
Profetit (a.s.), aty ku fjalët
gjunjëzohen para ndjenjave. Në ato
momente ke ndjesinë e shkëputjes nga
ligësitë e kësaj bote, larg rutinës së
zakonshme, më afër shpirtërores.
Si mund të ndodhë ndryshe kur je në
prezencën shpirtërore të më të Dashurit
të zemrave tona, të udhërrëfyesit të
njerëzimit, të dritës së pashuar, që
ndriçoi zemrat dhe mendjet tona, tek ai
që erdhi si mëshirë për mbarë botët, tek
ai që ishte shembulli më i lartë i
moralit që kishte parë dhe do shikonte
njerëzimi...
Keqardhje për të gjithë ata njerëz që
nuk e kuptuan siç duhet mesazhin hyjnor
që solli ai.
Keqardhje për të gjithë ata njerëz të
vegjël që me veprimet e tyre jo të
hijshme pretendojnë se mund të vënë hije
mbi personalitetin e tij.
Ai është si dielli për të gjithë
myslimanët, dhe siç nuk mund ta shuajnë
dritën e diellit me frymë, ashtu s'mund
ta shuajnë respektin dhe dashurinë që
myslimanet kanë për të.
Ja Resulallah! Njerëzimi sot ka më shumë
nevojë për ty, për mesazhin tënd, për
shembullin tënd.
Allahu na bëftë prej ndjekësve të
sinqertë të traditës tënde, prej umetit
tënd të nderuar dhe të denjë për
shefatin (ndërmjetësimin) tënd në Ditën
e Gjykimit!
Amin...
Skender
Bruçaj
Kryetar i Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë
Medine, 12 janar 2015