“Nuk ka zot tjetër pos All-llahut”!
09 janar 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë Zotit të Vetëm dhe të
Pashoq, Krijuesit të gjithësisë, i Cili
e krijoi njeriun në formën më të
përsosur dhe i dhuroi atij mendjen, më
të mrekullueshmen dhunti.
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë,
dhe në çdo ditë, zotërisë tonë, Hz.
Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë
dhe butësi për mbarë krijesat: “Juve ju
erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i
vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse
është lakmues i rrugës së drejtë për ju,
është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për
besimtarët”.[1]
Selamet e dashnisë tonë ia dërgojmë Hz.
Muhammedit (a.s), që na paralajmëronte
se: “Po afrohet koha që popujt të
vërsulen drejt jush nga çdo cep, si
egërsirat drejt ushqimit të tyre…”[2]
duke na bërë të kuptojmë se realitetet e
sotme, janë thjeshtë reflektime të
largimit tonë nga origjina e besimit dhe
praktikës së tij.
Të nderuar vëllezër dhe
motra,
Në realitete të ndryshme, kur njeriu bie
në dilemë, nga situata konfuze, që
krijohen para syve të tij, ose në raste
kur ai përballet me ofendime, sharje,
mallkime e lëndime, në hak të fesë së
tij dhe familjes së tij të madhe islame
në mbarë botën, lypset një tërheqje në
paqe drejt zemrës.
Kjo tërheqje, shërben që njeriu të pyes
veten: A jam unë ky që thonë? A është
kjo feja ime? A është ky realitet dhe
këto ofendime, realisht korrekte në
hakun tim si musliman i vetëdijshëm për
fenë dhe shpirtin e saj dhe të vetë fesë
sime? A jam unë i urdhëruar të vras
njerëz që mendojnë ndryshe nga unë, që
besojnë ndryshe nga unë, që nga padija
mund edhe të tejkalojnë disa kufij të
shenjtë për mua, në një shoqëri
multikonfesionale dhe multikulturore, që
drejtohet nga ligje të caktuara dhe
kuvendohet nga një rend konkret? A jam
unë dhunues, fytyrë mrrolur, mallkues,
ofendues? A kam unë të drejtë të reagoj
ndaj padrejtësive në hakun tim dhe asaj
që unë besoj dhe si duhet të reagoj?
Në këtë vorbull pyetjesh dhe dilemash (a
të ngjashme me to), sidomos në këto
ditë, kur mbarë bota dënon me të drejtë
aktet terroriste të vrasjeve me
gjakftohtësi të një redaksie të tërë
gazetarësh (pa marrë parasysh modelin që
ata kishin vendosur të ndiqnin në
profesionin e tyre dhe përtej bindjes
(kjo është një temë debati në vete),
fetarizmit a afetarizmit të tyre. Përtej
analizave të holla, mendimeve, ideve a
komenteve lidhur me ngjarjen, shkaqet,
nxitjen a pasojat e saj), muslimani
duhet të ndal pak hovin e ditës, të ulet
dhe të qetësohet.
Në një reflektim të denjë për
personalitetin e tij, të çojë ndër mend
transmetimin e sahabiut të nderuar
Sheddad ibn Aus (r.a), thotë: Ishim tek
i Dërguari i All-llahut (a.s), kur tha:
“A ka ndonjë të huaj në mesin tuaj?”
Thamë: Jo, o i Dërguar i All-llahut!
Atëherë, urdhëroi që të mbyllej dera dhe
tha: “Ngrini duart dhe thoni: La ilahe
il-lall-llah!” Ne i ngritëm duart për
disa momente, pastaj i Dërguari i
All-llahut e uli dorën e tij dhe tha:
“All-llahumme, Ti më ke dërguar mua me
këtë fjalë, më ke urdhëruar ta përhap
atë dhe më ke premtuar për të,
xhennetin. Ti nuk e thyen premtimin!”
Pastaj tha: “Sihariq për ju, All-llahu
ju ka falur!”[3]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Në momente të caktuara, njeriu duhet të
rikthehet në forcën e fshehur të
besimit, atë që qëndron në burim të
zemrës dhe shpirtit të tij, që teksa ai
përpëlitet në duart e sprovave dhe
dilemave të kohës, një zë i fortë dhe i
pastër nga brenda i thërret: “Ti je
musliman, je krenar para krejt botës me
besimin dhe fenë tënde, me kulturën dhe
modelin tënd qytetar! Ti je ndjekës i
dijes së pastër që buron nga i
Gjithëdituri! Ti je falës, në gjurmët e
kërkimit të faljes së Falësit! Ti je i
urtë, pasi ke pirë nga burimet e
urtësisë, që zanafillën e kanë tek
sekretet e emrit “El-Hakim”! Ti je i
pastër, në zemër, në trup, në mendime,
rrugëtues drejt kërkimit të bekimeve
hyjnore për të pastrit! Ti je…”
Hadithi i lartpërmendur është një
thirrje e sinqertë, për çdo musliman, që
herë pas here, të kthehet në
origjinën e besimit të tij dhe të
lartësojë me të madhe, nga thirrja e
zemrës dhe e shpirtit: “La ilahe
il-lall-llah” – “Nuk ka zot tjetër pos
All-llahut”!
Sepse kjo është thirrja, që mbledh
zemrën e besimtarit dhe e rikthen në
origjinën e besimit, teksa realiteteve
dhe islamofobisë së pakuptimtë të kësaj
kohe, duke i vështruar në sy, i thotë:
Unë jam musliman, pasues i Muhammedit
(a.s), i cili na ka mësuar se: “Fjala e
fundit që kanë zënë njerëzit nga
profetësia e parë është: Nëse nuk ke
turp, vepro ç’të duash!”.[4]
Ai thoshte se: “Shenjat e hipokritit
janë tri: kur flet gënjen, kur premton
nuk e mban premtimin dhe kur zihet në
besë, të tradhton”.[5]
Po ashtu, na ka udhëzuar: “Frikësoju
All-llahut kudo që të jesh, pasoje të
keqen me një të mirë që ta fshish atë
dhe sillu me njerëzit me moral të mirë!”[6]
dhe: “Kijeni frikë All-llahun dhe jini
të drejtë me fëmijët tuaj!”.[7]
Si mund të jem musliman i denjë për
Islamin tim, nëse nuk rrugëtoj drejt
mësimeve të tij (a.s), teksa thotë:
“Ruajuni padrejtësisë, sepse padrejtësia
shumëfishohet në ditën e kiametit”[8]
apo: “Ruajuni padrejtësisë, sepse
padrejtësia shumëfishohet në ditën e
kiametit. Ruajuni koprracisë, sepse
koprracia ka shkatërruar ata që ishin
para jush, i ka nxitur të derdhin gjakun
dhe të legjitimojnë të ndaluarat”.[9]
Jam gjakftoftë përballë provokimeve të
ulëta, të cilat, në rastin e duhur i
kthej me urtësi dhe argument, sepse
përpiqem të zbatoj porosinë e tij (a.s):
“Largohu nga nervozizmi!”.[10]
“Nëse ke bërë ndonjë të keqe, pasoje me
një të mirë”[11],
thoshte i Dërguari i All-llahut dhe e
pasonte me fjalën e tij: “Kur të
nervozohet ndonjëri prej jush, nëse
është në këmbë, le të ulet, nëse akoma
nuk qetësohet, le të shtrihet”[12]
për të evituar çdo lloj konflikti drejt
të cilit mund të provokohet muslimani në
jetë!
Muslimani nuk është arrogant, sepse në
mësimet e Profetit (a.s) thuhet: “Më të
mirët besimtarë, janë më të sjellshmit e
tyre”[13] si dhe:
“Besimtarët me besim më të plotë janë më
të sjellshmit dhe më të mirët ndër ju
janë më të sjellshmit me gratë e tyre”.[14]
All-llahut Mëshirëplotë i lutem të na
bëjë prej atyre që thellohen në dije, që
udhëzohen në mësimet e të Dashtunit të
Zotit, prej atyre që e dëgjojnë fjalën
dhe veprojnë më të mirën e saj.
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur
në xhaminë e fshatit Domën)
Shkodër, më 9 janar 2015
[1] Kur’ani, Teube:128.
[2] Transmetuar
nga Imam Ahmedi, nga Theubani (r.a).
[3] Transmetuar
nga Hakimi, Ahmedi, Tabaraniu dhe Ibni
Hibbani.
[4]Ibni Asakir
në “Tarikh”, nga Ebu Mes’ud El-Bedri
(r.a). (Thotë Imam Mennavi në
“Fejdul-Kadir”: “Ka thënë El-Kadi:
Kuptimi i këtij hadithi është, se ajo
çfarë ka mbetur nga profetët e mëparshme
dhe është ruajtur, është se turpi është
frenuesi nga veprimi i veprave të
pështira…”. – Shih: “Fejdul-Kadir”,
botimi I, Bejrut, 1996, vëll. I, fq.
62).
[5] Bukhariu,
Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[6] Ahmedi në
“El-Musned”, Tirmidhiu, Hakimi në
“El-Mustedrek”, Bejhekiu, nga Ebu Dherri
(r.a). Etj.
[7]Bukhariu dhe
Muslimi, nga Numan Ibni Beshir (r.a).
[8]Ahmedi në
“El-Musned”, Tabaraniu në “El-Kebir”.dhe
Bejhekiu në “Shuabul-iman”.
[9]Ahmedi në
“El-Musned” dhe Muslimi, nga Xhabiri
(r.a). (Thotë Imam Mennavi në
“Fejdul-Kadir”: “Padrejtësia lind nga
errësimi i zemrës, sepse nëse njeriu do
të dritësohej me dritën e udhëzimit, do
të largohej nga vërshimi drejt
padrejtësisë. Në një transmetim nga Ibni
Mes’udi (r.a), thuhet: “Zullumqarët do
të merren dhe do të vendosen në një
tabut (arkivol) prej zjarri, pastaj do
të gjuhen në të (pra, në xhehnem)”…”). –
Shih: “Fejdul-Kadir”, botimi I, Bejrut,
1996, vëll. I, fq. 175).
[10]Ibni
Ebid-Dunja dhe Ibni Asakir, nga një
sahabi.
[11]Hakimi dhe
Bejhekiu në “Shuabul-Iman”, nga Ibni
Amri (r.a).
[12]Ahmedi në
“El-Musned”, Ebu Davudi dhe Ibni Hibbani
në “Sahihun” e tij, nga Ebu Dherri
(r.a).
[13]Ibni Maxheh
dhe Hakimi, nga Ibni Omeri (r.a).
[14]Tirmidhiu
dhe Ibni Hibbani në “Sahihun” e tij, nga
Ebu Hurejra (r.a).