Tribuna fetare: "Shembulli dhe Mëshira
e Hz. Muhammedit (a.s)"
03 janar 2015
Ditën e shtunë, më 12
rebiul-evel 1436, që korespondon me
datën 3 janar 2015, në ditën e
përkujtimit të Lindjes së Begatë të
Hazreti Muhammedit (a.s), Myftinia
Shkodër ka nisur serinë e aktiviteteve,
në përkujtim të mesazhit dhe
personalitetit të Vulës së dërguarve të
All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s).
Pas namazit të mesditës, në xhaminë e re
të “Dy Vajzave”, është organizuar një
tribunë fetare për motrat muslimane, me
temë: “Shembulli dhe Mëshira e Hz.
Muhammedit (a.s)”.
Aktiviteti ka nisur me një historik të
shkurtër të xhamisë së re dhe shkakut të
emërtimit të saj, si “Xhamia e Dy
Vajzave”, në kujtim të dy studenteve
kuvajtiane, që humbën jetën në një
aksident automobilistik.
Më pas, teologia Ferzet Ndoja, ka folur
mbi shembullin e mëshirës së Hz.
Muhammedit (a.s), në raport me njerëzit
dhe mbarë krijesat e Zotit. Në fjalën e
saj, vaizja e nderuar ka hedhur dritë
mbi disa aspekte të kësaj mëshire, duke
vënë theksin te nevoja që ka sot
shoqëria shqiptare për të reflektuar
modelin e humanizmit dhe mëshirës së të
dërguarit të All-llahut, në jetë.
Në ligjëratën e dytë, teologia Zamira
Bushati, ka folur mbi nevojën që ka
studimi i jetës së Profetit Muhammed
(a.s), si një ftesë hyjnore, që nxit
besimtarët për të pasur shembullin më të
mirë në jetë, atë të Hz. Muhammedit
(a.s). Në ligjëratën e saj, ka hedhur
dritë edhe mbi vlerën që ka shtimi i
salavatit në jetë, si një garanci
suksesi dhe mirësie për praktikuesit e
tij.
Aktiviteti ka vijuar me recitime dhe
lutje, të zhvilluara me xhemat, që kanë
krijuar emocione të bukura dhe kënaqësi
shpirtërore, të dëshmuar në mesin e
besimtareve të pranishme në xhami.
Në fund të aktivitetit, për të
pranishmet është shpërndarë broshura e
re e botuar nga Myftinia Shkodër, me
rastin e Mevludit të sivjetshëm.