“Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im…”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit Fuqiplotë, i Cili, dashurinë e Tij për njeriun e dëshmoi edhe nëpërmjet dërgesës së pejgamberëve dhe mbështetjen e tyre me anë të Librave të zbritur.
           
Salavatet më të përzemërta, ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë, më të mirit të krijesave të Zotit, zotërisë tonë, Hazreti Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë dhe udhëzim për mbarë njerëzimin.
          
Të dashur vëllezër dhe motra,
           
Kur’ani Famëlartë, tërheq vëmendjen e besimtarëve, për të mos rënë në nivelin e atyre, në mesin e të cilëve ishte dërguar Hz. Muhammedi (a.s), të cilët e kishin refuzuar thirrjen e tij dhe e akuzonin me lloj-lloj shpifjesh, sikurse trillonin për të, lloj-lloj gënjeshtrash.

Në suren El-Mu’minune, në ajetin 69 dhe në atë që e pason, Zoti i Madhëruar thotë: “Apo, mos nuk e njohin të dërguarin e tyre (Muhammedin), prandaj e refuzojnë? - Apo mos thanë për të se është i çmendur? Jo, por ai ka ardhur me të vërtetën, e shumica e tyre e urrejnë të vërtetën.”.[1]

Këto dy ajete ftojnë bashkëkohësit e Hz. Muhammedit (a.s) dhe besimtarët, që ta njohin të dërguarin e tyre, të thellohen në këtë njohje, për të kuptuar përherë e më shumë mirësinë e madhe të dërgesës së tij (a.s) si udhëzim dhe mëshirë për gjithësinë.

(A nuk do të ishte e mrekullueshme, sikur secili prej nesh të lartësohej në gradën e kësaj marrëdhënie me të dërguarin e All-llahut, për të cilën ai vetë thotë: “Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im, janë një popull pas meje. Do të dëshironte ndonjëri prej tyre të jepte familjen dhe pasurinë e tij, vetëm të më shihte”.[2])

Komentatorët e dy ajeteve të mësipërme theksojnë se kjo thirrje është pikërisht që bashkëkohësit e tij dhe besimtarët: “ta njohin të dërguarin e tyre, për besën e tij, për sinqeritetin e tij, për moralin e tij të bukur”.[3]
           
Prandaj është e dobishme, që në momente të caktuara, aq më tepër kur vjen ky muaj i begatë në të cilin shënohet data e lindjes së tij (a.s), të tubohemi e të shtojmë aktivitetet e larmishme, nëpërmjet të cilave t’i përkujtojmë fillimisht vetes, pastaj të tjerëve, mirësinë e madhe, me të cilën u begatua kjo botë, ditën kur lindi Hz. Muhammedi (a.s). Sepse, “si do të ishte e ardhmja e arabëve (dhe e mbarë botës –shënim imi. M.S.-), sikur të mos lindej zotëria i jonë Muhammedi (a.s), por edhe sikur të lindej e të burrërohej, por të mos i zbriste revelata qiellore dhe të mos nderohej me bartjen e mesazhit hyjnor, fesë islame dhe Kur’anit?”[4].
           
Kur’ani pyet: “Apo mos thanë për të se është i çmendur? Jo, por ai ka ardhur me të vërtetën, e shumica e tyre e urrejnë të vërtetën”.[5] Po, sepse ata, kundërshtarët e tij “e dinin se ai ishte më mendjeploti, madje (për të hedhur poshtë idhujtarinë dhe veset para kohës së tij dhe për të përforcuar besimin në Një Zot), ai erdhi me fenë e qartë dhe me Kur’anin Famëlartë, ndonëse shumica e tyre e urrejnë të vërtetën, sepse ajo bie ndesh me epshet dhe veset e tyre”.[6]
           
Prandaj, të dashurit e mi, ta falënderojmë Zotin, që herë pas here, na vijnë këto ditë dhe këto muaj, si mundësi të shtrenjta, për të reflektuar secili në pasqyrën e zemrës së tij, në kërkim të dashurisë së Resulull-llahut (a.s), për të cilën thoshte: “Nuk do të besojë asnjëri prej jush, derisa të jem më i dashur për të sesa babai i tij dhe fëmija i tij”[7]
           
Në këtë shembull dashurie të pashembullt për Mësuesin, Edukatorin, Udhëzuesin dhe Dhuratën e Zotit për njerëzinë, sahabiu i nderuar Xhabir ibni Semura (r.a), tregon se një natë të dritshme me hënë të plotë, ai ishte takuar me Resulull-llahun (a.s). Rrëfen, se atë natë: “Resulull-llahu (a.s), kishte hedhur krahëve një pelerinë të kuqe. Nisa ta vështroj dhe të vështroj edhe hënën e plotë (bedër). Për mua, ai ishte më i bukur se hëna e plotë”.[8]
           
Ebu Hurejra (r.a) e përshkruan kështu, të Dërguarin e All-llahut: “Resulull-llahu (a.s) ishte i bardhë, si të ishte krijuar nga argjendi, me flokë të derdhur”.[9]
           
Sahabiu i nderuar Ibn Abbas (r.a) thoshte: “Resulull-llahu (a.s) i kishte dhëmbët e parë të ndarë, kur fliste shihej një si dritë, që dilte nga të çarat e dhëmbëve të tij”.[10]
           
Enesi (r.a), thoshte kështu: “Nuk kam shijuar erë amberi, misku dhe asgjë tjetër më të mirë sesa era e Resulull-llahut (a.s)! As kam prekur copë kadifeje a mëndafshi, më të butë sesa dora e Resulull-llahut (a.s)”.[11]
           
Ndërsa Xhabir ibni Abdil-lah (r.a), e përshkruan kështu Resulull-llahun (a.s): “Fytyra e tij (a.s) ishte si dielli dhe hëna, e rrumbullakët”.[12]

Në këtë kontekst, komentuesi i haditheve të shumta të librit të famshëm: “El-Xhamius-sagir”, të Imam Sujutit, Imam Mennavi në veprën e tij voluminoze, “Fejdul-Kadir”, tregon edhe për gjendjen shpirtërore të disa dijetarëve dhe adhuruesve të famshëm të kohës së tij, të cilët kishin krijuar një lidhje të pashembullt shpirtërore me Pejgamberin (a.s). Ndër të tjera ai përmend se: “Arif El-Mursi thoshte: “Pasha All-llahun, sikur të fshihej prej meje pamja e Resulull-llahut (a.s), sa hap e mbyll sytë, nuk do ta konsideroja më veten prej muslimanëve!”.[13]

Ndërkohë, Hoxha i jonë i dashur, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, në lidhje me këtë, thekson: “Shohim se ai Zotëri (a.s) e përmendi ditëlindjen e tij dhe na mësoi me e ditë atë ditë të bekuar.[14] Para qindra vjetësh dhe deri sot, ulematë në hadith, tefsir, fikh etj, kanë festuar dhe e festojnë ditëlindjen e Profetit (a.s). Kanë lexuar jetën e Profetit (a.s) në disa faqe të zgjedhura. Kanë lavdëruar cilësitë e tij, siç e ka lavdëruar Hassani përpara vetë Profetit (a.s), kanë rënë salavatë mbi Pejgamberin (a.s) me qindra herë…”.[15]
 
Të dashur vëllezër,

Sot, më shumë se asnjëherë tjetër, ne si muslimanë, duhet të përkujtojmë mirësinë e madhe të dhuratës hyjnore, me të cilën All-llahu Mëshirëplotë, e begatoi jetën tonë dhe të mbarë njerëzimit, teksa e vulosi dërgesën profetike me Hz. Muhammedin (a.s). Për këtë, Ai dëshmon në Kur’an: “Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre, dërgoi një të dërguar që atyre t'ua lexojë shpalljen e Tij, t'i pastrojë, t'ua mësojë Librin dhe Urtësinë, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur”.[16]

Këtë dhuratë hyjnore e zbukuroi edhe më shumë, kur na tregoi një prej cilësive më të spikatura të Hz. Muhammedit (a.s); faktin se ai u dërgua: “mëshirë për mbarë botrat”.[17] Vetë Resulull-llahu (a.s) thoshte për veten e tij: “Unë jam mëshirë e dhuruar”.[18]

Duke komentuar ajetin e lartpërmendur, Imam Razi në tefsirin e tij thekson: “Ai, alejhis-selam, ishte mëshirë në fé dhe mëshirë në këtë botë. Mëshirë në fé, sepse ai (a.s) u dërgua, ndërkohë që njerëzit jetonin në injorancë dhe humbje… I ftoi në të vërtetën, u shpjegoi atyre rrugët e shpërblimit dhe u qartësoi atyre vendimet, duke bërë dallimin në mes të hallallit dhe haramit. Mëshirë në këtë botë për faktin se ata shpëtuan për shkak të tij nga shumë poshtërime, luftra dhe vrasje, si dhe triumfuan për shkak të fesë së tij”.[19]

Hz. Muhammedi (a.s), thoshte për veten e tij: “Unë nuk jam dërguar mallkues, jam dërguar mëshirë”[20], sikurse na dëshmoi dashurinë e tij të madhe për ne, kur thoshte: “Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që mos të bien. Edhe unë mundohem t'ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart”.[21]

All-llahut Fuqiplotë i lutemi të na e shtojë dashninë e të Dërguarit të Tij në zemra, të na i gjallërojë ato me salavatin e përhershëm për zotërinë e bijve të Ademit dhe të na bëjë të qëndrueshëm në fenë e tij; ne, familjet tona, fëmijët tanë, trashëgimtarët tanë brez pas brezi, shoqërinë tonë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 2 janar 2015



[1] Kur’ani, El-Mu’minune: 69-70.
[2] Ahmedi në “El-Musned”, nga Ebu Dherri (r.a).
[3] Prof. dr. Vehbe Zuhajli, Muhammed Adnan Salim, Muhammed Bessam Rushdi Zejn dhe Dr. Muhammed Vehbi Sulejman, “El-meusuatul-Kur’anijjetul-mujessere”, botimi I dytë, Damask, 2002, fq. 347.
[4] Shejkh Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’anil’Kerim”, përgatitur për botim nga Zahir Ebu Davud, Damask, pa vit botimi, fq. 211.
[5] Kur’ani, El-Mu’minune: 70.
[6] Prof. dr. Vehbe Zuhajli, etj, vep. e cit., fq. 347.
[7] Transmetuar nga Imam Muslimi, nga Enesi (r.a). Marrë nga: “Mukhtasar Sahihul-Bukhari”, me përkujdesje shkencore nga Dr. Mustafa El-Bugha, botimi i 3-të, Damask, 1988, fq. 12.
[8] Hadithin e transmeton Imam Tirmidhiu, Mizziu dhe Bejhekiu. Marrë nga: Zejnull-llah ibn Abdurrauf El-Mennavi, “Er-Reudul-basim”, me studim dhe verifikim shkencor nga Dr. Muhammed Adil Aziza El-Kejjali, botimi i parë, Damask, 2000, fq. 36.
[9] Hadithin e transmeton Imam Tirmidhiu dhe Bejhekiu.
[10] Hadithin e transmeton Imam Tirmidhiu, Daremiu, Bejhekiu dhe Tabaraniu në “El-Kebir”.
[11] Hadithin e transmeton Imam Muslimi.
[12] HAdithin e transmeton Imam Muslimi.
[13] Imam Mennavi, “Fejdul-Kadir”, botimi I, Bejrut, 1996, vëll. I, fq. 649.
[14] I referohet hadithit: “Ajo është një ditë në të cilën unë kam lindur” - Transmetim i Imam Muslimit.
[15] Vehbi S. Gavoçi, “Njohuri rreth Kur’anit – Syneti e bidati”, Shkodër, 1999, fq. 125.
[16] Kur’ani, Al Imran: 164.
[17] Kur’ani, El-Enbija: 107.
[18]  Hakimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[19] Imam Fekhruddin Er-Razi, “Et-Tefsirul Kebir - Mefatihul-gajb”, botimi I, 1990, vëll. 22, fq. 199.
[20] Bukhariu në “El-Edeb” dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[21] Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabiri (r.a).

 


“Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im…”
“Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im…”
“Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im…”