Myftiu: “Hz. Muhammedi, edukatori i madh i tolerancës ndërfetare”
26 dhjetor 2014
Ditën e xhuma, më 26
dhjetor 2014, nga minberi i xhamisë së
Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, foli mbi vlerat e
përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz.
Muhammedit (a.s), që përkon me ditët e
para të muajit janar 2015.
Ai theksoi se vlerat e tolerancës
ndërfetare, me të cilat u dërgua Hz.
Muhammedi (a.s), janë një garanci e
madhe për mbarë botën, sidomos në ditët
e sotme.
Myftiu tha se këtë vit, përkujtimi i dy
prej burrave më të mëdhenj të
njerëzimit; Hz. Isait (a.s) dhe Hz.
Muhammedit (a.s), erdh shumë pranë
njëri-tjetrit, me gjithë debatet rreth
saktësisë së datës së parë. Ai tha, se
kjo koinçidencë, është njëkohësisht një
moment reflektimi për botën islame dhe
atë të krishterë, drejt respektimit të
ndërsjelltë, për të ndërtuar së bashku
ura lidhës në mesin e qytetërimeve dhe
paqes në botë, në harmoni dhe respekt
reciprok.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu dënoi
njëkohësisht edhe aktin e mbajtjes së meshës
të zhvilluar sot
paradite nga Famullia e Shën Shtjefnit,
Shkodër, në objektin që njihet si:
xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, në
kalanë Rozafa.
Myftiu tha: "Si do ju dukej sikur t'ju
ftoja me falë xhumanë, aty ku është
kisha, rrëzë kalasë, që dikur ishte teqe
bektashite?! Normalisht që nuk do ta
bëj, se nuk ka logjikë dhe nuk ma ndjen
zemra e s’ma pranon logjika" Dhe theksoi
se kjo meshë nuk duhej bërë në një vend
të tillë, përtej pretendimeve të sakta
se origjina e lashtë e këtij objekti ka
qenë kishë. Mirëpo, “askush nuk ka të
drejtë të cënojë simbolet fetare të
muslimanëve në emër të origjinave të
lashta, ne nuk do ta bënim, nuk e bëjmë.
Ky është një provokim që nuk e pranojmë
dhe nuk e tolerojmë”- tha Myftiu.
Njëkohësisht theksoi se vlerat e
harmonisë ndërfetare, duhen ruajtur dhe
nuk duhen cënuar nga asnjë sjellje e
pamatur dhe e papjekur e kujtdo, që
harron kufirin dhe cënon atë që nuk
është e tij!
“Shembujt e tolerancës dhe humanizmit
tonë gjatë shekujve, pikërisht këto
mësime, që vërtetojnë madhështinë e Hz.
Muhammedit (a.s) si edukator i
tolerancës, na bëjnë të ndjehemi krenar
për fenë tonë dhe të jemi përherë
promotorë të paqes, harmonisë dhe
tolerancës në mesin e besimtarëve dhe
besimeve të tjera. Shkodra ndjehet
krenare me diversitetin e saj fetar.
Detyra e prijësve fetarë, të cilësdo fe,
është të ndërtojë me maturi dhe urtësi,
ura lidhëse dhe paqe në shoqërinë e
tij.”- përfundoi Myftiu.