Hytbeja e parë e xhumasë,
në “Xhaminë e Dy Vajzave”
12 dhjetor 2014
Ditën e xhuma, më 12
dhjetor 2014, pas inaugurimit të xhamisë
më të re në Shkodër, e quajtur: “Xhamia
e Dy Vajzave”, u fal edhe namazi i parë
i xhumasë. Hytbeja e rastit u mbajt nga
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.
Në një atmosferë të mrekullueshme feste,
xhamia e re, nuk ishte e mjaftueshme për
besimtarët e shumtë, që kishin ardhur
për të ndarë kënaqësinë e kësaj dite të
paharruar.
Në hytben e tij të kësaj jave, Myftiu
foli mbi rëndësinë e bartjes së amanetit
të Thirrjes Islame, brez pas brezi, me
krenari dhe pa ndrojtje. Ai theksoi se
porositë e fundit, që Resulull-llahu
(a.s) i la sahabëve, pak ditë para se të
largohej nga kjo botë, janë njëkohësisht
edhe një amanet për secilin prej nesh.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu i Shkodrës
bëri thirrje që muslimanët të
respektojnë moralin dhe shpirtin e fesë
së tyre, duke u bërë thirrës drejt
vlerave islame për këdo e kudo. Ai tha
se fushatat e shumta të islamofobisë,
nuk janë asgjë tjetër vetëm se një
shtysë më shumë për secilin prej nesh,
për të jetuar dhe dëshmuar bukurinë dhe
mirësitë e fesë islame në jetën e
përditshme.
Myftiu falënderoi donatorët nga Kuvajti
për ndërtimin e kësaj xhamie të re, duke
theksuar se ndërtimi i saj është një
mirësi e madhe besimi që i shtohet
Shkodrës së vlerave islame, qytetit të
vjetër të minareve të shumta.
Njëkohësisht ftoi besimtarët që të jenë
frekuentues të rregullt të namazeve
ditore, duke u bërë dëshmitarë të
Islamit dhe adhurimeve të tij, ditë pas
dite.
Namazi i xhumasë së parë në Xhaminë e Dy
Vajzave, u drejtua nga studiuesi i
afirmuar i hadithit, Shejkh Mahmud
Abdulkadir Arnauti, djali i muhadithit
të famshëm me prejardhje nga trojet tona
në Kosovë, që jetoi, punoi dhe ndërroi
jetë në Damask të Sirisë.