"Xhamia e Dy Vajzave",
xhamia më e re në Shkodër
12 dhjetor 2014
U zhvillua sot
ceremonia e inaugurimit të xhamisë më të
re në qytetin e Shkodrës, e quajtur:
"Xhamia e Dy Vajzave". Në këtë ceremoni
nderonin me pjesëmarrjen e tyre:
Nën/Kryetari i KMSh, z. Ali Zaimi,
Kryetari i Komitetit Shtetëror për
Kultet, z. Ilir Hoxholli, Kryetari i
Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid
Cungu, Drejtori i AIITC, z. Ramiz Zekaj,
Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra, Myftiu
i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj,
Drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti
Kruja, Drejtori i Haxhit në KMSH z.
Hamdi Çurri, Drejtori i Medresesë "Haxhi
Sheh Shamia", z. Kujtim Dervishi,
drejtues të shoqatave të ndryshme
bamirëse, intelektualë e besimtarë të
shumtë.
Ceremonia u përshëndet nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, që
vlerësoi këtë ditë si një ditë bajrami
dhe gëzimi të madh për lagjen Shabanej
dhe mbarë qytetin e Shkodrës. Ai
falënderoi prezencën e z. Ahmed Al-Shaye
nga Kuvajti, donator dhe përfaqësues i
familjeve që ndihmuan në sponsorizimin e
kësaj xhamie, me ndërmjetësinë e
Institutit Shqiptar të Mendimit dhe
Qytetërimit Islam.
Nën/Kryetari i Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, z. Ali Zaimi, uroi që kjo
xhami të jetë një vatër besimi dhe dije
për lagjen dhe për mbarë qytetin e
Shkodrës. Ai uroi besimtarët edhe në
emër të Kryetarit, z. Skënder Bruçaj,
duke shprehur njëkohësisht edhe
vlerësimin që Komuniteti Mysliman i
Shqipërisë i ka dhënë ripërtëritjes së
infrastrukturës fetare në vend, pas
viteve '90.
Përshëndeti edhe Kryetari i Këshillit të
Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, që
vlerësoi se ngritja e institucioneve të
reja të kultit në Shkodër është një
mirësi e madhe dhe një tregues i besimit
dhe gjallërimit të jetës fetare në
qytetin tonë.
Nga ana e tij, Kryetari i Komitetit
Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli,
përmendi se Shkodra po kthehet në një
qytet, ku minaret e xhamive po e
zbukurojnë si duhet hartën e xhamive, që
dikur e bënin këtë qytet të tregohet me
gisht për vlerat e besimit dhe
qytetarisë islame.
Aktiviteti u zbukurua edhe këndimin e dy
ilahive nga nxënës të Medresesë "Haxhi
Sheh Shamia", dega djem.
Drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj,
vlerësoi këtë xhami si një dhuratë të
bukur për popullin musliman të Shkodrës,
në kuadrin e bashkëpunimeve në mesin e
institucioneve islame. Ai theksoi se nga
dita kur Hafiz Sabri Koçi mbajti hytben
e parë dhe drejtoi namazin e xhumasë së
parë në Shkodër, më 16 nëntor 1990 e
deri më sot, shumë xhami po e plotësojnë
përherë e më shumë nevojën e besimtarëve
për këto institucione të adhurimit.
Ceremonia u përshëndet edhe nga z. Ahmed
Al-Shaye, përfaqësues i familjeve
donatore nga Kuvajti. Ai tha se sot,
ndjehet shumë i gëzuar për këtë
inaugurim të xhamisë që mban edhe emrin
e vajzës së tij, Shehd, që së bashku me
shoqen e saj Sara, humbën jetën para
rreth dy vitesh, në një aksident të
dhimbshëm. Ai tha se kjo xhami është
edhe një shenjë e vëllazërimit që
muslimanët kanë në mes vete.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit,
të pranishmit morën pjesë në faljen e
xhumasë së parë në këtë xhami të re,
duke uruar njëri-tjetrin për këtë mirësi
të madhe.