Myftiu i Shkodrës,
vizitë në Ambasadën e Kuvajtit

Ditën e enjte, më 11 dhjetor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit, në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Myftiu pati një bashkëbisedim të ngrohtë me Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në vendin tonë, Shkëlqesinë e Tij, z. Najeeb Al-Bader.
 
Fillimisht, Myftiu shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e madh të ambasadorit Al-Bader, në afrimin e vlerave njerëzore dhe qytetëruese të vendit të tij me Shqipërinë dhe popullin shqiptar, sidomos nëpërmjet afrimit të investimeve të ndryshme bamirëse, në shumë fusha të jetës shqiptare.
 
Njëkohësisht, shprehu falënderimet e tij për koordinimin që z. Al-Bader i bëri vizitës së delegacionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në Kuvajt, nën drejtimin e Kryetarit, z. Skënder Bruçaj, në fillim të këtij muaji. Myftiu vlerësoi se kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për forcimin e marrëdhënieve në mesin e institucioneve dhe shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
 
Imam Muhamed Sytari vlerësoi gjithashtu rolin elitar të Emirit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jabeer Al-Sabah, në kultivimin e vlerave humane, në ndihmë të popujve dhe njerëzve në nevojë, në rang botëror. Ai theksoi se dëshmia më e mirë për këtë është vlerësimi që Sekretari i Përgjithshëm i OKB, z. Ban Ki-moon, i bëri Emirit të Kuvajtit, më 9 shtator 2014 në selinë e OKB në Nju Jork, duke i dhënë titullin e lartë: “Udhëheqës i Humanizmit”.
 
Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, z. Najeeb Al-Bader, vlerësoi vizitën e Myftiut të Shkodrës dhe theksoi se Shkodra ka një vend të veçantë në zemrën e tij, sikurse vlerësoi kulturën dhe vlerat e harmonisë dhe qytetarisë shkodrane.
 
Ambasadori Al-Bader theksoi se Shteti i Kuvajtit është i interesuar për të dhënë kontributin e tij në fusha të ndryshme të jetës në Shqipëri, në ndihmë të një populli vëlla dhe në kultivimin e vlerave të vërteta të humanizmit dhe bamirësisë, me të cilat karakterizohet populli i Kuvajtit.
 
Gjatë kësaj vizite u diskutua gjerësisht edhe mbi bashkëpunimin në drejtim të realizimit të disa projekteve të dobishme për Shkodrën, si rehabilitimi i plotë i Xhamisë së Plumbit etj.

 


Myftiu i Shkodrës, vizitë në Ambasadën e Kuvajtit
Myftiu i Shkodrës, vizitë në Ambasadën e Kuvajtit