Myftiu inspekton Kompleksin e ri Islam,
në prag të përurimit
10 dhjetor 2014
Ditën e mërkure, më
10 dhjetor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, zhvilloi inspektimin e
fundit në objektin e Kompleksit të ri
Islam të Shkodrës, në lagjen Shabanej,
në prag të përurimit.
"Xhamia e Dy Vajzave", te vakëfi i
Shaban Efendisë, afër sheshit të
Tophanës, është xhamia më e re në
qytetin e Shkodrës, që po bëhet gati të
hapë dyert e saj për besimtarët dhe
sidomos për të rinjtë muslimanë, që
pritet të jenë frekuentuesit e saj
kryesorë, duke marrë parasysh edhe
ambientet e reja shumëfunksionale të
saj.
I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i
donatorëve, z. Ahmed Al-Shaye, i cili ka
ardhur nga Kuvajti enkas për ceremoninë
e inaugurimit, që me mbarësinë e Zotit,
do të zhvillohet të xhumanë, më 12
dhjetor 2014.
Myftiu e ka falënderuar përzemërsisht z.
Al-Shaye për interesimin e madh dhe
vizitat e ndryshme në Shkodër, që ka
bërë gjatë punimeve të xhamisë, duke
vërtetuar sinqeritetin dhe përgjegjësinë
e amanetit të madh për ndërtimin me
sukses të kësaj xhamie të bukur e të
pastër. Njëkohësisht ka shprehur edhe
vlerësimet e tij për AIITC dhe
interesimin e vazhdueshëm të drejtuesit
të tij, z. Ramiz Zekaj, për finalizimin
e këtij projekti të dobishëm për
Myftininë e Shkodrës.
Pasi kanë vizituar ambientet e reja të
kompleksit të ri, Myftiu dhe z. Al-Shaye
kanë shprehur kënaqësinë e tyre për këtë
arritje, që është një dhuratë e sinqertë
besimi dhe vëllazërie njerëzore nga një
grup besimtarësh kuvajtianë për qytetin
e Shkodrës.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër ju fton
të merrni pjesë në faljen e xhumasë së
parë, që përkon me ceremoninë e
përurimit të Kompleksit të ri Islam:
“Xhamia e Dy Vajzave, Sara dhe Shehd”,
te vakëfi i Shaban efendisë, ditën e
xhuma, më 12 dhjetor 2014, ora: 11.00.