25 vjetori i lirisë së besimit, Myftiu nis takimet
Shkodër, 19 nëntor 2014
Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, mblodhi sonte, të
mërkurën, më 19 nëntor 2014 një këshill
të përbërë nga anëtarë të Këshillit të
Myftinisë, imamë dhe intelektualë, për
të diskutuar rreth përgatitjeve që i
paraprijnë festimit të 25 vjetorit të
rilejimit me ligj të lirisë së besimit,
që përkon me 16 nëntor 2015, datë në të
cilën përkujtohet ceremonia e rihapjes
së Xhamisë Plumbit, më 16 nëntor 1990.
Në këtë takim, Myftiu paraqiti
fillimisht disa mendime për organizimet
e ndryshme të përkujtimit të kësaj date
të shënuar për mbarë popullin shqiptar.
Ai theksoi se takimi i kësaj mbrëmje,
duhet të shërbejë si një fillim serioz
drejt përgatitjeve korrekte për festimin
e një date, që shënon një çerek shekulli
liri besimi në Shkodër.
Më pas, dëgjoi me vëmendje mendimet e
shumta dhe idetë e dhëna nga të
pranishmit në këtë takim: H. Fejzi
Zaganjori, shkrimtari Xhahid Bushati, z.
Mithat Myftija, z. Kujtim Dervishi, z.
Artur Tagani, z. Lavdrim Hamja, z. Naim
Drijaj, z. Admir Temja dhe z. Arben
Halluni.
Ata theksuan se kjo datë është e një
rëndësie të veçantë, jo vetëm për
Myftininë e Shkodrës, por në rang
kombëtar, pasi shënon përfundimin e një
periudhe të errët femohimi dhe ateizmi
zyrtar dhe nisjen e një epoke të re në
respektimin e të drejtave të njeriut në
Shqipëri, ku liria e besimit ka një vend
të shenjtë.
U theksua gjithashtu se ky këshill do të
zgjerohet në funksion të realizimit të
ideve dhe projekteve që dalin prej tij,
në rrugën e përkujtimit të merituar të
kësaj date dhe këtij viti jubilar.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër fton të
gjithë besimtarët dhe dashamirët e saj,
që të kontribuojnë materialisht në
ndihmë të projekteve të shumta, që
presin të marrin jetë në funksion të
konkluzioneve të këtij takimi të parë në
prag të fillimit të vitit 2015, që do të
jetë një vit i veçantë aktivitetesh për
Myftininë Shkodër.