Myftiu: “Dhe u bëtë më mirësinë e Tij, vëllezër!”

Nga minberi i xhamisë "Ebu Bekër", ditën e xhuma, më 7 nëntor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka folur mbi vlerat e vëllazërisë islame dhe rolin që muslimanët duhet të kenë në shoqëri.
 
Myftiu kërkoi nga besimtarët që të afrohen më shumë me njëri-tjetrin, të lënë mënjanë dasitë e shkollave, xhemateve, medh'hebeve a mendimeve teologjike, drejt një bashkëpunimi më të madh dhe një organizimi më origjinal, drejt një pranie më të madhe në jetën e përditshme dhe shoqëri. “Pluralizmi i mendimit i përkthyer në analiza e komente rreth çështjeve të ndryshme të fesë tonë, është mirësi prej Zotit. Ai nuk duhet të jenë asnjëherë element përçarje në mesin tonë… Në komunikimin dhe marrëdhënien tonë me njëri-tjetrin, ne duhet t’i përkujtojmë vetes ajetin 103 të sures Ali Imran: “… dhe u bëtë me mirësinë e Tij, vëllezër!”. Këtë vëllazëri, secili prej nesh duhet me e pasë në bebe të syrit!”- tha në fjalën e tij.
 
Myftiu bëri gjithashtu thirrje për t'u distancuar nga të gjitha thirrjet që shfrytëzojnë besimin dhe fenë për interesa të ngushta politike a përtej saj.
 
Në fund të hytbes së kësaj xhumaje Myftiu u lut: “I lutem All-llahut me e fuqizu prezencën e muslimanëve në këtë tokë e në këtë vend, për t’u dëshmuar drejtësia, mirësia, pastërtia e sinqeriteti, për t’u dëshmuar vullneti i shkëputjes nga haramet dhe korrupsioni.”
 
Hytbeja e sotme ishte e treta radhazi, që Myftiu mbajti në xhaminë “Ebu Bekër”, si pjesë e një cikli trejavor ligjëratash nga minberi i kësaj xhami.

 


Myftiu: “… dhe u bëtë më mirësinë e Tij, vëllezër!”
Myftiu: “… dhe u bëtë më mirësinë e Tij, vëllezër!”