Myftiu: “Hz. Husejni,
shembull i gjallë për rininë islame!”
Shkodër, 31 tetor 2014
Nga minberi i xhamisë
"Ebu Bekër", ditën e xhuma, më 31 tetor
2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed
Sytari, ka folur mbi stacionet historike
të ditës së Ashurasë, si një datë e
shënuar në kalendarin hënor.
Myftiu ka theksuar se kjo ditë, mbart në
vetvete shumë mesazhe, që lidhen me
besimin dhe respektin e tij, lidhjen
shpirtërore të profetëve me
njëri-tjetrin dhe forcën e adhurimit në
jetën e besimtarit.
Duke u ndalur tek ndodhitë e Ashurasë,
Myftiu ka folur edhe mbi personalitetin
e Hz. Husejnit (r.a), nipit të dashur të
Hz. Muhammedit (a.s). Ai ka theksuar se
në jetën e Hz. Muhammedit (a.s) janë
shumë momente të bukura që dëshmojnë
dashurinë e tij për dy nipat, Hasanin
dhe Husejnin.
Njëkohësisht ka përmendur se në ditën e
Ashurasë, në vitin 61 hixhri, ka ndodhur
një ndër krimet më të shëmtuara të
historisë së 15 shekujve të fundit,
martirizimi i Hz. Husejnit (r.a) dhe
familjarëve të tij, në fushën e
Qerbelasë, bri lumit Eufrat.
Duke rrëfyer momentet më të dhimbshme të
kësaj ndodhie të rëndë, Myftiu theksoi
se Hz. Husejni (r.a) është përherë një
shembull inspirimi për rininë muslimane
dhe këdo që dëshiron të kuptojë se
Islami ka ardhur për të forcuar bazat e
lirisë, dinjitetit njerëzor, drejtësisë
dhe sakrificës për mbrojtjen e
shenjtërive në jetë.
“Duhet kuptuar se lëvizja e Nipit të
dashur të Pejgamberit tonë, nga Medineja
drejt Kufes, nuk ishte për qëllime
përfitimesh materiale të kësaj bote, por
një përpjekje e pathyeshme për t’i
thënë: “JO” zullumeve të shumta të
kohës, në rrugën e ndreqjes së tyre.
Martirizimi i Hz. Husejnit, është në
vetvete një mesazh për secilin prej
nesh, për të luftuar me sa të kemi
mundësi me të keqen në jetë, me haramet
dhe padrejtësitë, që e kanë degraduar
shoqërinë tonë dhe rrugëtimet e saj.
Prandaj, të gjithë, në një formë a një
tjetër, kemi nevojë për shpirtin e
Husejnit (r.a) në jetën tonë, në
thirrjen tonë, në aktivitetin tonë” – ka
thënë Myftiu gjatë hytbes së tij.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu ka ftuar të
pranishmit dhe krejt besimtarët që ta
agjërojnë ditën e hënë, më 3 nëntor
2014, ditën e Ashurasë, si një traditë e
dobishme e Hz. Muhammedit (a.s).
Hytbeja e sotme ishte e dyta radhazi që
Myftiu mban në xhaminë “Ebu Bekër”, si
pjesë e një cikli hytbesh tre-javor.