Gjallërimi i jetës fetare,
Myftiu mbledh imamët e qytetit
Shkodër, 28 tetor 2014
Pasdrekën e së
martës, më 28 tetor 2014, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi
një takim pune me imamët e qytetit. Në
këtë takim pune, Myftiu diskutoi me
imamët e pranishëm nevojën e gjallërimit
të jetës fetare në xhamitë e qytetit të
Shkodrës dhe përtej tyre, si dhe kërkoi
angazhim maksimal në shërbimet e tyre
plot përkushtim, në rrugën e gjallërimit
të xhamive dhe jetës fetare në to.
Në këtë takim u diskutua edhe për nismën
e re të lëvizjes së hatibëve të qytetit
në xhamitë e qytetit, duke nisur nga e
xhumaja e ardhshme dhe deri në fund të
vitit diellor 2014. Myftiu theksoi se
kjo nisëm, do të ketë vlerat e saj, duke
bërë të mundur lëvizjen dhe qarkullimin
e imamëve nga njëra xhami në tjetrën, në
rrugën e forcimit të harmonisë dhe
bashkëpunimit në mesin e muslimanëve të
Shkodrës dhe përhapjes së mesazheve të
pjekura nga minberet tona.
Myftiu kërkoi nga imamët që datat e
shënuara fetare, ngjarjet dhe
personazhet e qytetërimit islam
shqiptar, të jenë objekt vlerësimi edhe
në hytbet e xhumasë. Me këtë rast,
Myftiu iu referua muajit nëntor, ku
theksoi se në këtë muaj, duhet vlerësuar
personaliteti dhe kontributi i Haxhi
Vehbi Dibrës dhe i hoxhallarëve të
shquar atdhetarë, kontributi i të cilëve
fshihet, si të mos ishin ata që realisht
ishin; udhëheqësit shpirtërorë të kombit
shqiptar!
Myftiu tha se gjurma e Myftiut të madh
të shqiptarëve, që firmosi fetvanë e
formimit të shtetit të ri shqiptar, nuk
mund të fshihet nga asnjë politikë
tjetërsimi! Njëkohësisht tha se me
rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë, të
gjithë ishim dëshmitarë sesi u
anashkalua emri i nderuar i Haxhi Vehbi
Dibrës nga pushtetarët e vendit dhe
institucionet tona.
Në këtë takim kishte edhe diskutime
rreth larmisë së mundshme të aktivitetit
islam, ku imamët mund të japin
kontributin e tyre në shërbim të vlerave
islame, si me ligjërata, shkrime e
përkthime, si dhe në emisionin e ri të
Myftinisë Shkodër në Radio Jehona, “Ora
e xhumasë”.