Mbyllni sytë për pak dhe përfytyrojeni veten në krah të Pejgamberit (a.s)…
Shkodër, 24 tetor 2014
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Mbyllni sytë për pak
dhe përfytyrojeni veten tuaj në krah të
Pejgamberit (a.s), atë ditë kur nisi
rrugëtimin e tij të gjatë e të
rrezikshëm për jetën dhe misionin e tij,
nga vendlindja e shtrenjtë, Meka, drejt
Jethribit, Medines së Ndriçuar me
nuranijetin e tij...
Mendojeni këtë për pak, teksa sillni
ndër mend fjalën e tij të transmetuar
nga Ibni Omeri, në librin e saktë të
Imam Bukhariut, teksa u thoshte sahabëve
të tij: "Ata, që më së shumti më duan
mua nga ymeti im, janë disa njerëz, që
do të jepte ndonjëri prej tyre familjen
dhe pasurinë e tij, për të më parë"!
Bëjeni dhe pyesni zemrën tuaj sesa hise
të këtij citimi ka brenda saj? Sa hise
të kësaj dëshmie të shtrenjtë dhe
rrugëtimi drejt kësaj dashurie të
sinqertë e ndërtuese, ka secili prej
nesh, që pretendon sot dashninë reale të
Hz. Muhammedit (a.s)?
Për pak, mendojeni veten si Ebu Bekri,
besniku sakrifikues, që teksa i lotonin
sytë nga shqetësimi për jetën e të
Dërguarit, i drejtohej me butësinë e të
dorëzuarit para duarve të Edukatorit:
"Nuk kam frikë për veten, o i Dërguar i
All-llahut, por frikësohem të vritesh
ti!..."
Mendojeni veten në postin e Aliut trim,
besnik e sakrifikues, që teksa mushrikët
mekas vërsuleshin për ta vrarë, aty, në
shtratin e Pejgamberit, ku ai ishte
shtrirë në pritje të këtij momenti,
burrërisht dhe me krenarinë e Islamit,
ishte i gatshëm të sakrifikohej, që
Resulull-llahu të jetonte, ai dhe
misioni i tij global...
Mendojeni veten tuaj në postin e Omerit,
besnikut trim, që teksa thërriste me të
madhe, në zemër të Mekës (kur të gjithë
kishin frikë të dëshmonin Islamin nga
frika për jetën), se po emigronte në
rrugën e dashnisë së All-llahut dhe të
Dërguarit të Tij, kishte vendosur të
jepte edhe jetën e tij, që Pejgamberi
dhe sahabët të ndjeheshin të qetë nga
presionet femohuese.., që ata, qetësisht
të dilnin haptas me thirrjen e tyre,
duke kaluar pragun e frikës dhe
ndrojtjes…
Mendojeni veten në postin e sahabëve të
shumtë, mbi hurmat e Medines, që prisnin
me padurim ardhjen e Zotërisë së bijve
të Ademit, për të dëshmuar toka dhe
qielli: "Taleal Bedru alejna…" - "Hana e
Plotë u shfaq ndër ne…", për të nisur
bashkarisht një proces të dritshëm
ndërtimi, të një jete të re, mbi bazat e
shëndosha të fesë dhe udhëzimit të
pastër hyjnor, nga burimi më i pastër
dhe origjina e tij; Hz. Muhammedi (a.s)…
Mendojeni veten në postin e Ebu Ubejdes,
që teksa rrëzohej përtokë martir, aty,
në fushën e Uhudit, me dy duart e prera
dhe flamurin e Islamit, që nuk e
lëshonte nga gjoksi, thërriste në frymën
e fundit: “Muhammedun Resulull-llah…” –
“Muhammedi është i Dërguar i
All-llahut…”
Bëjeni për pak momente, teksa qetësisht
reflektoni mbi këtë datë të shënuar të
kalendarit islam, me sytë e mbyllur dhe
zemrën e kthyer nga kibla e dashnisë,
Hz. Muhammedi (a.s), origjina e mirësive
dhe Prijësi i Zgjimeve të mëdha…
Sonte nuk është festë, festat tona janë
të përcaktuara! Sonte është ditë dhe
natë reflektimi, për të lexuar në
heshtje meditive atë që ishim dhe për të
parë me thellësi se ku jemi dhe si jemi
transformuar, nga heshtja e gjatë e
padobishme, nga toleranca e verbër vend
pa vend dhe nga neglizhenca aktive ndaj
fesë dhe ndjenjës fetare, zbehja e
thirrjes së besimit në jetën tonë… Për
të vështruar drejt së ardhmes, por duke
e ditur se ku dhe si duam të jemi,
bazuar mbi këto thirrje të largëta
lavdie dhe krenarie legjitime!
E gjithë bota sot, kanë axhendat e tyre,
ne e kemi një të tillë? Të gjithë bëjnë
llogaritë e tyre, me të drejtën e lirisë
së veprimit dhe shprehjes së saj, ne e
bëjmë llogarinë tonë, atë të fëmijëve
dhe të ardhmes së tyre, atë të
komunitetit tonë dhe forcës së tij dhe
lulëzimit të udhëzimit hyjnor, me të
cilin jemi brumosur ne dhe familjet
tona? Të gjithë punojnë për qëllimet e
tyre, ne ku jemi vallë?
Dostojevski, tek “Vëllezërit Karamazov”,
rrëfen për rikthimin e Jezusit dhe
gjykimin e inkuizitorëve. Në përballjen
e tij me kryegjyqtarin famëkeq, ky i
fundit i drejtohet të rikthyerit: “Këta
që të rrethojnë, nesër do të jenë
kundërshtarët tuaj më të flaktë”…
Ndoshta, në fantazitë e romancierit, kjo
duket si një dritë shprese për
rivendosjen në vend të një drejtësie të
mbuluar nga pluhuri i injorancës dhe
heshtjes vrastare të shekujve.
Ndërkohë, Abbas Mahmud El-Akkad,
mendimtari i shquar egjiptian, pyet: “Po
sikur të rikthehej Muhammedi (a.s) dhe
të shihte realitetet tona?!”
Në fakt, Zotëria i jonë, nuk kthehet më
në këtë botë, ndryshe nga vëllau i tij,
Hz. Isai (a.s), të cilin Zoti e mbrojti
nga komploti i izraelitëve dhe Juda
Askarjotit, duke e lartësuar të gjallë,
në mbrojtjen e Tij, për t’u rikthyer në
tokë në një moment që vetëm Ai e di…
Në fakt, ne nuk do të presim rikthimin e
Hz. Isait (a.s), për të na tërhequr
vëmendjen drejt udhëzimit të saktë dhe
drejt dyerve të traditave të pastra të
vëllaut të tij të vogël, Muhammedit
(a.s)!
Në fakt, ne duhet të lëvizim dhe të mos
humbim kohën; të dëshmohemi individë të
fuqishëm për të tejkaluar sëmundjet e
kohës dhe viruset vrastare të saj..! Të
dëshmohemi të gatshëm për të hyrë në
shkollën e Hixhretit, për të dëshmuar e
sotmja dhe e ardhmja e jonë për dashninë
tonë dhe vullnetin e patjetërsueshëm për
të qenë pjesë e Fjalës së tij të
mrekullueshme: "Ata, që më së shumti më
duan mua nga ymeti im, janë disa njerëz,
që do të jepte ndonjëri prej tyre
familjen dhe pasurinë e tij, për të më
parë"!
Qoftë një vit i mbarë reflektimi! Qoftë
një vit i mbarë për mbarë ymetin islam
dhe Thirrjen tonë Mëshirë për mbarë
botrat!
Shkodër, 25
tetor 2014
(1 Muharrem 1436, dita e parë e vitit të
ri hixhri)