Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti

Paraditën e së enjtes, më 23 tetor 2014, Myftinia Shkodër organizoi një takim me haxhilerët shkodranë të këtij viti. Në qendër të këtij aktiviteti ishin disa nga kujtimet dhe emocionet e përjetuara në vendet e shenjta, në Mekë dhe Medine, gjatë tri javëve të qëndrimit të tyre atje.
 
Aktiviteti nisi me shfaqjen në videoprojektor të momenteve më të bukura të përjetuara gjatë haxhit të sivjetshëm, si: veshja e ihramit, tavafi përreth Qabes, qëndrimi në Mina, dita e Arefatit, nata në Muzdelife, gjuajtja e xhemerateve, vizita në xhaminë e Hz. Muhammedit (a.s), vizita në zonën e malit Uhud, vizita e varrezës së sahabëve etj.
 
Takimi u përshëndet fillimisht nga drejtori i Zyrës së Haxhit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, H. Hamdi Çurri, i cili falënderoi Zotin për mbarësinë e haxhit të sivjetshëm dhe emocionet e përjetuara nga besimtarët shqiptarë, në tubimin më të madh vjetor të ymetit islam. Ai theksoi se këto takime i vlejnë më së miri rikthimit në vëmendje të kujtimeve të bukura dhe emocioneve të papërshkrueshme, që besimtarët përjetojnë gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Mekë dhe Medine.
 
Më pas, kujtime dhe emocione të përjetuara gjatë këtij haxhi, kanë sjellë edhe haxhilerët e nderuar: Gilman Kazazi, Artur Nikolla dhe Arfin Tafa, që kanë dëshmuar momente të bukura dhe përjetime të ndryshme, që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tyre.
 
Ata kanë theksuar se, ndër të tjera, haxhi është një mundësi e madhe për t’u takuar edhe me dijetarë të shquar të ymetit islam, dëshmi e vëllazërisë dhe harmonisë islame në rrafsh global dhe një mundësi për të kuptuar se ritualet fetare atje, janë të veshura me emocione të mëdha dhe kënaqësi shpirtërore të papërshkrueshme.
 
Në fund të këtij aktiviteti, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, shprehu falënderimet e tij dhe vlerësimet personale për organizimin e bërë nga drejtuesit dhe murshidët e KMSh, duke vlerësuar njëkohësisht edhe grupin e haxhilerëve shkodranë, që sipas tij, ishin një shembull qytetarie dhe besimi, gjatë gjithë ditëve të këtij udhëtimi të mrekullueshëm.
 
Myftiu solli në vëmendje të pranishëmve disa nga përjetimet dhe kujtimet e tij më të bukura, ku ndër të tjera kujtoi se valëvitja e flamurit shqiptar në ato vende të shenjta, kishte një përjetim të veçantë, teksa i bashkohej flamujve të shteteve dhe kombësive të tjera, me plot dinjitet dhe krenari, në rrugëtimet e sinqerta drejt madhërimit të All-llahut dhe lartësimit të Fjalës së Tij.
 
Në fund të aktivitetit, për të pranishmit ishte përgatitur një koktejl me ujë zemzemi dhe hurma të ardhura nga haxhi i sivjetshëm.

 


Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti
Aktiviteti me haxhilerët shkodranë të këtij viti