Myftiu mbajti hytben e kthimit nga haxhi
Shkodër, 17 tetor 2014
Ditën e xhuma, më 17
tetor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, mbajti hytben e xhumasë
së parë pas kthimit të tij nga haxhi i
sivjetshëm në vendet e shenjta në
Arabinë Saudite.
Nga minberi i xhamisë së Parrucës,
Myftiu foli mbi madhështinë e lidhjes së
muslimanëve me Islamin e tyre dhe
rëndësinë që ka sot mos ndikimi nga
propaganda islamofobe në mbarë botën.
Myftiu solli emocione të shumta nga
haxhi i sivjetshëm, ku dëshmoi se Islami
është feja e këtij shekull dhe thirrja
më e pasur drejt Paqes, Dijes dhe
Mirëqenies në jetë. Ndër të tjera ai
theksoi: “Në haxhin e sivjetshëm, pata
mundësi të shoh realisht një dimension
tjetër të madhështisë së fesë tonë,
përhapjen e saj të shpejtë dhe
përqafimin me bindje në mbarë botën.
Delegacionet e shumta me haxhilerë, si
nga Suedia, Norvegjia, Italia, Zvicra,
Hollanda, Franca, Amerika, Kanadaja,
Austria, Australia, Indonezia, India,
Pakistani, Rusia, Rumania, Dagestani,
Çeçenia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria,
Turqia, Kazakistani, Kongo, Mali,
Somalia, Etiopia, Libia, Egjipti,
Tunizia, Taxhikistani, Kamboxhia,
Uganda, Kenia, etj, nga perëndimi në
lindje, në një kohë të vetme, me një
thirrje të vetme, në harmoni të plotë me
njëri-tjetrin, ishin dhe janë dëshmia më
reale e faktit se përtej fushatave
pafund të islamofobisë, trillimeve,
shpifjes, urrejtjes dhe përçudnimit të
imazhit të kësaj feje të madhnueshme në
mbarë botën, miliona besimtarë njëherazi
thërrasin dhe dëshmojnë me të madhe:
“All-llahu ekber”; thirrjen e paqes,
harmonisë dhe ndërtimit të urave në
mbarë botën!”
Myftiu theksoi gjithashtu se në ditën e
Arefatit, në vendet e shenjta u lut edhe
në gjuhën shqipe, ku theksoi: “Në
Arefat, në ditën më të shenjtë të vitit,
në momentet më të bekuara të vitit, u
lut edhe në shqip! U lut: “O Zot ruaje
Islamin e shqiptarëve, mbroje atë nga
propaganda e tjetërsimit! O Zot bekoje
tokën shqiptare dhe forcoje Islamin,
fenë e paqes, si garanci për tokën
tonë!” U lut në shqip, shumë u lut atë
ditë!”
Më pas, Myftiu dëshmoi disa nga
emocionet më të bukura, me shembuj
konkretë nga përkushtimi dhe sakrifica e
haxhilerëve shqiptarë në pelegrinazhin
fetar vjetor më të madh në botë.