Nga ditari i Haxhit...

Imam Muhamed B. Sytari


I.

Çdo ditë që kalon, kuptoj më shumë se madhështia jote, o Mekë e bekuar, qëndron pikërisht në forcën e madhe tërheqëse, që Zoti ka vendosur në themelet e Shtëpisë së Lashtë, ku, saherë ndodhemi përballë saj, përfshihemi në dinamikën e tavafit, duke dëshiruar që ai të mos ndalojë më...

Madhështia jote o Mekë, qëndron pikërisht në ato lutje të dala nga lotët e miliona njerëzve, thuajse ditë për ditë, që lartësohen drejt qiejve, si re drite, që në vetvete ngelen garanci mirësie për mbarë botën e trazuar nga devijimi i Kabilëve në tokë...

Qyteti i lashtë i Ismailit, prekja e të nënshtruarit Ibrahim, vendlindja e ma të dashtunit Hz. Muhammed, s'ka sesi të mos jetë kështu siç është: vendpushim i zemrave...
 

II.

Dje pasdite, në përfundim të gjuajtjes së fundit të guralecëve, në mesin e turmës së madhe të haxhilerëve të pranishëm, më ra në sy një pjestar i grupit tonë, që po përqafohej me shumë dashamirësi me një musliman aziatik, që kalonte aty pranë. Të dyve u qeshnin sytë. Nuk kuptoheshin. Njëri fliste shqip, tjetri ia kthente me gjuhën e tij, që tingëllonte si psherëtimë mbi murin kinez. Me sytë e ndezur, përsërisnin: "All-llahu ekber... All-llahu ekber..." dhe shtrëngonin duart në një kënaqësi të përligjur.

Po mendoja, sa madhështore (si vetë fjalia e tyre e përbashkët) e sa ngazëllyese për mbarë botën tonë do të ishte sikur edhe drejtuesit e botës arabe dhe asaj islame (në një perspektivë pak më të largët), të shtrëngonin duart e unifikimit të monedhës, ekonomisë, ushtrisë, politikës së jashtme, sigurisë së brendshme, dialogut me jomuslimanët, bashkëpunimit për shërimin e padijes, qëndrimin me dinjitet përballë ekstremizmit dhe fanatizmit të verbër e sakat në emër të fesë islame, shërimit të papunësisë e varfërisë, ruajtjes së natyrës, zhvillimit të industrisë, nxitjes dhe shpërblimit të kërkimeve shkencore në vendet e tyre etj, etj, pa fund...

Mendoja, teksa ata të dy vijonin të përsërisnin: "All-llahu ekber", duke shtrënguar të djathtën e shoqi-shoqit, me të cilën, pak më parë, kishin goditur simbolikisht shejtanin e mallkuar, nxitësin dhe frymëzuesin e krejt të keqes në botë...
All-llahu ekber!
 

III.


Pas tavafit të sotëm, pak para ezanit të akshamit, u ula të pushoj diku përballë Qabes, në pritje të namazit. Dikush më dha selam. Personi në të majtën time ishte një burrë rreth të pesëdhjetave a pak më shumë. Ishte nga Taxhikistani. Quhej Usman, me theks të fortë te shkronja "u" (sipas shqiptimit të tij).

Kur mësoi për mua, emrin, kombësinë, pozitat gjeografike të vendlindjes time, punën etj, Haxhi Usmani (që më drejtohej sa me duar, sa me ndonjë fjalë, aty tek-tuk, arabisht e ndonjë në gjuhën e tij, (si: kartoshka (patate), teksa më tregonte se merrej me bujqësi), sa me celularin e tij, ku herë pas here shkruante shifra, që lidheshin me data e numra të bisedës tonë), nisi të më drejtonte ca pyetje. Ishin shumë të thjeshta. Ishin shumë të pastra. Tamam si në këtë rast, kur para Qabes, një taxhiku i ulet në krah një shqiptar, për vendin e të cilit, prodhuesi i "kartoshkave", nuk ka asnjë ide. U zhvillua dialogu i mëposhtëm:

Ai: Shqipëria, muslimane?
Unë: Rreth 70%.
Ai: Shqipëria qenka i vetmi vend musliman në Evropë?
Unë: Inshallah.
Ai: Presidenti juaj, musliman?
Unë: Po.
Ai: Hanefi?
Unë: Me siguri.
Ai: Falet?
Unë: Shpresoj.
Ai: E ka bërë haxhin?
Unë: Nuk e di, inshallah i mundësohet ta bëjë.
Ai: Shqipëria, fesad?
Unë: Shumë fesad dhe shumë xhami!?
(vështron habitshëm)
Ai: Si quhet Kryemyftiu i juaj?
Unë: Ne nuk kemi Kryemyfti, kemi kryetar.
Ai: A do lutesh për mua?
Unë: Po, me shumë kënaqësi!
--------------------
Ndërkohë, teksa ne ishim zhytur në një bashkëbisedim krejt natyral, në të djathtën time ulet një burrë i ri në moshë, Ahmedi. Ishte nga Somalia. I ndriçonte fytyra nga shenja e lotëve. Ishte Hafiz Kur'ani. (më vonë do më thoshte se tradita e hifzit të Kur'anit tek të rinjtë e vendit të tij është shumë e përhapur)

Dialogu zgjerohet:
Unë: Usman, ky është Ahmedi nga Somalia!
Usmani: Somalia? Pirat, pirat! (dhe qesh)
Ahmedi: Ti, musliman?
Usmani: Po.
Ahmedi: Ti, terrorist?
(dhe të tre qeshim brenda etikës së vendit të shenjtë, ku ndodhemi dhe vazhdojmë të flasim, rrethuar me qetësi e paqe vendesh të shenjta)
--------------------
Pas faljes së akshamit dhe bashkëbisedimit të gjatë, plot shprehje urtësie, me Usmanin dhe Ahmedin, u ngrita të largohem. Kaq ishte. U përshëndeta me të dy. Në fakt, kishte pak emocion kjo përshëndetje. Nisa të hedh hapat e parë, i shoqëruar nga lutjet me zë të ulët për dy vëllezërit e mi. Vetëm pak hapa larg shkallëve, u ndala për pak dhe ktheva kokën. Ata ishin aty, tashmë me fytyrë nga Qabja, në lutje. Për një çast hodha sytë nga madhështia e Saj. Ishte edhe më e bukur se para pak minutave, e shtrenjta Qabe! I buzëqesha dhe kapa fillin e lutjeve të lëna në gjysëm. Aty-këtu, djathtas e majtas, kishte edhe të tjerë si puna e jonë. Kushedi se për çfarë flisnin. Kushedi se si kuptoheshin. Kushedi çfarë mësonin nga njëri-tjetri...
E, Qabja, rreth së cilës zhvilloheshin bashkëbisedime të huajsh, të njësuar në Dashninë e qëndrimit para Saj, sa vinte e shtonte bukuri e madhështi... Ajo, Qabja e tavafeve dhe lutjeve plot prekje vëllazërie islame... Qabja e vlerave të heshtura globale..!

 


Nda ditari i Haxhit...