Harmonia e Bajramit
zbukuron xhamitë me besimtarë
Shkodër, 04 tetor 2014
Që herët në mëngjes,
xhamitë e Shkodrës janë zbukuruar me
tekbiret e qindra e mijëra besimtarëve,
të cilët sot kanë tejmbushur xhamitë me
praninë e tyre, duke iu përgjigjur
thirrjes së Zotit të tyre, për të kryer
faljen e namazit të sahabit dhe atë të
Kurban Bajramit.
Kjo ditë e bekuar, e cila e ka
zanafillën që nga koha e babait të
profetëve, Ibrahimit (a.s), vjen si
përkujtim i bukur i kësaj sakrifice, që
robi bën për Krijuesin e tij, Zotin e
gjithë botëve.
Njëkohësisht, festa e Kurban Bajramit
është edhe solidaritet dhe gëzim që i
bashkohet mijëra e miliona haxhilerëve
anekënd botës, të cilët kanë shkuar për
të kryer një nga shtyllat kryesore të
Islamit, obligimin e Haxhit. Pa dallim
ngjyre dhe race, kombësie dhe gjinie, me
bindjen dhe besimin e tyre i janë
përgjigjur thirrjes së Zotit (xh.sh)
duke thënë: Lebbejke Allahumme Lebbejke
(Tu përgjigja Ty o Zoti im, tu
përgjigja).
Për shkak të luhatjeve të motit, këtë
vit, Kurban Bajrami në Shkodër u fal në
të gjitha xhamitë e saj, jo në shesh,
siç është bërë traditë që nga Kurban
Bajrami i vitit 2010.
Ceremonitë zyrtare u zhvilluan në dy
xhamitë qendrore të Shkodrës.
Fillimisht, në xhaminë “Ebu Bekër”, ku
drejtonin ceremoninë e kësaj feste,
imami i xhamisë, teologu Idmir Plaku dhe
teologu Arben Halluni. Ata kanë folur
për rëndësinë dhe simboliken e kësaj
feste dhe sakrificë dhe i kanë bërë
thirrje besimtarëve që kjo ditë e bekuar
të shërbejë për paqe, harmoni dhe
solidarizim për të gjithë njerëzit në
nevojë.
Ndërsa në xhaminë e Parrucën, këtë
ceremoni e udhëhiqnin imami i xhamisë,
Naim Drijaj dhe teologu Lavdrim Hamja.
Imami Drijaj ka folur për rëndësinë e
kurbanin në jetën e myslimanëve dhe ka
dhënë disa porosi dhe këshilla rreth
mënyrës së therjes dhe shpërndarjes së
kurbanit. Teologu Lavdrim Hamja ka folur
për mesazhet e Islamit, të cilat
përmbajnë mesazhet e paqes, tolerancës
dhe harmonisë njerëzore. Gjithashtu,
teologu Hamja ka tërhequr vëmendjen e
besimtarëve duke bërë të ditur se
etiketimet e ndryshme të mediave për
Islamin dhe myslimanët dhe se ata janë
ekstremistë e nxisin dhunë, ai ka thënë
se të gjitha këto etiketime janë shpifje
dhe denigrimi i figurës së myslimanit
dhe fesë Islame. Sepse, argumentet
fetare, nga Kur'ani dhe tradita e
Profetit (a.s) tregojnë të kundërtën e
asaj që jepet në media rreth kësaj feje
paqedashëse dhe dhuruese e paqes dhe
harmonisë në botë.
Gjithashtu Imamët kanë falënderuar
besimtarët për kontributet e tyre, për
ndihmën ndaj nevojtarëve dhe të varfërve
dhe angazhimin për të përmirësuar ditë
pas dite shfaqjen e tyre në shoqëri, si
themel i saj.
Me përqafime dhe tekbire, besimtarët
janë uruar në mes vete duke marrë
kënaqësinë e kësaj dite të begatë.