Mesazhi i Myftiut me rastin e Kurban Bajramit 1435/2014

Të nderuar vëllezër e motra muslimanë,
Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës,
 
Kam kënaqësinë e madhe t'ju uroj me zemër, me rastin e Kurban Bajramit të sivjetshëm, nga Qyteti i Shenjtë i Mekës, ku ndodhem për kryerjen e Haxhit të këtij viti.

Ky urim vjen edhe më i plotë, teksa Qabja e Madhnueshme ka hapur krahët për të pritur në zemrën e saj miliona muslimanë, nga perëndimi dhe nga lindja, në ritualin e përvitshëm të rinovimit të besëlidhjes së besimit në Njësinë absolute të All-llahut dhe bartjes me përgjegjësi të amanetit të Thirrjes së pastër Islame në mbarë globin.

Gjatë këtyre ditëve, teksa hedhi hapat drejt Shtëpisë së Parë të Adhurimit të ndërtuar mbi faqen e tokës, përkrah vëllezërve të mi nga mbarë bota, të gjithë të veshur me të bardha, kuptoj qartë sesa e rëndësishme dhe madhështore është kjo përkatësi e shenjtë fetare, që ne shqiptarët e përqafuam në paqe dhe i dorëzuam zemrat, për t'u kthyer në model tolerance, harmonie, dije, qytetarie e vlerash njerëzore të pashembullta!

Për këtë, sot më tepër se asnjëherë tjetër, na nevojitet të kuptojmë sesa e domosdoshme është ta deklarojmë me të madhe Islamin tonë, teksa përpiqemi të përmirësojmë hapat drejt Bashkimit Europian, ku me siguri vlerat tona islame dhe ato kombëtare të mëkuara nga kjo frymë e shenjtë, do të kenë një vend të merituar, si një balsam shërues për lëngatat e mëdha, nga të cilat vuan njeriu i kohës tonë.

Kurban Bajrami, është pa dyshim një festë e shtrenjtë, që mbi të gjitha na kujton se përballë shejtanit, që përpiqet të na distancojë nga thirrja e shpirtit tonë, me lloj-lloj cytjesh e propagandash djallëzore, duhet të ndjekim shembullin e babait të profetëve të mëdhenj të historisë së njerëzimit; Musait, Isait e Muhammedit (paqja qoftë mbi ta), Hz. Ibrahimit, i cili vazhdoi rrugën e tij të besimit e të shpirtit, ndonëse cytjet e të mallkuarit e tundonin drejt devijimit dhe kthimit në një të shkuar të largët plot padije, hirtësi, dallgëzime vrastare për shpirtin e abuzim me besimin dhe madhështinë e tij.

Thirrja e kësaj feste të madhnueshme është ajo, që bashkë me miliona vëllezërit tuaj, e kam përsëritur shumë herë këto ditë: "Lebbejkall-llahumme lebbejke", që në gjuhën tonë të bukur shqipe do të thotë: "Të përgjigjem Ty, o All-llah, të përgjigjem"!

Është thirrje e dlirtë, që rrezaton bardhësi, paqe, tolerancë, ndërtim urash, shenjtërim jete, respektim të lirisë, madhërim të dijes, pastërti të moralit, nxitje drejt hallallit e largim instiktiv nga haramet në jetë!

Me zemër të bardhë Kurban Bajramin, ju vëllezër e motra, Shkodërloces tonë të dashur, Shqipërisë e shqiptarëve kudo në botë, mbarë ymetit islam! 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
Mekë, Arabia Saudite, 2 tetor 2014.

 


Mesazhi i Myftiut me rastin e Kurban Bajramit 1435/2014