Janë të ndryshëm, por kanë Një Thirrje...
Mekë, 28 shtator 2014
Atmosfera e pas
namazit të akshamit të kësaj nate, në
terracën e Haremit Sherifë, ngjan me një
tubim të paqtë, ku njerëz të panumërt,
lëvizin në mërmëritje, duke i buzëqeshur
njëri-tjetrit. Nuk njihen. Edhe pse nuk
e dijnë gjuhën e njëri-tjetrit, ata
komunikojnë në harmoni të plotë, duke i
dëshiruar njëri-tjetrit paqe e mirësi,
nëpërmjet Selamit, që mbizotëron kudo.
Edhe fjala: "haxhi" dëgjohet në çdo
vend. Ngjan me një fjalëkalim, që nuk
mbahet sekret. Askush nuk e keqpërdor.
Lakohet në të gjitha gjuhët...
Nga nuk janë. Nga nuk kanë ardhur.
Tamam, siç i përshkruan Vetë Zoti në
Kur'an: "nga thellësitë e largësive".
Grupe-grupe, kalojnë bri njëri-tjetrit;
ca në drejtim të Qabes, ca në tavaf e
lutje, ca në namaz e lexim Kur'ani, ca
me një libër duashë në dorë e tesbihë...
Vijnë nga Suedia, Zvicra, Austria,
Omani, Amerika, Hollanda, Pakistani,
Turqia, India, Shqipëria, Siria, Libia,
Kina, Kosova, Kanadaja, Iraku, Irani,
Srilanka, Indonezia, Burkina Faso,
Çeçenia, Italia, Nigeria, Tailanda,
Somalia, Rusia, Palestina, Jordania,
Egjipti, Jemeni, Kazakistani,
Taxhikistani, Franca, Uzbekistani,
Afganistani, Rumania, Sudani, Algjeria,
Bangladeshi, Anglia, Azerbaxhani... Janë
nga shtete e kombësi pa fund, që Selami,
bri Qabes së Dritshme, i bën një ymet të
vetëm, me një Thirrje të lashtë, sa
lashtësia e vetë jetës mbi tokë!
Janë të ndryshëm, por kanë Një
Thirrje... Janë të rinj, të moshuar, të
tejshkuar në moshë, fëmijë e foshnja,
burra e gra, të bardhë e të zi.., janë
të ndryshëm, por kanë Një Thirrje...
Për një moment, pas thirrjes së imamit,
krejt dallimet shkrihen e lihen pas
krahëve, teksa thirrja "All-llahu
ekber", si pelerinë paqeje, i përfshin
të gjithë sa janë. Qetësia, teksa
kombësitë, moshat e ngjyrat janë
rreshtuar në një vijë të drejtë, nis të
dëshmojë nga zemra e secilit: "All-llahu
është më i madhi"...
Janë të ndryshëm, por kanë Një
Thirrje... Edhe unë i përkas kësaj
Thirrjeje.
Muhamed
B. Sytari,
Mekë, 28 shtator 2014.