U zhvillua ceremonia e përcjelljes
së haxhilerëve të Shkodrës

Ditën e martë, më 23 shtator 2014, pas namazit të iqindisë në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër zhvilloi ceremoninë e përvitshme të përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës. Këtë vit, 29 besimtarë muslimanë shkodranë, do të jenë pjesë e adhurimit të Haxhit, ku miliona muslimanë nga mbarë bota mblidhen në Shtëpinë e All-llahut, në Qaben e Madhnueshme, për të kryer lutjet dhe adhurimet e caktuara.
 
Në fillim të ceremonisë, teologu Lavdrim Hamja, bëri një prezantim të mirësisë së madhe, me të cilën Zoti i gjithësisë i shfaq njeriut mirësinë e besimit, nëpërmjet adhurimit të Haxhit. Ai theksoi se kjo mirësi, mbledh nga mbarë bota miliona muslimanë, për të dëshmuar bashkarisht, tubimin më të madh të vitit në mbarë botën, tubim i besimit dhe lutjeve më të sinqerta.
 
Aktiviteti u pasua nga ligjërata dhe këshilla e teologut Bashkim Bajraktari, imam i xhamisë Perash. Në fjalën e tij, imami i nderuar vuri theksin te nevoja e madhe që ka njeriu për Zotin dhe roli i adhurimit të Haxhit në afrimin e njeriut me Zotin e tij, që e ka ftuar në Shtëpinë e Shenjtë për kryerjen e adhurimeve dhe lutjeve.
 
Ai porositi haxhilerët që të përfitojnë maksimalisht nga koha në shërbim të adhurimeve, leximit të Kur’anit, dhikrit dhe lutjes. Njëkohësisht kërkoi që haxhilerët të luten edhe për vendin e tyre dhe mirëqenien e tij.
 
Me shumë emocion u përcoll thirrja e emrave të besimtarëve të regjistruar për haxhin e sivjetshëm dhe ndarja e pasaportave me vizën saudite dhe ihramin e Haxhit.
 
Si pjesë e Haxhit të sivjetshëm, aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili u lut që ky Haxh të jetë i lehtë, i mbarë dhe i pranuar për të gjithë muslimanët shkodranë, ata shqiptarë dhe të mbarë ymetit islam. Myftiu bëri edhe lutjen tradicionale të përcjelljes së haxhilerëve, duke kërkuar prej tyre që të mos harrojnë Shkodrën dhe Shqipërinë në lutjet para Qabes së Madhnueshme dhe në Medinen e Hz. Muhammedit (a.s).
 
Pjesë e grupit nga Shkodra, këtë vit, do të jetë edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, që në përshëndetjen e tij, uroi që haxhilerët e këtij viti të kenë mbarësi dhe ta kalojnë si duhet këtë udhëtim të shtrenjtë, plot mirësi dhe paqe nga Zoti i gjithësisë.
 
Në përfundim, u bë edhe përshëndetja me antarët e grupit të haxhilerëve të Shkodrës, ku imamët dhe besimtarët uruan rrugë të mbarë dhe adhurim të pranuar.
 
Me këtë rast, Myftinia Shkodër uron të gjithë haxhilerët e këtij viti: Haxh të pranuar dhe adhurim të mbushur me mirësi dhe mëshirë hyjnore!

 


U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës
U zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës