Hytbeja e xhumasë: “Nuk ka dhunë në fé”
12 shtator 2014
Nga minberi i xhamisë
së Parrucës, të xhumanë, më 12 shtator
2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed
Sytari ka folur sot, rreth temës: "Nuk
ka dhunë në fé".
Nëpërmjet argumenteve teologjike dhe
argumenteve historike, Myftiu bëri
thirrje që njerëzit të mos ndikohen nga
propaganda e dendur antiislame e kohëve
të fundit, që ka për qëllim ta
prezantojë Islamin si një realitet, me
të cilin ai nuk ka asnjë lidhje dhe prej
të cilit është krejtësisht i pastër.
Myftiu tha se argumentet kur'anore dhe
tradita profetike, janë dëshmuesi më i
mirë që vërtetojnë se Islami nuk është
përhapur me dhunë dhe shpatë, me gjak e
kërcënime, përkundrazi, edhe vetë
historianët perëndimorë, nëpërmjet
hulumtimeve të tyre objektive kanë
vërtetuar se bota nuk ka njohur
ndonjëherë çlirimtarë më të mëshirshëm
sesa muslimanët.
Myftiu bëri thirrje që muslimanët të
distancohen nga dhuna dhe cytjet drejt
saj dhe të dëshmojnë moralin e tyre të
vërtetë fetar, që të fshihet një herë e
mirë kjo propagandë e ulët, që ka për
qëllim njollosjen e Islamit dhe
muslimanëve në trojet shqiptare, si kudo
në botë.
Në hytben e kësaj xhumaje, ndër të tjera
Myftiu theksoi se: “Faktin e ruajtjes së
shpirtrave dhe jetëve të jobesimtarëve,
kur muslimanët kishin mundësi veprimi, e
vërteton edhe fakti se: “I Dërguari
(a.s), dëshiroi të rikthehej në Mekkë,
pa u prekur asnjë jetë e pa u derdhur
asnjë pikë gjaku” dhe kështu ndodhi.
Historia vërteton se Hz. Muhammedi (a.s)
urdhëroi komandantët e tij, që kur të
hynin në Mekkë: “Të mos vrisnin
njeri…”.”