“Hapur”, bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës
11 shtator 2014
Mbrëmjen e së enjtes,
më 11 shtator 2014, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, ishte i ftuar në
emisionin "Hapur", në Tv1 Channel, në
serinë e parë të sezonit të ri të këtij
emisioni.
Myftiu iu përgjigj pyetjeve të ndryshme
gazetarit Simon Shkreli, rreth
realiteteve të dhimbshme të dhunës,
vrasjes, shkatërrimit të pronës dhe
cënimit të lirisë në vende të ndryshme
të Lindjes së Mesme dhe lidhjet e tyre
me Islamin, që i vlerësoi si larg
vlerave njerëzore dhe fetare dhe shenjë
dekadence e njeriut bashkëkohor.
Myftiu theksoi se realitetet e mungesës
së sigurisë dhe vrasjet, edhe në emër të
fesë, që po dëgjohen kohët e fundit në
shumë prej vendeve të përfshira në
trazira, janë larg besimit dhe fesë
islame, që mbi të gjitha urdhëron për
distancim nga dhuna dhe vrasja e
njerëzve të pafajshëm.
Gjatë emisionit, Myftiu iu përgjigj edhe
pyetjes mbi marrëdhëniet ndërfetare në
Shqipëri dhe origjinën e tyre në
traditat burimore islame. Ai theksoi se
natyrshëm, aty ku ka muslimanë, aty
është edhe vullneti për të respektuar
tjetrin dhe besimin e tij dhe mbi të
gjitha, gatishmëria për të ndërtuar ura
të dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar,
bazuar mbi respektin e ndërsjellët dhe
vullnetin e mirë të kultivimit të kësaj
fryme qytetëruese.
Myftiu iu referua Kur’anit dhe Traditave
profetike të Hz. Muhammedit (a.s), duke
vënë theksin te natyrshmëria e sjelljes
së muslimanit me një jomusliman, ku
shembujt ishin të shumtë dhe të goditur,
në funksion të përgjigjes.
Njëkohësisht, iu përgjigj edhe pyetjes
mbi etiketimet e muslimanëve si
terroristë e të ngjashme, ku nuk la pa
përmendur faktin se gabimet dhe
keqinterpretimet njerëzore të fesë, nuk
duhen konsideruar si pjesë integrale e
vetë fesë dhe se secili mban përgjegjësi
për gabimin e tij, ndërsa feja, qëndron
e pastër me udhëzimet dhe dritën e saj.
Në fund të bashkëbisedimit, Imam Muhamed
Sytari iu përgjigj edhe pyetjes mbi
vizitën e Papës në Tiranë, ku theksoi se
kjo vizitë është një gëzim i natyrshëm
për besimtarët katolikë, që mezi presin
këtë vizitë të shtrenjtë për ta.