Intervista e Myftiut të Shkodrës
për Zërin e Amerikës
20 gusht 2014
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, të mërkurën, më 20 gusht 2014, Myftiu i Zonës së Shkodrës, Imam Muhamed Sytari thotë se, ngjarjet e fundit në Irak, Siri dhe vendet e tjera në konflikt diktojnë nevojën për një ndërhyrje të forcave të vullnetit të mirë, për rikthimin e paqes. Myftiu Sytari tha se është e dështuar çdo përpjekje për të futur tek shqiptarët një frymë radikale për Islamin. Me Myftiun e Zonës së Shkodrës bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.
Zëri i Amerikës: Zhvillimet e
kohëve të fundit në Irak, Siri dhe zona
të tjera në Lindjen e Mesme, kanë
tronditur opinionin ndërkombëtar dhe atë
shqiptar. Ju jeni një nga klerikët
myslimanë të Shqipërisë, që keni
studiuar në Damask të Sirisë dhe i
përkisni shkollës së Thirrjes Islame. Si
e vlerësoni situatën atje?
Imam Muhamed Sytari:
Është e vërtetë se ndodhitë e fundit në
botën arabe, në veçanti në Siri dhe, së
fundi në Irak, janë një tronditje e
madhe për mbarë opinionin botëror, por
edhe për të gjithë myslimanët e botës.
Kriza, apo ndodhitë e Sirisë, kanë tre
vite që kanë angazhuar opinionin
botëror. Dhunë pa fund, vrasje,
gjakderdhje, shkatërrim, prishje e
sigurisë, e botës shpirtërore dhe
materiale, e ekonomisë, kulturës, etj.
Pra, në shumë drejtime dhe kjo,
normalisht, nuk na gëzon. Është një
dhimbje e madhe, duke pasur parasysh se,
Siria, Iraku janë zona ku sillen
qytetërimet e vjetra mijëvjeçare të
botës. Ne shohim se si dita-ditës po
precipiton situata, sidomos në Siri. Nga
një kërkesë në një realitet, nga një
zhvillim në një tjetër. Dhe duar të
ndryshme po përzihen dhe nuk po kuptohet
më se çfarë po ndodh në Siri. Bota
priste ndryshimin e regjimit, por tashmë
vëmendja është larguar nga ndryshimi i
regjimit, në një realitet tjetër ku ka
tendenca për vëllavrasje, për copëtim,
për një sprovë dhe një përçarje të
frikshme në mesin e sirianëve, por edhe
në zonën përrreth Sirisë. Ndërkohë, që
ne jemi dëshmitarë të një fryme
qytetërimi, cilivizimi, bashkëpunimi,
harmonije, bashkëjetese në mesin e feve,
sekteve, në mesin e etniteteve të
ndryshme në zonën e Sirisë.
Dëshira dhe vullneti jonë, lutjet tona
janë që Zoti i Gjithësisë të zbresë
mëshirën e tij mbi ato vende dhe të
shohim sa më shpejt një paqe
gjithëpërfshirëse. Mirëpo kjo kërkon,
ndoshta, ndërhyrjen e forcave të
ndryshme vullnetmira, të angazhuara për
të ndihmuar popullin e Sirisë dhe të
Irakut, për të sjellë stabilitetin në
ato vende.
Zëri i Amerikës: Sipas
njoftimeve të shumta, në këtë konflikt
janë përfshirë edhe grupe shqiptarësh
nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Në
të vërtetë, a kanë motiv shqiptarët për
t’u përfshirë në këtë konflikt të
përgjakshëm?
Imam Muhamed Sytari:
Disa njerëz, edhe nga vendi ynë, ndoshta
të shtyrë nga ndjenja apo besimi, dhe
vullneti i mirë për të kontribuar
sadopak në përkrahjen e njerëzve të
shtypur nga padrejtësitë e shumta, mund
të jenë shtyrë për të shkuar dhe për të
kontribuar në ato vende. Mirëpo sot,
mbasi kanë kaluar tre vite dhe nuk dihet
më se përse njerëzit luftojnë dhe kundër
kujt, unë mendoj se nuk ka asnjë
justifikim, për asnjë njeri jashtë
Sirisë, që të përfshihet në ndodhitë e
Sirisë. Madje, nga kontaktet e ndryshme
dhe të shpeshta që ne kemi me dijetarë
të ndryshëm, me njerëz të kulturës, të
fesë, me njerëz të dijes në ato vende,
ato kanë një lutje të përbashkët: “Sa të
keni mundësi t’u bëni thirrje njerëzve
tuaj, opinionit mbarëkombëtar që të mos
ketë prurje nga vendet e ndryshme, nga
vendet e botës në vendin tonë, sepse
mjaftojnë problemet dhe shqetësimet që
kemi”. Po rezulton se prania e njerëzve
të huaj në ndodhitë e Sirisë dhe ato të
Irakut, po kthehet në një boomerang, në
një pengesë, një shqetësim edhe më të
madh që pengon zgjidhjen e problemit që
është në Siri, Irak dhe zonat përrreth.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit,
në Kosovë dhe Shqipëri ka patur edhe
arrestime të personave që kanë rekrutuar
luftëtarë për në vendet në konflikt në
Lindjen e Mesme apo që janë kthyer nga
Siria. Sa përbëjnë ata rrezik për një
radikalizim të islamit, në Shqipëri apo
Kosovë?
Imam Muhamed Sytari:
Unë them përherë se asnjë përpjekje dhe
asnjë tendencë, sado dashakeqe që të
jetë, për ta prezantuar Islamin ashtu
siç nuk është, është një përpjekje e
dështuar. Ne themi përherë se feja
islame, po t’i referohemi Kuranit
Famëlartë, traditave të Profetit Muhamed
(a.s), qëndron mbi çdo përpjekje
dështake të kujtdo për ta zbritur
bukurinë dhe mirësinë e Islamit në
nivele jo të dëshirueshme dhe jo të
pranueshme për njeriun. Në Kuranin
Famëlartë ne urdhërohemi që, kush
shpëton një jetë njeriu është si të ketë
shpëtuar tërë botën. Kësisoj, çdo
tendencë, çdo përpjekje për ta
prezantuar një grup apo një tjetër si
përçarës apo tendencioz për të përhapë
një frymë radikale ose që nuk lidhet me
Islamin, e përsëris, është një përpjekje
e dështuar.
Normalisht, ne nuk gëzohemi për
realitetet e ditëve të fundit në Kosovë
dhe në vendin tonë, por ne lutemi, themi
përherë dhe ftojmë besimtarët që të
distancohen nga çdo lloj përpjekje që
sadopak ndikon në prishjen e imazhit të
Islamit, por edhe në prishjen e imazhit
tonë kombëtar. Interesi ynë kombëtar
është për t’u dëshmuar njerëz të pjekur,
njerëz që i shërbejnë vendit të tyre,
fesë së tyre dhe, nëpërmjet shërbimit
ndaj fesë dhe imazhit të Islamit, ne i
shërbejmë më së miri edhe interesit tonë
kombëtar.
Interesi ynë kombëtar është që Shqipëria
dhe trojet tona shqiptare, të
interesohen për problemet e tyre, për
hallet e tyre, për shqetësimet që kanë
në ekonomi, në problemet me fenë dhe
shumë të tjera dhe jo të kemi trazira
ose shqetësime që na largojnë vëmendjen
nga interesat kapitale të vendit tonë.
http://www.zeriamerikes.com/content/imam-muhamed-syrtari/2422561.html