15 pyetje për Myftiun e Shkodrës
nga gazeta MAPO

(Intervistë e zhvilluar me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari)

-Mund të thuhet se muslimanizmi shqiptar, apo në Shqipëri, i është nënshtruar njëfarë Reformizmi në kohën e Mbretit Zog: u hoq mbulesa për gratë ndërsa burrave u duhet të faleshin në këmbë dhe jo në gjunjë, madje me dorën në kraharor me salutimin e famshëm alazog. A i mirëkuptoni këto ndërhyrje të shtetit në fé apo ju duken drastike? Ahmet Zogu një musliman, a nuk u bë në njëfarë mënyre një Martin Luter shqiptar i muslimanizmit?
 
“Martin Luter ka qenë një teolog i aftë dhe vizionar, që akoma sot është shembull inspirimi, sidomos në bashkëbisedimet teologjike dhe studimet rreth konceptit të reformës në fé.
 
Ne në Islam, besojmë tek “reformatorët e fesë”. Është thënë nga i Dërguari i Zotit, se do të ketë të tillë, në krye të çdo 100 viteve. Komentatorët e kësaj profecie, thonë se qëllimi i saj është paralajmërimi se Zoti do ta ruajë fenë e Tij nga devijimi, si dhe, shekull pas shekulli, Ai do të udhëzojë dijetarë dhe eruditë të specializuar, të cilët do të rigjenerojnë dhe reformojnë shumë koncepte të gabuara, që mund të kenë hyrë në fé (siç ka ndodhur dhe akoma ndodh), pa devijuar boshtin dhe thelbin e saj. Akoma sot, keqinterpretues të Kur’anit thonë se toka nuk rrotullohet!?
 
Në këtë kontekst, nuk besoj se “muslimanizmi shqiptar” ka pasur reformatorë në kuptimin e thellë të këtij perceptimi, ndonëse dijetarët tanë kanë qenë të shumtë dhe kanë lënë gjurmë të thella e të dobishme në shërbim të Thirrjes Islame në vendin tonë. Besoj se sot, më shumë se asnjëherë tjetër, kemi nevojë për të rigjeneruar dhe pastruar disa pluhura, që vetëm se e dëmtojnë fenë dhe imazhin e saj, në vendin tonë.
 
“Reformat në fé” nuk kanë vlerë, as kuptim, kur vijnë nga duar jashtë familjes së fesë. Mendoj gjithashtu se kur një bashkësi besimtarësh toleron prekjen e fesë dhe ndryshimin e traditave, cilatdo qofshin ato, nga njerëz jo të fesë, në të vërtetë, dëshmojnë fillimin e dekadencës së tyre shpirtërore dhe intelektuale!”
 
-Ka patur “thirrje” sporadike për kthim të shqiptarëve në fenë e parë, pra në Krishtërim... Ndoshta ju do të thoni pse jo në paganizëm...?
 
“Në fakt, mua personalisht nuk më bezdis thirrja e askujt që thërret drejt besimit dhe fesë. Për faktin e thjeshtë, sepse unë besoj se kushdo duhet të jetë i lirë të besojë dhe të thërrasë në fenë e tij. Në Kur’an thuhet: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time”.
 
Përkundrazi, ne duhet ta falënderojmë Zotin që erdhën këto ditë, në të cilat secili mund të bëjë thirrjen e tij, i qetë dhe i patrazuar nga askush (kuptohet, brenda logjikës së respektimit të kufijve dhe veshjes me logjikën hyjnore: “Nuk ka dhunë në fé”).
 
Më shumë më shqetësojnë qëndrimet joobjektive të disave, që bëjnë thirrje fetare në vendin tim, kushdo qofshin e drejt cilësdo fé qoftë thirrja e tyre! Sepse, thirrja drejt fesë, nuk duhet bërë me tendenca e hile, me nënkuptime e fshehje nën petkun e bamirësisë, dijes fetare a shenjtërisë.
 
“Feja e të parëve”? Normal që feja e të parëve të mi është Islami, sikurse e dikujt tjetër është Krishtërimi. A duhet medoemos që kjo pyetje a “thirrje”, të bëhet shkak për përçarje a konflikt mbi bazë fetare? Jo, nuk duhet ta lejojmë! Unë nuk mund të privoj nga e drejta e tyre, as ata që thonë se: “feja e të parëve tanë është paganizmi”!? Secili, në logjikën e tij ka të drejtë brenda një logjike relative.
 
Vlen realiteti dhe praktika konkrete e njerëzve a orientimi i tyre shpirtëror, ku ata gjejnë prehjen dhe qetësinë. Për këtë, më shumë se thirrja për kthim në “fenë e të parëve”, vlen respektimi, njohja dhe pranimi i tjetrit, si dhe rrugëtimi me seriozitet dhe vullnet të padiskutueshëm drejt vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ku secili respekton fenë e tjetrit dhe ku, dyert e dialogut dhe komunikimit të ngritur mbi sinqeritetin, të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe përgjigjen në lidhje me këtë “thirrje”.
 
-A e ka bota shqiptare sot një problem apo më saktë rrezik islamik: nëse mund të ilustrojmë me xhihadistët shqiptarë e kosovarë në Siri; Arid Ukën në Gjermani që vrau ata që i kishin çliruar vendin e të parëve; apo përpjekjen e dështuar në Fort Diks?
 
“Më ka pëlqyer një analizë rreth këtyre zhvillimeve paradoksale në botën arabe dhe atë islame, ku në një formë a një tjetër, jemi të përfshirë edhe ne si muslimanë shqiptarë. Autori i analizës thotë kështu: “Djemtë e përfshirë në akte ekstremiste dhe përtej tyre, në vende të ndryshme të botës, nuk kanë dalë nga shkolla juridike islame Hanefite, as ajo Shafiite, as ajo Malikite, as ajo Hanbelite. Ata nuk janë diplomuar as në Ez’herin e Kajros, as në Zejtuna të Tunizisë, as në Damask, Medine a Meke, as në universitetet e shquara islame të botës tonë!”
 
Me këtë dua të them se shfaqjet e ndryshme të asaj që sot dëshmohen si ekstremizëm me një ngjyresë të caktuar fetare (në rastin tonë, islame), duhen shikuar më tepër si përceptime të gabuara nga një burim i caktuar abuziv me fenë, mbi një bazë paditurie a këndvështrimi të ngushtë, sesa vetë Islam, se nuk do të ishte korrekte dhe e drejtë!
 
Ky është problem, që kërkon angazhimin e njerëzve të ditur dhe intelektualëve fetarë, për shërimin e tij, jo si një problem i brendshëm, por si një virus i jashtëm, që cënon bukurinë dhe vezullimin e fesë së pastër të shpallur nga Zoti, ku mbi të gjitha njeriu është krijesa më e përsosur e Tij dhe respektimi i qënies njerëzore dhe jetës së saj, vlen më shumë tek Zoti edhe se tërë shenjtëritë e materializuara mbi tokë.
 
Kur’ani e dëshmon haptas se: “Ai që vret një person pa të drejtë, është si të kishte vrarë mbarë njerëzimin”. Ndërkohë, dëshmia e Profetit Muhammed (a.s) se: “Shkatërrimi i Qabes (vendit të shenjtë të muslimanëve) gur pas guri, është më e lehtë tek All-llahu sesa vrasja e një muslimani”, është një ftesë e shenjtë për të ruajtur shpirtin, jetën. Për të drejtat e pasuesve të Librave të Shenjtë (të krishterët etj.), ai thotë: “Ai që lëndon një njeri të besës, do të jem armiku i tij në ditën e kiametit”!
 
Dëshmohet se një ditë, Profeti Muhammed (a.s) u ngrit në këmbë në respekt të një xhenazeje, që po kalonte afër tij. Disa të pranishëm i thanë: “Ai është jahudi!” Profeti ia ktheu: “A nuk është njeri?!”
 
Ndoshta, kulmi i ruajtjes dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, në historinë e Hz. Muhammedit (a.s), është atë ditë, kur ai së bashku me pasuesit e tij, u rikthyen në vendlindje, në Mekë, triumfues dhe çlirimtarë. Disa jomuslimanë të zënë rob, të cilët e kishin lënduar dhe kishin luftuar kundër tij, teksa i shihte para duarve të tij, iu drejtua: “Çfarë mendoni se do të veproj me ju në këtë moment?.. Do t’ju them siç i tha Profeti Jusuf, vëllezërve të tij: Shkoni, jeni të lirë!”
 
Unë besoj se në vendin tonë ka një klasë të pjekur imamësh dhe islamologësh, të cilëve u del për detyrë të mirëmenaxhojnë kohën në rrugëtimin e tyre drejt udhëzimit të njerëzve për mësimin dhe edukimin e tyre me mësimet burimore të Islamit, larg komenteve dhe interpretimeve të pluhurosura dhe individuale, nga kushdo qoftë! Sepse ne nuk shenjtërojmë asnjeri në Islam, sikurse besojmë se çdo njeri është i gabueshëm, i mundshëm për t’u penduar e për t’u kthyer nga Zoti dhe kërkimi i pëlqimit të Tij në jetë!
 
Duhet të jemi të kujdesshëm me praktikantët dhe besimtarët e shumtë që frekuentojnë xhamitë dhe ndjekin ligjëratat dhe ceremonitë e shumta fetare, sidomos të rinjtë, për të vijuar rrugën e traditës dhe ruajtjen e saj, si një vlerë e madhe jo vetëm fetare, por edhe kombëtare. Nuk duhet të ngatërrojmë kulturën me fenë, edhe pse në të shumtën e rasteve kultura e një populli mëkohet nga vetë feja e tij.
 
Mendoj dhe besoj se rastet sporadike të devijimit nga boshti i fesë, në ektremitete dhe shfaqje jo në përputhshmëri me vetë thelbin e fesë, natyrshëm që e prishin sadopak kurbën e lëvizjes së saj në rrafshin e prezantimit dhe identifikimit, sidomos sot, në kohën e globalizmit. Por, pa asnjë dyshim, ato nuk arrijnë dot ta devijojnë a ta denigrojnë imazhin real të Islamit, si fé e Paqes, Dashurisë, Mbrojtjes së vlerave njerëzore, Respektit ndaj jetës dhe Ndërtimit të urave komunikuese me njeriun, vëllanë njeri!”.
 
Më pëlqen Horhe L. Borhes, kur thotë: “Frutat mund ta turpërojnë drurin, njëlloj siç mund të na turpërojnë neve fjalët dhe veprat”!
 
-Disa e trumbetojnë, por Ismail Kadare e kundërshton me forcë legjendën se Turqia dhe feja e importuar prej saj i ka shpëtuar shqiptarët nga “gllabërimi sllav”. Duket se ka një vrimë që fut ujë në këtë logjikë për faktin se ndoshta fuqitë europiane të krishtera do na kishin mbrojtur më fort si “të fesë së tyre”...
 
“Përtej trumbetimeve dhe këndvështrimeve që mund të ketë cilido, që lexon dhe analizon, mbi dhe rreth historisë tonë kombëtare, sidomos atë të shekullit të fundit, historia është kokëfortë dhe ka rregullat dhe logjikën e vet. Njësoj si letërsia, që ka rregullat dhe logjikën e saj. Edhe feja ka rregullat dhe logjikën e vet. Poashtu diplomacia, ekonomia, politika etj.
 
Nuk mund të mohojmë faktin se Islami në trojet shqiptare ka mbërritur kohë para osmanëve. Sikurse nuk duhet harruar dhe neglizhuar fakti se integrimi i trojeve tona në Perandorinë Osmane, bëri qëprej tyre të kishte me dhjetra kryeministra, ministra e njerëz me pushtet në këtë perandori, që në një hark kohor rreth pesë shekullor (megjithëse Perandoria Osmane ka një jetëgjatësi shumë më të madhe, 1259-1924), bashkësunduan ose sunduan botën, si një union trojesh dhe etnitetesh, mbi themele të pastra islame.
 
Në këtë vijë logjike, nuk duhet të harrojmë Luftrat për mbrojtjen e Shkodrës, duke nisur nga 11 tetori i vitit 1912 e në vijim. Nuk duhen harruar 183 ditët e para të rrethimit të Shkodrës dhe djegia e fshatrave dhe shtëpive shqiptare të zonave tona.
 
Nuk duhet harruar komandanti i shquar, valiu i fundit i Perandorisë Osmane në zonën tonë, Hasan Riza Pasha, që u vra pabesisht, më 30 janar 1913, në ditët e vështira të rrethimit sllav!
 
Në këtë pikë, dua t’i referohem Hamdi Bushatit, që në vepërn e tij: “Shkodra dhe motet”, duke u bazuar në raportet e jezuitëve thekson si më poshtë: “Mëngjesin e 25 prillit, me largimin e turqve, në qytet hynë trupat malazeze me princ Danillin në krye. Ajo që binte në sy ndërmjet tyre ishte numri shumë i pakët i të rinjve, shenjë që rinia ishte sakrifikuar e gjitha. Tri-katër ditët e para ata u sollën shumë njerëzisht, por këto mirësjellje nuk ishin të sinqerta, sepse ushtarët filluan të vjedhin shumë shpejt në mes të ditës… Është theksuar se ushtarët e Krajl Nikollës banë shkrumb e hi ç’ka u përkiste myslimanëve kudo nga kalonin. Famullitarët bënë të ditur se në Pejë e Gjakovë donin t’i detyronin myslimanët që të bëheshin ortodoksë dhe, mbasi ata nuk u bindën, u masakruan me qindra dhe mijëra. Kush erdhi që andej tha se në ato anë nuk gjeje më asnjë mysliman të vetëm. Madje 850 familje katolike nga tmerri i kësaj kasaphane u bënë ortodoksë… Në Shkodër konstatohen zyrtarisht 37 katolikë e ortodoksë të vrarë nga gjylet e 73 të vdekur nga uria. Ndërmjet myslimanëve llogaritet që numri i të vdekurve nga bombardimet dhe uria të jetë katërfishi…”.
 
Komandanti osman, Hasan Riza Pasha, që ra në mbrojtje të Shkodrës, kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishta. Siç dëshmohet në histori: “(Valiu i Shkodrës Hasan Riza Pasha) propozoi që Gjergj Fishtës t’i akordohet medalja e Sulltanit, Mearif II, që gjithsesi është një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.” – siç pohon Hamdi Bushati në veprën e tij.
 
Në rivarrosjen e eshtrave të komandant Hasan Rizait, më 1936, at Gjergj Fishta do të mbante fjalimin e tij të paharruar, ku dëshmonte se: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baraz me heronjtë e kombit shqiptar”.
 
Ndërsa Dom Lazër Shantoja, në shkrimet e tij, të përmbledhura në “Vepra”, (botuar në Shkodër, maj, 2005), teksa i kushton një poezi të gjatë heroit osman, që mbrojti Shkodrën nga jomuslimanët malazezë, ndër të tjera shkruan:
 
“Të falem, fatos, qi, porsi rrfé mizore,
Shkrepun ké pasë gjithmonë trimnisht në luftime
Me shpatë të vrringllueme e lamun me gjak për dore
Tuj korrë fitime.
 
---
 
Hasan, Hasan, kû jé? Qi mâ mî kodra,
Në kto vênde shêjte më gjak fatosash lá,
S’po t’ë shof? Tý sot tuj të thirrun âsht marë Shkodra,
Kû jé Rizá?...
 
---
 
Ktû mî ket vorr, kû i rrebti Hasan luftàr
Lshon rreze atdhedashtnijet permî né
Xêni prej të huejit, xêni mâ ‘j herë, Shqyptàr,
Me dekë p’r atdhé!”
 
Edhe unë kam dëshirë që në këtë pikë, të mos ndahem nga At Gjergj Fishta dhe Dom Lazër Shantoja!”
 
-Një radhë studiuesish dhe historianësh, mbrojnë tezën “paradoksale” se sulmuesit e Turqisë janë armiqtë e Shqipërisë duke futur në këtë listë të parin Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Ky diskur bëhet sa për të sfiduar intelektualisht apo ka logjikë historike brenda?
 
“Që nga viti 1990 e deri në ditët e sotme, vendi ynë, Shqipëria, ka kaluar kohëra shpesh të mjegullta, të mbushura me lëngata e dhimbje të shumta, në shumë drejtime, për të cilat të gjithë, në një mënyrë a një tjetër, jemi dëshmitarë.
 
Të gjithë ne aspirojmë të kemi një atdhe të fortë ekonomikisht, të qëndrueshëm politikisht, me një siguri kombëtare të pacënueshme, krenar në sferat ndërkombëtare, mrekullisht përfitues nga begatia e harmonisë ndërfetare, që ruhet nga duar e zemra burrash e grashë, thellësisht besimtarë në bukuritë e fesë dhe respektimin e lirive personale, të bazuara mbi përzgjedhjet e lira e të sinqerta.
 
Të gjithë do të donim që proceset e integrimit tonë në BE të ishin më të shpejta, ndoshta, jo kaq të vonuara. Sidoqoftë, lutemi dhe shpresojmë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë shumë më e mirë se e jona.
 
Nuk do të dëshiroja aspak, që studiuesit, historianët tanë a cilido prej nesh të gjendeshim në rrobat e ministrit të jashtëm të Turqisë, z. Ahmet Davutoğllu, i cili, në librin e tij: “Thellësia strategjike”, teksa flet për raportet e Turqisë me BE, pohon me keqardhje se: “Marrëdhëniet Turqi-BE ndjekin një ecuri që shkon e vjen midis këtij trashëgimi historik dhe racionalitetit diplomatik. Edhe në proceset diplomatike, madje, të cilat duhet të ecin në nivel racional dhe teknik, hyjnë në qark reflekse që burojnë nga parametra mentalë historike-psikologjikë të pashpresuar aspak. Ndërsa liderët dhe intelektualët evropianë të cilët në çdo rast s’i lënë pa theksuar universalizmin dhe pluralizmin si parime themelore evropiane, kur vjen puna tek marrëdhëniet me Turqinë, sjellin shpesh në rend të ditës themelin kristian të identitetit dhe kulturës evropiane...”.
 
Fatkeqësisht, tek ne ka plot njerëz që vuajnë akoma komplekse të trashëguara nga periudha e errët komuniste, të mëkuara në gjysëm-heshtje edhe nga propaganda histerike islamofobe e periudhës që e pasoi.
 
Është koha të shtojmë lutjet që Zoti t’i çlirojë ca mendje shqiptare nga kompleksi i Islamit dhe islamofobia e imponuar nga faktorë të shumtë, që lidhen me formimin dhe deformimet në personalitet, të shkaktuara nga periudha e servilizmit dhe frikës!”
 
-ISIS, një organizatë që konturohet përditë përmes një terrori gjithnjë e më të ashpër, ka skicuar kufijtë e Kalifait islamik duke futur në të edhe trojet shqiptare. A mund të jemi ne gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, politikisht pjesë e këtij Kalifati?
 
“Shqipëria sot, është një vend që aspiron të aderojë drejt Bashkimit Europian. Është e vërtetë se ka një rrugëtim të luhatshëm në këtë drejtim, ama e ka të qartë vendin e saj.
 
Nga ana tjetër, pavarësisht asaj që shohim dhe dëgjojmë nga mungesa e sigurisë, vrasjet, plaçkitjet, spastrimet etnike e fetare, në emër të Islamit, sidomos në Siri e Irak, ai vetëm Islam nuk është! Dhe kjo po lexohet qartas, ditë pas dite! Nuk duhet të neglizhojmë as analizën e realiteteve gjeopolitike në ato zona!
 
Lutjet tona janë që Zoti ta mëshirojë atë zonë dhe të pushojnë këto luftra të çuditshme, që jo vetëm e kanë shkatërruar një pjesë të rëndësishme të qytetërimeve më të vjetra të botës, por edhe kanë prishur shumë ekuilibra, jo vetëm në atë rajon. Islami nuk ka asnjë lidhje me këto thirrje dhe është i pastër prej tyre!”
 
-A duhet të jetë Shqipëria pjesë e Konferencës së Vendeve Islamike?
 
“Natyrshëm, nuk më takon mua të përgjigjem për këtë pyetje. Ata që e kanë në dorë këtë vendim, duhet të kuptojnë se K.I. është një union i ndërtuar mbi baza interesash ekonomike dhe përtej tyre. Pjesa dërrmuese e shteteve që aderojnë aty, janë shtete laike, si vendi ynë.
 
Besoj se Shqipëria, si pjesë e K.I., duhet të kishte lobuar fuqishëm për të përfituar më shumë investime nga vëllezërit tanë muslimanë, në rrugën e ndërtimit të një ekonomie më të fortë dhe një mirëqenie sociale shumë më të lartë se kjo që jetojmë sot.”
 
-Ç’mendoni për Faik Konicën, Ibrahim Rugovën dhe Arbën Xhaferrin?
 
“Faik Konica është i largët nga koha ime. Megjithatë, dua të citoj studiuesin e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, italianin Gaetano Petrota, i cili më 1932, në veprën e tij: “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, i bën një përshkrim të pashembullt Faik Konicës. Thotë për të: “Shkrimtar penëhollë dhe me kulturë, polemist i fortë, gojëtar dhe politikan... Mendje e gjithanshme, kujtesë e fortë, vullnet i ngulmët... gjendet si në shtëpinë e vet në Kostandinopojë e Vjenë, në Londër e Paris, në Bruksel, Romë e Uashington”.
 
Përtej kësaj, besoj se akoma sot, cilido nga ne, ndjehet tamam si Faik Konica: “thellësisht i brengosur kur në dhjetor të vitit 1913 Komisioni ndërkombëtar për kufijtë e Shqipërisë jugore linte jashtë territorit të atdheut Konicën, vendin e tij të lindjes, që iu dha Greqisë”.
 
Ibrahim Rugova nuk ka nevojë të prezantohet. Ishte një personalitet i shquar i letrave, i politikës dhe një burrë shteti. Unë nuk jam kritik i letërsisë që të jap një mendim të prerë për të. Nuk e kam lexuar veprën e tij. Megjithatë, në Kosovë, ai gëzon një respekt të madh në masa, edhe sot që nuk jeton më.
 
Arbën Xhaferrin e kam dëgjuar dhe lexuar shpeshherë. Mendoj se, me aq sa i kishte dhënë Zoti jetë, u përpoq të ishte një urë lidhëse dhe një njeri optimist, për realizimin e marrëveshjeve ndëretnike dhe ndërfetare, në Maqedoni. Nuk e di se çfarë ka gjetur te Zoti i tij, pas largimit nga kjo botë.”
 
-Në vijim të jehonës së debatit Kadare-Qose, a jemi ne oksidentalë apo orientalë?
 
“Në debatin e dy të mëdhenjve (në cilëndo fushë të jetës që ato të jenë), është mirë të mos bëhesh i tretë, do prishësh “magjinë” e artit të tyre.
 
Ne shqiptarët kemi historinë tonë, me ulje-ngritjet e saj. Se sa jemi orientalë a oksidentalë (pa hyrë në detaje të përkufizimeve dhe karakteristikave të secilit term), lypset të shihet në jetën e përditshme, në ekonominë e masave, në moralin e tyre dhe në raportet që kemi ne si popull me optimizmin dhe pesimizmin për të sotmen dhe të nesërmen.”
 
-Pse lutjet në institucionet e klerit musliman shqiptar thuhen në arabisht?
 
“Isha në një aktivitet fetar në një prej trojeve shqiptare. Dikush më drejtoi këtë pyetje: “Kam një shqetësim në shtëpi, me djalin, mirëpo nuk di ndonjë lutje arabisht për këtë hall që kam”. Unë vura buzën në gaz dhe ia ktheva: Kur të lutesh, thuaj: “O Zot i Plotfuqishëm, Ti që je Krijuesi ynë, Mëshiruesi i gjithësisë, Mbrojtësi ynë nga e keqja, Udhëzuesi i zemrave tona... Të lutem, udhëzoje djalin tim...” Personi që më kishte pyetur, qëndroi i habitur dhe me mimikën e fytyrës, që i kishte ndryshuar, m’u drejtua: “Po pse, a bën të lutemi në shqip?” E pyeta: Pse, Zoti nuk e di shqipen?!
 
Unë vazhdimisht e praktikoj në ceremoni të ndryshme fetare, kudo që jam, lutjen në gjuhën shqipe, sepse ajo është më afër edhe zemrave të besimtarëve, që nuk e dinë arabishten. E kam praktikuar këtë edhe me vëllezërit e mi në Amerikë, në Zvicër, në Turqi, në Kosovë, kudo që marr pjesë në tribuna e aktivitete fetare. Ua them edhe imamëve të mi, t’i bëjnë lutjet me besimtarët, në gjuhën tonë. Shumë prej tyre e praktikojnë këtë dhe më thonë se besimtarët ndjehen shumë mirë pas këtyre lutjeve, të cilave ua kuptojnë fjalët.
 
Ndërkohë, si në çdo fé tjetër, edhe në Islam, disa lexime thelbësore, që lidhen me adhurime të caktuara, bëhen në gjuhën e Kur’anit, në origjinalin e tyre. Pak a shumë, si shumë lexime në latinisht a greqisht, që dëgjojmë në ceremonitë e ndryshme fetare, si me rastin e Krishtlindjes a Pashkëve.”
 
-A është feja sipas jush diçka personale apo diçka që duhet demonstruar?
 
“Feja është tërësia e mësimeve dhe udhëzimeve, me të cilat Zoti, Krijuesi i njeriut, dëshiron ta udhëzojë krijesën e Tij më të përsosur; njeriun, në një jetë të mbushur me sprova, vështirësi, papritshmëri etj, që shpesh e bëjnë të dorëzohet e të thyhet. Feja, në një mënyrë a një tjetër, i mundëson njeriut ruatjen e ekuilibrave të jetës dhe marrëdhënien e tij me Zotin, me veten dhe me tjetrin.
 
Në këtë kontekst, feja është një udhëzim personal, aq sa lidhet me privatësinë e njeriut, por edhe një thirrje për të dëshmuar mirësitë e lidhjes kolektive, në rite, lutje e ceremoni të ndryshme, ku demonstrimi i fesë kthehet në një vlerë dhe element gjallërie për shoqërinë.
 
Dua të kthehem 24 vite pas në kohë. Në Shkodër, më 9 nëntor 1990, ishin përgatitur kushtet, që një javë më pas, të xhumanë e 16 nëntorit, muslimanët të rihapnin xhaminë Plumbit për kryerjen e ritualeve të xhumasë së parë, pas 23 vitesh dhunë dhe persekutim ateist.
 
Nga dëshmitë arkivore, turma e panumërt kishte tejmbushur zonën e Qafës dhe besimtarët, muslimanë, por edhe të krishterë, ishin aty, duke dëshmuar bashkarisht thirrjen e shpirtit, që s’ka forcë në botë që mund ta ndalojë, sado e dhunshme e shtypëse që të jetë. Sepse, siç thotë edhe dijetari i shquar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1900-1973): “I lutem të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe!”
 
-Cilat janë problemet e muslimanizmit aktualisht në Shqipëri dhe botë?
 
“Ndoshta nuk më takon pikërisht mua të përgjigjem gjerë e gjatë për këtë pyetje. Por, për aq sa e gjykoj me vend, do të kisha qenë më i lumtur sikur vendi im të ishte çliruar nga tendencat e shumta islamofobike, nga frika e besimit në tërësi, nga mosrespektimi dhe lënia pas dore e trashëgimisë kulturore islame, nga kompleksi gati 20 vjeçar i Xhamisë së munguar Katedrale në qendër të kryeqytetit, nga mos përfshirja e lëndës së edukatës fetare në shkollat e vendit, nga mosrespektimi i femrave muslimane që bartin shaminë e tyre në institucione, shkolla e ambiente publike, me preteksin e “mbrojtjes së laicizmit”, nga mosrespektimi i shenjtërive, si: Muaji Ramazan, ku bashkitë, komunat etj, nuk kanë thuajse asnjë investim për taksapaguesit e tyre muslimanë, në shenjë respekti dhe vlerësimi për këtë muaj të shenjtë, nga degjenerimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave etj.
 
Në një hapësirë tjetër, kjo pyetje do kishte një përgjigje më të detajuar.”
 
-A ekziston një harmoni fetare e rendit të lartë në Shqipëri, apo është më shumë indiferencë fetare?
 
“Harmonia fetare qëndron në themelet e një shteti me përzierje fetare, si Shqipëria. Nga ana tjetër, nuk ka kuptim kjo pyetje në një vend ku ka Islam, që nxit harmoni dhe mirëkuptim, dialog, tolerancë dhe bashkëjetesë paqësore me jomuslimanët, sidomos kur janë pasues të një Libri hyjnor. Aty ku janë muslimanët, është edhe harmonia fetare, pa më të voglin dyshim!
 
Sot, në vendin tonë, në qytete dhe zona të ndryshme të përziera, muslimanë dhe të krishterë jetojnë në një pallat, punojnë në një punishte, shesin dhe blejnë te njëri-tjetri, urohen dhe vizitohen për festat fetare reciproke, kanë lidhje të ndryshme familjare a kumbari etj. Kjo çfarë quhet? Kjo është zemra e harmonisë dhe mirëkuptimit në rang social!
 
Ndërkohë, prijësit fetarë, mendoj se kanë ende më shumë për të dhënë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në mes vete, në shërbim të bashkësive përkatëse. Duhet më shumë angazhim për ta shtuar cilësinë e takimeve dhe tryezave, urimeve dhe festave, që na bashkojnë. Këtë e them, me dëshirën e mirë të vijimit të traditës dhe forcimit akoma më shumë të kësaj harmonie, brenda kufijve dhe rregullave të ndërsjellta. E kemi për detyrë dhe një dëshmi e përkushtimit tonë fetar dhe kombëtar!
 
Më vjen keq që autoritetet në Shkodër, nuk arritën të realizojnë teknikisht një propozim që kisha me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë; lidhjen e Xhamisë së Madhe, Kishës Françskane dhe Kishës Ortodokse me flamuj dhe ndriçues. Njësoj, si mosmiratimin e propozimit tonë të përësritur, që sheshit ku janë vendosur këto tre objekte kulti, t’i ndryshohet emri në: “Sheshi Harmonia”.
 
-A ka në Shqipëri dy rryma brenda muslimanëve: ata të vijës së ashpër apo ëahabi dhe ata të një linje më të moderuar që zë fill pikërisht në kohën e Zogut?
 
“Sot në Shqipëri, muslimanët kanë nevojë më shumë se kurrë për t’u lidhur më shumë në mes vete, për të unifikuar disa standarte që lidhen me jetën fetare, xhaminë, medresetë, Universitetin, në kuadër të thirrjeve kur’anore, që thërrasin përherë për një prezantim sa më të denjë për të dëshmuar begatitë e bashkësisë dhe vëllazërisë së sinqertë e të pastër islame.”
 
-A vazhdon edhe në kushtet e sotme që “feja e shqiptarit të jetë shqiptaria”? Apo duhet “të shohim kisha e xhamia...”?
 
“Valiu osman i Libanit, shkodrani i krishterë, Vaso Pasha, kur i ka shkruar vargjet e tij të famshme, me siguri ka pasur ndër mend, lidhjen e shqiptarëve në shërbim të interesit kombëtar. Sot, besoj është tejkaluar ky prag dhe shqiptarët jetojnë në realitete, që në kohën e valiut osman të krishterë, Vaso Pasha, do të dukeshin utopike.
 
Unë them se sa më shumë që besimtarët të frekuentojnë objektet e tyre të kultit, sa më tepër që të kthehen nga feja dhe morali i saj, aq më e qetë dhe e shëndoshë do të jetë kjo shoqëri: do të ketë më pak perversitete djallëzore, më pak vrasje, më pak krim në familje, më pak korrupsion, më pak mashtrim, më pak hile, më pak smirë, më pak injorancë, më pak dembelizëm për të punuar, më pak arrogancë, më pak…”.
 

Intervistoi: Alfred Lela

(botuar në gazetën MAPO, Tiranë, 16 gusht 2014)

http://mapo.al/2014/08/muhamed-sytari-islami-ne-trojet-shqiptare-ka-mberritur-kohe-para-osmaneve/