Myftiu priti imamin e B.I. “El-Hidaje”,
në St. Gallen
15 gusht 2014
Ditën e xhuma, më 15
gusht 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, priti në një takim të
përzemërt e vëllazëror, Hfz. Mehas
Alija, imam i Bashkësisë Islame
“El-Hidaje”, në St. Gallen të Zvicrës,
në shoqëri të zotërinjve të nderuar,
Elez Ismaili dhe Hamdi Iljazi,
intelektualë të shquar nga Tetova.
Në krye të herës, Myftiu shprehu
kënaqësinë e tij për këtë vizitë të
shtrenjtë të imamit të nderuar shqiptar
në Zvicër dhe miqve të tij, njëkohësisht
miq të Myftinisë Shkodër.
Myftiu theksoi se këto vizita e rrisin
ndjenjën e përgjegjësisë drejt
përmirësimit të bashkëpunimit dhe
ruajtjes së lidhjeve në mesin e
institucioneve islame dhe intelektualëve
të tyre, në trojet shqiptare dhe
diasporë. Njëkohësisht u fol për shtimin
dhe rritjen e cilësisë së botimeve
islame në gjuhën shqipe, përmirësimin e
cilësisë së prezantimit të mësimeve të
fesë islame në gjuhën shqipe etj.
Nga ana e tij, Hfz. Mehas Alija, pasi e
falënderoi Myftiun për pritjen e ngrohtë
dhe vëllazërore, i përcolli atij selamet
dhe përshëndetjet e besimtarëve dhe
kryesisë së B.I. “El-Hidaje”, në St.
Gallen.
Me këtë rast, ai bëri edhe një prezantim
të shkurtër të aktivitetit të kësaj
bashkësie islame, që ditë pas dite është
e angazhuar për ta prezantuar sa më mirë
mesazhin islam dhe traditat e bukura
shqiptare, që burojnë nga shpirti i
Thirrjes Islame.
Ai foli edhe për bashkëpunimin e B.I.
“El-Hidaje” me institucionet shtetërore
dhe kishat e ndryshme në Zvicër, në
kuadër të respektit dhe harmonisë së
ndërsjelltë.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu e ftoi
imamin e nderuar, hfz. Mehas Alija, për
të mbajtur hytben e xhumasë së sotme në
xhaminë e Parrucës.