Myftiu priti studiuesin islam, Mr. Muhidin Ahmeti
08 gusht 2014
Ditën e xhuma, më 8
gusht 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, priti në një takim të
përzemërt e vëllazëror studiuesin e
mirënjohur islam, Mr. Muhidin Ahmeti,
imam i Qendrës Kulturore Shqiptare
"Mesxhid El-Resul", në Wels të Austrisë.
Myftiu ka shprehur kënaqësinë e tij për
vizitën në Shkodër të z. Muhidin Ahmeti,
një ndër thirrësit islam të afirmuar në
Shkodër, sidomos në vitet e para të
ripërtëritjes së fesë, pas rënies së
komunizmit. Në ato vite të vështira për
Myftininë Shkodër, zotëria i tij, së
bashku me një grup hoxhallarësh të
nderuar nga trevat shqiptare të Kosovës
dhe Maqedonisë, ishin të parët që dhanë
kontribute të dobishme në edukimin e
masave islame dhe gjallërimin e xhamive
dhe medresesë me mësimet dhe kontributin
e tyre intelektual.
Myftiu e ka vënë në dijeni z. Ahmeti për
aktivitetin aktual të Myftinisë Shkodër,
ku nuk ka lënë pa përmendur mirënjohjen
e tij për kontributet që vëllezërit nga
trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë,
dhanë për këtë qytet dhe ripërtëritjen e
vlerave dhe traditave islame në të.
Nga ana e tij, Mr. Muhidin Ahmeti e ka
informuar Myftiun e Shkodrës për
aktivitetin e Qendrës Kulturore
Shqiptare që ai drejton, në Wels të
Austrisë, duke theksuar se vlerat e
Thirrjes Islame po përhapen ditë pas
dite në perëndim, në përputhje të plotë
me vlerat e qytetërimit perëndimor.
Pjesë e bisedës së përzemërt ishin edhe
botimet e ndryshme të Myftinisë Shkodër,
për të cilat z. Muhidin Ahmeti ka
shprehur vlerësimin e tij dhe ka nxitur
vijimin e botimeve dhe shtimin e
aktivitetit fetar e intelektual, në
drejtim të forcimit të mëtejshëm të
traditave dhe vlerave islame në Shkodër.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i
dhuroi z. Muhidin Ahmeti disa nga
botimet e Myftinisë Shkodër në vitet e
fundit.