Myftiu: “Lutje për vëllezërit tanë në Islam dhe humanizëm!”

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari mbajti më 1 gusht 2014, hytben e xhumasë së parë pas Muajit Ramazan, në xhaminë e Parrucës, ku ftoi besimtarët të solidarizohen me lutje dhe me të gjitha format legjitime me vëllezërit e tyre në Islam dhe në humanizëm, në Gaza, në Palestinë, në Siri, në Irak, në Egjipt etj, të cilët po përballen me tmerret e përditshme të padrejtësive të shumta, me vrasje makabre, me shkatërrime të pronës, me shpërngulje masive etnike dhe fetare, të cilat i dënojmë me zemër!
 
Myftiu bëri thirrje për lutje të sinqerta për një rigjallërim të ndërgjegjësimit islam drejt harmonisë dhe forcimit të vëllazërisë në mes vete, si një vlerë e madhe, për të cilën bota e sotme ka shumë nevojë.
 
Myftiu tha se padrejtësitë e shumta në botën tonë, vrasjet e fëmijëve të pafajshëm në Gaza, shkatërrimet e shkollave, bombardimet e lagjeve të banuara me njerëz besimtarë në agjërim, namaz e lutje etj, e kanë lodhur botën tonë dhe njëkohësisht po tërheqin ditë pas dite vëmendjen e muslimanëve dhe të mbarë botës drejt zgjimit nga gjumi i hutimit dhe neglizhencës ndaj krimeve, padrejtësive, ekstremizimit etnik e fetar.
 
Ai tha se tërë këto zullume, që shpesh po vijnë edhe në emër të fesë, nuk kanë asnjë justifikim logjik e fetar dhe pyeti: “Kur ka ndodhur ndonjëherë, në historinë tonë islame 15 shekullore, që të krishterët të shpërngulen nga shtëpitë e tyre? Kur u është ndaluar ndonjëherë jomuslimanëve e drejta e besimit dhe respektimi i tij? Kur u janë djegur shtëpitë dhe pronat private? Kur është abuzuar me shenjtërinë e harfeve të Kur’anit, si “Nuni”, me të cilin janë shënuar këto ditë shtëpitë e të krishterëve në Musil të Irakut?! Kur janë vrarë njerëzit si të ishin bagëti, për të cilat, edhe në rast të kurbanit, jemi urdhëruar të kemi mëshirë dhe të mos i lëndojmë!?”
 
Myftiu ka dënuar gjithashtu shkatërrimin e varreve dhe mezareve të ndryshme, në Irak dhe Siri, si ai i Hz. Junusit (a.s), i Hz. Danjalit (a.s), i Sejjidi Ahmed Rifaiut (r.a), i tabiiut Uvejs El-Kareniut (r.a) etj, duke e konsideruar këtë veprim si një përpjekje misionare për të shkatërruar gjurmët dhe stacionet historike të një civilizimi mijëra vjeçar!
 
Në fund të kësaj hytbeje, Myftiu tha se tërë këto padrejtësi do ta kenë një fund jo të lavdëruar për të zotët, sepse kjo botë e ka një ZOT, që nuk harron, ndërkohë Hz. Muhammedi (a.s) thoshte: [“Kijeni frikë lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, qoftë edhe jobesimtar, sepse ajo do të mbartet mbi ré dhe All-llahu do t’i drejtohet: “Pasha krenarinë dhe madhështinë Time, do ta marr hakun tënd..!”].

 

Myftiu: “Lutje për vëllezërit tanë në Islam dhe humanizëm!”
Myftiu: “Lutje për vëllezërit tanë në Islam dhe humanizëm!”
Myftiu: “Lutje për vëllezërit tanë në Islam dhe humanizëm!”