Dersi me rastin e Fitër Bajramit 1435/2014
28 korrik 2014 - (Xhamia e Parrucës)
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Të
nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,
Falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të botrave, Krijuesit të
universit, të Vetmit të Pashoq, i cili
me mirësinë e Tij na udhëzoi në Islam,
kur tha: “Ai është që ju quajti
muslimanë, që para (zbritjes së
Kur’anit)”.[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë zotërisë tonë, Hz,
Muhammedit (a.s), më të mirit të
krijesave të All-llahut, njeriut me
moralin më të lartë, shembulli i të
cilit na u obligua si rrugëtim drejt
përsosmërisë njerëzore në këtë botë,
nëpërmjet ajetit 21 të sures El-Ah’zab,
ku thuhet: “Ju e kishit shembullin më të
lartë në të Dërguarin e All-llahut…”.[2]
Më lejoni fillimisht t’ju uroj me zemër
me rastin e Fitër Bajramit, ditë gëzimi
dhe hareje, në përkujtim të mirësive të
mëdha, me të cilat Zoti Mëshirëplotë na
rrethoi për një muaj të tërë, në një
atmosferë të mrekullueshme besimi, të
udhëzuar nga agjërimi dhe namazi i
natës, leximi i Kur’anit dhe veprimi i
bamirësive.
Sot, gëzojmë ne dhe mbarë bota islame,
duke thënë: “All-llahumme elhamdulilah
që na udhëzove në këtë fé të pastër
islame. Na mundësove të agjërojmë
plotësisht Ramazanin. Na dritësove ditët
e tij me leximin e Kur’anit dhe
komentimin e tij. Na zbukurove netët
tona me namazin e teravisë, me
përmendjen Tënde dhe me lutjet plot
përgjërim e dashuri.
Na qetësove zemrat tona me salavatet mbi
të Dërguarin Mëshirë për gjithësinë, Hz.
Muhammedin (a.s). Na afrove edhe më
shumë me njërëzit në nevojë dhe
skamnorët, duke na lartësuar në gradën e
shërbimit ndaj tyre. Na bërë prej atyre
që vrapojnë për të bërë mirë, me vullnet
dhe kënaqësi shpirtërore të
papërshkrueshme, vetëm për një qëllim:
arritjen e pëlqimit Tënd në këtë botë
dhe në tjetrën!”
Të nderuar vëllezër dhe
motra,
Fitër Bajrami, është një stacion i
rëndësishëm reflektimi drejt madhështisë
së bashkëpunimit dhe forcimit të
lidhjeve në mesin tonë, si besimtarë
muslimanë, duke rrugëtuar me mbarësinë e
Tij drejt dëshmimit si një bashkësi e
qytetëruar, me besim dhe cilësi të larta
përkushtimi në jetë, që di të mendojë e
të punojë për të mirën e vet dhe për të
ardhmen e brezave që vijnë, por edhe për
tjetrin, që gëzon njësoj si ne të
drejtat e barabarta me ne, si qytetarë
të këtij vendi e bij të kësaj toke, që
quhet Shqipëri!
Gjatë këtyre ditëve, teksa kam ndjekur
me vëmendje realitetet e bombardimeve
kriminale dhe vrasjeve barbare mbi
fëmijët e vegjël, nënat e dashura,
pleqtë e plakat besimtarë, të rejat e të
rinjtë e pafajshëm në Gaza të Palestinës
dhe, teksa kam ndjekur me dhimbje
shkatërrimin e shtëpive dhe pasurive të
njerëzve të thjeshtë atje, nga goditjet
histerike, pa mëshirë e plot dhunë
vrastare ndaj një toke të shenjtë, në
një muaj të shenjtë, në një rrethinë të
shenjtë, kam pyetur me vete: Sa peshon
sot të jesh musliman në këtë botë, që
duket se më shumë se asnjëherë tjetër
reflekton dëshminë e Resulull-llahut
(a.s), që thoshte para rreth 15
shekujsh: “Po afrohet koha që popujt të
vërsulen ndër ju, si egërsirat drejt
kafshatës së saj. Dikush pyeti: A do
jemi pak atë ditë? Tha: Jo, do të jeni
shumë, por shkumë, si shkuma e rrjedhës.
All-llahu do ta heqë prezencën tuaj nga
zemrat e armikut tuaj dhe do të mbushë
zemrat tuaja me “el-vehn”! E pyetën:
Çfarë është “el-vehn” o i Dërguar i
All-llahut? Tha: Lidhja pas kësaj bote
dhe urrejtja e vdekjes”.[3]
M’u forcua kjo ndjesi, teksa ndiqja dhe
ndjek me dhimbje shumë të madhe,
poshtërimin e vendeve arabe, me ndodhitë
e Sirisë, Irakut, Egjiptit, Jemenit,
Libisë, ku jeta e një muslimani arab u
shit më lirë se një plumb qorr, a një
cifël predhe, a duhëm mbytëse
bombardimesh me lëndë kimike, të
prodhura jo nga arabët, jo nga
muslimanët!?
U forcua edhe më shumë kjo dhimbje,
teksa në vende të ndryshme të Afrikës,
muslimanëve iu prishën xhamitë, iu
dogjën shtëpitë, u kallën të gjallë e u
copëtuan pa mëshirë nga njerëz të të
njëjtës racë, gjuhë e gjak, por jo të të
njëjtës fé!
U forcua edhe më shumë kjo dhimbje, kur
në Burma dhe në ca lokalitete muslimane
të Azisë së largët, muslimanët digjen
për së gjalli, torturohen dhe
masakrohen, vetëm për një “gjynah”, se
thonë: “Zoti im është All-llahu”!?
U forcua edhe më shumë, kur në
kontinentin tonë, pamë dhe dëgjuam, ca
ateistë ekstremistë që guxuan të
prodhojnë karikatura poshtëruese me
shenjtëritë e fesë sonë, fëlliqësinë e
të cilave nuk ngurruan edhe ca meskinë
shqiptarë ta trumpetojnë me të madhe në
media dhe në shtypin shqiptar!?
U forcua dhe forcohet edhe më shumë kjo
dhimbje, kur sheh se në Shqipërinë tonë
të shtrenjtë, muslimanët persekutohen
dhe u shkelen të drejtat e tyre
legjitime, duke iu mohuar ndërtimi i
xhamisë së madhe në kryeqytet, duke u
përjashtuar nga shkollat dhe
administrata vajzat dhe gratë me shami,
duke u vënë në lojë simbolika të
caktuara islame, duke u përfolur
agjëruesit dhe frekuentuesit e xhamisë
nëpër parti të ndryshme e institucione
sakate, që pretendojnë përhapjen e
lirisë dhe demokracisë, në një vend të
damkosur me vulën e ateizmit dhe
imoralitetit, provincializmit dhe
injorancës, për shumë dekada deri në
ditët e sotme!?
U forcua dhe forcohet përditë e më shumë
kjo dhimbje, kur sheh heshtjen servile
dhe frikacake të institucioneve, që e
kanë për detyrë të marrin në konsideratë
kërkesat e një bashkësie a komuniteti
besimtar musliman, kur bëhet fjalë për
emërtimin e disa rrugëve a shesheve,
shkollave a institucioneve në qytet a
fshat!? Kur sheh diferencimet në
investime në zona e rajone të ndryshme
të qytetit tonë e fshatrave të tij, mbi
baza fetare! Kur sheh mosvlerësimin e
shenjtërisë së Ramazanit, në dallim nga
ditët e festave të tjera fetare
joislame! Kur sheh e lexon në media të
ndryshme, mosngurrimin e etiketimit të
muslimanëve si terroristë, poligamë
epsharakë, të prapambetur, “bartës të
mentaliteteve të vrasjes dhe
intolerancës ndaj të krishterëve dhe
hebrenjve”, “dhunues të grave e
vajzave”, “diktatorë vrastarë”. Etj,
etj, pa fund!?
Sërish po pyes: Sa peshon të jesh
musliman sot, në këtë shoqëri
paragjykuese, të mbushur me padije,
vese, tendenca perverse e thirrje
shejtanore, ku të lartpërmendurit kanë
të drejtë të kërkojnë respektimin e të
drejtave të tyre, ndërsa kur bëhet fjalë
për tabanin e shoqërisë dhe damarin
ushqyes të vlerave dhe traditave tona më
të mira kombëtare; muslimanët dhe
Islamin, dyert janë të mbyllura dhe
sportelet, shpesh të drynjëzuara!?
Pse? Me çfarë të drejte? Ju them unë
pse: Sepse ne muslimanët e këtij vend,
kemi rënë në koma, kemi devijuar rrugën
e të parëve dhe kemi humbur gjurmën, i
kemi kthyer shpinën krenarisë sonë
legjitime dhe jemi kthyer me trup e
shpirt nga kjo botë dhe kënaqësitë e
saj, duke harruar Zotin, Islamin,
Pejgamberin, besën, gjakun e mishin,
shpirtin e zemrën!?
Fitër Bajrami është një mundësi shumë e
rëndësishme, që na nxit përherë e më
shumë drejt interesimit për
njëri-tjetrin, si muslimanë e si
besimtarë të mirë, për ekonominë tonë
dhe respektimin e ligjeve të Zotit në
të!
Për besimin tonë dhe mostolerimin e
askujt që guxon të prekë shenjtërinë e
tij! Për edukimin e fëmijëve tanë dhe
arsimimin e duhur, duke kërkuar me të
drejtë që fëmijët tanë të gëzojnë të
drejtën e një lënde mbi edukatën fetare,
që të mos brumosen me teori ateiste,
imorale, banalitete e legjenda të
trilluara, mbi të cilat ngrihen
shpeshherë edhe themelet e ndërtesës së
kombit tek ne!
Për ruajtjen e vlerave të vëllazërimit
dhe harmonisë islame në mes vete, sepse
muslimani është vëlla i muslimanit, nuk
punon pas shpinës së tij, nuk e përgojon
atë, nuk e pret në besë dhe nuk e
tradhëton, nuk gënjen as nuk mashtron!
Se muslimani është modeli më i përkryer
i humanizmit, i drejtësisë, i
altruizmit, i respektimit të mendimit
dhe besimit të tjetrit, i paqtimit në
mesin e njerëzve, i përhapjes së dijes
dhe thellimit në të, i hulumtimeve
shkencore dhe arritjeve në jetë, i
respektimit të drejtave të grave, i
përkujdesjes për një edukim të shëndoshë
të fëmijëve, i mëshirës ndaj kafshës, i
vlerësimit dhe mbrojtjes së natyrës,
florës dhe faunës!
Fitër Bajrami është festa që pason
adhurimin më specifik dhe më privat që
njeriu ka me Zotin e Tij, agjëerimin me
besim dhe bindje, vetëm për hatrin e
All-llahut dhe pëlqimin e Tij.
Kjo ditë, teksa na bashkon dhe na mbledh
në shtëpitë e Zotit a sheshet mbi tokën
e Tij, na inspiron përherë e më
shumë të besojmë se ky shekull është
shekulli i vlerave të vëllazërisë dhe
harmonisë së pastër të besimit dhe të
dritës islame!
Sepse padrejtësitë, mashtrimet,
trillimet, gënjeshtrat e shkeljet e të
drejtave në emër të demokracisë,
diplomacisë e të ngjashme, nuk mund të
ecin përherë mbi intelektin dhe botën
njerëzore! Të vërtetat mbi shumë trille,
legjenda e fallcitete po dalin në skenë
dhe magjia po I kthehet fytyrës
magjistarit!?
Fitër Bajrami është një mundësi e madhe,
për të shtrirë duart e pajtimit dhe
mirëkuptimit në mesin e muslimanëve, për
të lënë pas krahëve të kaluarën, sado e
afërt a e largët që të jetë, në
përpjekjet tona për të ringjallur vlerat
dhe prezencën tonë konkrete si
muslimanë, në këtë vend, të cilit e kemi
për detyrë t’i shërbejmë e të punojmë
për të mirën e tij, se e kemi amanet nga
Zoti!
Njëkohësisht e kemi për detyrë të
punojmë për një të nesërme më të mirë e
më të begatë për ne, familjet tona dhe
shoqërinë tonë, bashkëqytetarët tanë, me
të cilët ndajmë tradita të shumta të
përbashkëta, gjuhën, lidhjet e ndryshme
shoqërore, por jo vetëm!
Ne jemi muslimanë, ndërtues të urave të
komunikimit, rrugëtues drejt dijes,
urtësisë, paqes dhe mirëqenies sociale,
bartës të mësimeve të të Vetmit Libër
hyjnor, që nuk ka ndryshuar që nga koha
e zbritjes së tij dhe që kurrë nuk mund
të devijohet nga asnjë forcë në botë!
Për këtë duhet të jemi krenarë, ta themi
me mburrje legjitime dhe të mos
ndikohemi në jetë nga thirrjet shterpë
të islamofobëve të ngratë, që u ka
ngelur ora në mesjetën e tyre të errët,
plot injorancë, intolerancë, perversitet
e degradim human!
Duhet të dijmë dhe të kuptojmë se Zoti
nuk e ndryshon gjendjen e një populli,
përderisa ata nuk kanë vullnet për ta
ndryshuar gjendjen e tyre!
Fitër Bajrami është mundësia e
vështrimit me vëmendje në realitetet e
përditshme dhe rrugëtimin tonë kulturor,
edukativ e besimor. A është kjo rruga që
kemi zgjedhur a dikush ka zgjedhur për
ne, ajo që Zoti do për ne, si muslimanë?
A është ky morali i duhur, me të cilin
po brumosen dhe po edukohen fëmijët tanë
nëpërmjet mediave, botimeve të ndryshme
misionare etj? Dhe, mbi të gjitha, a
është heshtja e jonë, modeli islam i të
jetuarit, përballë veseve, afetarizmit,
islamofobisë, lëvizjeve të ulëta që
fshehin helmin në mjaltë? Jo, nuk janë!
Fitër Bajrami, me atmosferën e begatë të
festës dhe të gëzimit me shpërblimet e
Zotit, pas një muaji të begatë adhurimi
e përkushtimi specifik, vjen pikërisht
për të na dhënë këtë mësim të madh dhe
për të na ftuar drejt tij: All-llahu i
Madhëruar, nuk ka nevojë për pamjen
tonë, as për veshjen e parfumosjen tonë,
as për etjen a urinë si pasojë e
agjërimit, as për festën a vetë
adhurimin, por kërkon përkushtimin tonë
në jetë, për realizimin e qenies sonë
“mëkëmbësit e Tij” në tokë!
Kur ta kuptojmë e ta veprojmë këtë mësim
si duhet, atëherë do të jetë vërtetë
Bajram i Madh për ne, për familjet tona,
për bashkësinë tonë besimtare, për mbarë
shoqërinë tonë, në themelet e të cilës
qëndron madhështia e mësimeve të
Kur’anit dhe traditat e Hz. Muhammedit
(a.s), me të cilat mburremi me të drejtë
para kujtdo!
Por para kësaj, duhet të kuptojmë
fillimisht se një shoqëri që nuk ka një
udhëheqës për shpirtin dhe mendjen e
saj, është e lehtë të kthehet në një
kope që i nënshtrohet shkopit!
Gëzuar e Për Shumë Vjet Fitër Bajramin!
Shkodër, më 1
Shevval 1435/28 korrik 2014
[1] Kur’ani,
El-Haxh: 78.
[2] Kur’ani,
El-Ahzab: 21.
[3] Transmetuar
nga Ebu Davudi, nga Thoubani (r.a).