Fitër Bajrami tejmbush xhamitë e Shkodrës
28 korrik 2014
Që në orët e para të
ditës së hënë, më 28 korrik 2014,
besimtarë të shumtë muslimanë, kanë
nisur të mbushin xhamitë e Shkodrës, në
përgatitje për faljen e namazit të
sabahut dhe pjesëmarrjen në ceremonitë e
Fitër Bajramit të këtij vit, që për
shkak të paqëndrueshmërisë së motit, nuk
u zhvillua në shesh.
Ceremonitë kryesore u zhvilluan në dy
xhamitë qendrore të Shkodrës, në xhaminë
“Ebu Bekër” dhe në xhaminë e Parrucës.
Pas faljes së namazit të sabahut në
xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari ka marrë pjesë edhe
në ceremonitë e zhvilluara në xhamitë e
fshatrave Mes-Myselim dhe Bardhaj.
Në fjalën e mbajtur në xhaminë e
Mes-Myselimit, Myftiu ka folur për
rëndësinë e ruajtjes së identitetit të
muslimanit në shoqërinë e sotme
shqiptare. Ai ka kërkuar që muslimanët
ta dëshmojnë veten e tyre nëpërmjet
vlerave të besimit dhe cilësive të fesë
islame, duke u bërë thirrës drejt
madhështisë së saj.
Ndërkohë në xhaminë e fshatit Bardhaj,
Myftiu ka uruar të pranishmit edhe për
performancën e korit të xhamisë, që ka
zbukuruar këtë ditë me programin e bukur
artistik të mbushur me ilahi, recitime e
përshëndetje të ndryshme. Myftiu është
lutur për fëmijët dhe prindërit e tyre
dhe ka uruar që ky Fitër Bajram të jetë
një moment i rëndësishëm kthese në jetën
e secilit.
Më pas, Myftiu ka marrë pjesë edhe në
ceremoninë e xhamisë së Parrucës, ku ka
mbajtur edhe ligjëratën e tij të posaçme
të kësaj dite dhe më pas ka drejtuar
namazin e Fitër Bajramit.
Në programin e ceremonisë së zhvilluar
në xhaminë “Ebu Bekër”, teologu Lavdrim
Hamja, ka mbajtur një ligjëratë mbi
vlerat dhe rëndësinë e mësimeve islame
në jetën e muslimanit, duke u
përqendruar tek morali dhe sjellja e
muslimanëve në jetë.
Ndërsa në hytben e Fitër Bajramit, imami
i kësaj xhamie, teologu Idmir Plaku, ka
vënë theksin te rëndësia që ka mbajtja e
besës së agjërimit, duke u përqendruar
te mbikëqyrja e Zotit në jetën e
përditshme, drejt një perfeksionimi të
adhurimit dhe lutjes.
Në xhaminë e Parrucës, më herët ka
përshëndetur edhe teologu Arben Halluni
dhe ka ligjëruar imami i kësaj xhamie,
teologu Durim Kasemi, që është ndalur te
vlerat e adhurimit dhe domosdoshmëria e
ruajtjes së ritmeve të muajit Ramazan,
edhe pas tij, në shoqërinë tonë.
Pas ligjëratës së Myftiut dhe namazit të
drejtuar prej tij, hytben e Fitër
Bajramit e ka mbajtur teologu Naim
Drijaj, që pasi ka bërë urimet dhe
përshëndetjet e rastit, është lutur për
pranimin e agjërimit dhe ka nxitur
përhapjen e gëzimit të kësaj feste në
familje e në rrethet shoqërore.
Edhe këtë vit, në të gjitha xhamitë e
Shkodrës, ka pasur një pjesëmarrje
përtej kapacitetit që ofrojnë këto
xhami.
Dita e Fitër Bajramit, është një festë
që festohet në mbarë globin, duke
dëshmuar harmoninë dhe vlerat e besimit.