Mesazhi i Myftiut
me rastin e Fitër Bajramit 1435/2014

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Të nderuar dhe të dashur besimtarë muslimanë,
 
Në prag të Festës së shënuar të Fitër Bajramit, më lejoni t’ju drejtohem me këtë urim të përzemërt, me shpresën dhe lutjet që All-llahu (xh.sh) me mirësitë e Tij, t’ju ketë pranuar adhurimet tuaja, agjërimin e Ramazanit, veprat e mira, rrugëtimin tuaj drejt virtyteve pafund, që burojnë nga Kur’ani dhe mësimet e tij.
 
Fitër Bajrami, është një tjetër stacion reflektimi drejt madhështisë së bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve në mesin tonë, duke u dëshmuar një bashkësi e qytetëruar, me besim dhe cilësi të larta përkushtimi, që di të mendojë e të punojë për të mirën e vet dhe për të ardhmen e brezave që vijnë.
 
Fitër Bajrami është një mundësi tjetër, pas eksperiencës së mrekullueshme të Ramazanit, që na nxit përherë e më shumë drejt interesimit për njëri-tjetrin, për ekonominë, për besimin, për edukimin e fëmijëve, për ruajtjen e vlerave të vëllazërimit dhe harmonisë në mes vete, si muslimanë, që besojnë se ky shekull është shekulli i vlerave të vëllazërisë dhe harmonisë së pastër të besimit dhe dritës islame.
 
Fitër Bajrami është një mundësi më shumë, për të shtrirë duart e pajtimit dhe mirëkuptimit, për të lënë pas krahëve të kaluarën, sado e afërt a e largët që të jetë, në rrugëtimin tonë drejt një të nesërme më të mirë e më të begatë për ne, familjen tonë dhe shoqërinë ku jetojmë! Sepse, Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata nuk kanë vullnet për ta ndryshuar gjendjen e tyre!
 
Fitër Bajrami është mundësia e vështrimit me vëmendje në realitetet e përditshme dhe rrugëtimin tonë kulturor, edukativ e besimor. A është kjo rruga që Zoti do për ne, si muslimanë? A është ky morali i duhur, me të cilin po brumosen fëmijët tanë? A është heshtja e jonë, modeli islam i të jetuarit, përballë veseve, afetarizmit, islamofobisë? Jo, nuk janë!
 
Fitër Bajrami, me atmosferën e begatë të festës dhe të gëzimit me shpërblimet e Zotit, pas një muaji të begatë adhurimi e përkushtimi specifik, vjen pikërisht për të na dhënë këtë mësim të madh: All-llahu i Madhëruar, nuk ka nevojë për pamjen tonë, as për etjen a urinë, as për festën a adhurimin, por kërkon përkushtimin tonë në jetë, për realizimin e qenies sonë “mëkëmbësit e Tij” në tokë! Kur ta kuptojmë e ta veprojmë këtë mësim si duhet, atëherë do të jetë vërtetë Bajram i Madh për ne, për familjen tonë, për bashkësinë tonë besimtare, për
 
mbarë shoqërinë tonë, në themelet e të cilës qëndron madhështia e mësimeve të Kur’anit dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s), me të cilat mburremi me të drejtë para kujtdo!
 
Gëzuar e Për Shumë Vjet Fitër Bajramin!
 

Shkodër, më 30 Ramazan 1435/27 korrik 2014

 

Mesazhi i Myftiut me rastin e Fitër Bajramit 1435/2014
Mesazhi i Myftiut me rastin e Fitër Bajramit 1435/2014
Mesazhi i Myftiut me rastin e Fitër Bajramit 1435/2014