Plotësohet me sukses
Hatmeja e Ramazanit 1435
23 korrik 2014
Ditën e mërkurë, më
23 korrik 2014, Myftinia Shkodër ka
organizuar ceremoninë e përvitshme të
plotësimit të këndimit të plotë të
Kur’anit Famëlartë, gjatë Ramazanit të
sivjetshëm.
Ceremonia e Hatmes, ka nisur pas namazit
të iqindisë në xhaminë e Parrucës.
Fillimisht, ceremonia ka nisur me fjalën
e mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, i cili ka vënë theksin
te rëndësia që ka prezenca e Kur’anit në
jetën e muslimanit.
Myftiu ka kërkuar që Hatmeja Sherife, të
mos përqendrohet vetëm në Ramazan, por
të përhapet edhe pas Ramazanit, në të
gjitha xhamitë e Shkodrës. Njëkohësisht
ka shprehur gëzimin e tij, që këtë vit
në Shkodër, leximi i plotë i Kur’anit
është zhvilluar në shumë xhami, si; në
Parrucë, në Tophanë, në Rus, në Perash,
në Golem etj.
Myftiu ka përmendur se muslimanët pa
Kur’anin, janë të humbur, pa bosht, pa
udhëzim, pa dritë. Prandaj, ka kërkuar
më shumë angazhim për ta bërë Kur’anin
pjesë të jetës së përditshme, në mësim,
lexim dhe mbi të gjitha në veshje me
moralin dhe shpirtin e tij për t’u
dëshmuar si model i fesë islame në
shoqëri.
Teologu Naim Drijaj, ka folur mbi
rëndësinë dhe vlerat e Natës së Kadrit.
Në fjalën e tij, imami i xhamisë
Parrucë, është ndalur te disa dobi të
kësaj nate, ku spikat shumëfishimi i
shpërblimeve hyjnore për adhurimet e
besimtarëve, falja e pakufishme nga Zoti
i gjithësisë etj.
Më pas, imamët e nderuar të pranishëm në
këtë ceremoni: Lavdrim Hamja, Idmir
Plaku, Arben Halluni, Fejzi Zaganjori,
Durim Kasemi, Bashkim Bajramtari, Naim
Drijaj, Kujtim Cufaj, Fadil E. Kraja dhe
Xhavit Sokoli, nën drejtimin e Myftiut,
kanë vijuar në leximin e sureve të
fundit të pjesës së tridhjetë, të cilat
janë plotësuar me sukses, duke shënuar
kështu edhe plotësimin e Hatmes Sherife.
Duaja e rastit është bërë nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në të
cilën është lutur për besimtarët dhe
mirëqenien e tyre, për forcimin e
muslimanëve në fenë e tyre, për ruajtjen
nga sprovat e islamofobisë, për shtimin
e begatisë në jetën tonë etj.
Një pjesë e kësaj lutje i është kushtuar
muslimanëve në Gaza, të cilët po
përballën këtë Ramazan me kasaphanën më
të frikshme të kohëve të fundit, nën
heshtjen e ndërkombëtarëve, si pasojë e
bombardimeve dhe vrasjeve të luftës, që
po ushtron mbi ta ushtria izraelite.
Lutje janë bërë edhe për muslimanët në
Siri, Egjipt, Irak, Burma etj.