"Shporta ushqimore e Ramazanit" për familjet në kala të Drishtit
14 korrik 2014
Paraditën e së hënës,
më 14 korrik 2014, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, i shoqëruar edhe
nga bashkëpunëtorë të tij, bëri një
vizitë në kalanë e Drishtit, ku u takua
me banorët e pakët që jetojnë aty, në
kuadër të vizitave të Muajit Ramazan.
Myftiu dëgjoi nga banorët e kësaj
lagjeje për kushtet e mjerimit, në të
cilin ata jetojnë, pa ndihmë e pa
përkrahje ekonomike, vetëm me një
asistencë minimale prej 2.000 (dy mijë)
lekësh të reja në muaj.
Banorët iu ankuan Myftiut edhe për
kushtet e vështira, në të cilat fëmijët
e tyre detyrohen të përballen me to, për
të ndjekur arsimin, poshtë në fshatin
Drisht.
Me rastin e Muajit të Begatë të
Ramazanit, për 12 familjet muslimane,
banuese në kala të Drishtit, u shpërnda
"Shporta ushqimore e Ramazanit", si një
mbështetje nga Myftinia Shkodër për këta
banorë në kushte të vështira jetese.
Me këtë rast, Myftiu premtoi se Myftinia
Shkodër do ta ndjekë më me prioritet
situatën e këtyre familjeve dhe do të
përpiqet maksimalisht të jetë pranë
tyre, jo vetëm me rastin e festave dhe
ditëve të shënuara fetare.
Me këtë rast, Myftiu vizitoi edhe
xhaminë, thuajse të rrënuar të lagjes,
ku shprehu hidhërimin e tij për veprimin
amatoresk dhe tendencioz të ndërtuesve
dhe projektuesve të Shtëpisë Muze, që
qëndron mbi xhaminë dhe që ka marrë edhe
nga vakëfi i saj, duke mos vënë asnjë
dorë në restaurimin e kësaj xhamie të
vjetër e të lashtë.
Myftiu theksoi, se nëse ky godinë do të
kishte qenë një objekt kulti jomusliman,
drejtuesit dhe qeveritarët e kohës do të
vraponin ta rikonstruktonin, pa më të
voglin dyshim!
Myftiu u angazhua se me mbarësinë e
Zotit, shumë shpejt, do të nisë
rikonstruksioni i xhamisë, ndërtimi i
minares së shkatërruar, rrethimi i
vakëfit dhe rikëndimi i ezanit, në këtë
zonë 100% muslimane.