Teravia e shtatëmbëdhjetë…

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Teravia e shtatëmbëdhjetë e këtij Ramazani, na struku nën mantelin e vet të begatë, plot prekje qetësie dhe prehje shpirtërore, në xhaminë e Tophanës. Sonte, ndonëse më e dritshme se kurrë, xhamia ishte mbuluar nga një heshtje, si heshtja e qetë e të ulurve në mexhliset e dhikrit, me sytë e mbyllur dhe zemrën e përqendruar drejt kibles së zemrës…
 
Mbizotëronte qetësia. Edhe imami në këndimet e tij, rrethohej nga qetësia. Edhe pleqtë me fes të bardhë (a pa të), mbi kokë, në heshtje mërmërisnin: “Amin”, pas “Fatihasë”…
 
Në disa momente të qëndrimit në shoqërinë e teravisë së kësaj nate, mendja më shkoi tek intervista e një besimtari musliman nga Gaza (Palestinë), që mbrëmjen e shkuar, nëpërmjet një kanali satelitor arab, dëshmonte sesi ai dhe vëllezërit e tij, teksa falnin teravinë, në qytetin e kërcënuar nga raketat dhe bombardimet tinzare, me vulë yllin gjashtëcepësh, ishin tronditur nga një bombardim i pabesë që kishte shkatërruar një banesë aty pranë, duke i marrë jetën të gjithë familjarëve të saj…
 
M’u kujtua edhe shënimi, që një nga vëllezërit e nderuar kishte bërë mbrëmë, mbi një status në fb, ku, teksa shprehnim solidarizimin tonë me lutje, me Gazën dhe vëllezërit tanë atje, ai lutej: “O Allah, na fal e na mëshiro, që vetëm po lutemi” kur, qetësia e madhe dominuese e teravisë së kësaj nate, më ktheu mbi tapetin e heshtur të xhamisë… Sikur më tha: “Ku janë djemtë e mi sonte? Ku janë burrat me thinjat e fisnikërisë? Pse më keni lënë në heshtje sonte?”… Unë, në botën e qetësisë sime, doja t’i thoja se jemi me 13 korrik 2014.., mirëpo, nuk ia thashë, më erdhi turp…
 
Teravia e shtatëmbëdhjetë e këtij Ramazani, u bë dëshmitar i heshtur, i realitetit të peshores së përparësive në jetën tonë, që shpesh ne përdorim në raportet tona me netët e teravisë, netët e Ramazanit… Është një peshore, që nuk mat si duhet dhe si pasojë, na bën të dëshmohemi këta që jemi realisht, në “sprovën” e parë më të thjeshtë…
 
U desht kjo natë, që teravia të ndjehej e heshtur, që lutja për Gazën, Sirinë, Palestinën, Irakun etj, të mbetej thuajse jetime, që salavati përmbi të Dashurin, Zotërinë tonë, të mos mbushte horizontet me zërat e të përmalluarve për erën e emrit të tij..., sepse magjia e 13 korrikut 2014, kishte tërhequr pas vete në botën e hutimit, lokaleve plot tym duhani e britma tifozerie, edhe shumë bij të teravisë dhe netëve me lutje netësh Ramazani…
 
Teravia e kësaj nate shkoi, duke na buzëqeshur në heshtje, për të mos u kthyer më deri në ditën e gjykimit... Nëpërmjet syve të saj, sikur tha: “Teravia e 17-të e vitit që vjen, t’ju gjejë më pranë vlerave shpirtit dhe thirrjeve të tij… Përndryshe, do të vazhdoni të jeni pjesë e shkumës së detit, ndonëse ju mburreni me numra e shifra..!”
 
Dhe në heshtje u largua drejt Dritës së Hënës, që largonte nga sytë e saj, ca copëza reshë ngjyrë gri, që i mbulonin dritën, duke e paraqitur të mangët, ndonëse dukej e plotë…
 
… … …
 
Teksa afroheshim më në qendër të qytetit, fishekzjarret dhe festa nga brenda lokaleve, po bëhej gati të shpërthente me thirrjet: “Fitoreee”…
 
Lamtumirë, o natë e bekuar…
La haule ve la kuvvete il-la bil-lah…
 

Shkodër, më 14 korrik 2014

 

Teravia e shtatëmbëdhjetë…