Myftiu: “Agjërimi, rrugëtim drejt përsosjes së adhurimit”
11 korrik 2014
Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, mbajti sot, më 11
korrik 2014, hytben e xhumasë në xhaminë
e lagjes Tophanë. Në hytben e tij,
Myftiu vuri theksin te nevoja e kuptimit
drejtë të agjërimit, si një adhurim që e
kryejmë me vullnet dhe pëlqim maksimal,
në rrugën e afrimit dhe përmirësimit të
lidhjes me Krijuesin e gjithësisë.
Në fillim të hytbes, Myftiu përmendi se
para disa ditësh, një joagjërues e
kishte pyetur: “A po mundeni me
qëndru?”. Ai theksoi se kjo është pyetja
më qesharake, që mund të dëgjosh, sepse
muslimanët nuk agjërojnë nga halli, por
me vullnet të lirë dhe me dëshirën më të
madhe. Madje, - vijoi Myftiu,- ne e
presim me përmallim afrimin e Ramazanit,
sepse e dimë fare mirë se është një
mundësi më shumë që na jepet në jetë,
për të përmirësuar cilësinë e dëshmimit
tonë si muslimanë dhe si adhurues, që
nuk tundohen nga sprovat e kohës, për të
dëshmuar fenë dhe thirrjen e tyre
shpirtërore!
Myftiu theksoi se sprovat, me të cilat
përballet bashkësia e muslimanëve
shqiptarë, janë të veshura me heshtje.
Ai theksoi se muslimanët shqiptarë, më
shumë se kurrë sot duhet të kuptojnë se
nuk kanë të ardhme pa Islamin dhe se kjo
fé u ka ruajtur emrin, nderin, kombin,
gjuhën dhe të sotmen.
Në hytben e kësaj xhumaje u bënë lutje
edhe për vëllezërit tanë në Gaza,
Palestinë, Siri, Irak etj., ku u theksua
se sprovat e fundit, po shërbejnë për të
zgjuar muslimanët dhe për të vënë në
lëvizje forcën e unitetit të tyre.
Pas namazit të xhumasë, Myftiu drejtoi
namazin e xhenazen në mosprezencë, për
shehidët e katër ditëve të fundit në
Gaza, si pasojë e agresionit dhe krimeve
të luftës që po ushtrohen mbi këtë
popull të lirë.