Agjërimi, si mundësi dorëzimi absolut
në duart e Zotit…
10 korrik 2014
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Agjërimi, si mundësia
më e mirë për arritjen e përkushtimit në
jetë, do të thotë t'ia dorëzosh
tërësisht veten Zotit, në nivelet më të
larta të "tevekkulit", (vetëdorëzimit me
bindje, në duart e Zotit, pas plotësimit
të kushteve dhe shkaqeve materiale) si
dhe të angazhohesh maksimalisht me
gjymtyrët tuaja drejt asaj që Ai kërkon
nga ti në jetë.
Jo më kot, Imam Gazaliu e ka konsideruar
agjërimin, si ¼-ta e besimit. Në “Ihja
Ulumiddin”, teksa flet për sekretet e
agjërimit dhe dobitë e tij, shkruan:
“Agjërimi është ¼-ta e besimit, duke u
nisur nga thënia e tij (a.s): “Agjërimi
është gjysma e durimit”[1],
si dhe thënia e tij (a.s): “Durimi është
gjysma e besimit”[2]…”[3]
Mbi këtë bazë, edhe shpërblimi për
agjërimin vjen në mënyrën më të lartë:
"Çdo e mirë shpërblehet me dhjetë sosh
deri në shtatëqind shpërblime, përveç
agjërimit, ai është Imi
dhe vetëm Unë shpërblej për të!"[4] Ndërsa
në Kur'an – siç vijon logjikën e tij
Imam Gazaliu,- thuhet: "Durimtarëve do
ua japë shpërblimin të pallogaritshëm".[5]
Urtësia nga legjitimimi i agjërimit, siç
pohon dijetari i shquar, Dr. Abdulkerim
Zejdan: “është e dukshme, pasi me
agjërim njeriu përfiton shpirtërisht,
edukon veten me sinqeritetin, mësohet të
durojë, të shfaqë adhurimin e tij ndaj
All-llahut (xh.sh), sikurse është një
rritje e ndjesisë së muslimanit për
vëllanë e tij musliman të uritur, i cili
nuk ka me se të shuajë urinë dhe etjen e
tij.”[6]
Nga përvojat personale, por edhe nga
bashkëbisedimet e shumta me agjërues
ndër vite, kuptohet qartë se kur njeriu
angazhohet ta respektojë thirrjen e
agjërimit, sidomos në Ramazan, për
tridhjetë ditë me radhë, natyrshëm, të
gjitha këto urtësi hyjnore dhe shumë të
tjera, bëhen pjesë e pandarë e ditës dhe
natës, duke e lidhur më shumë muslimanin
me ndjesinë e fesë dhe besimit. Me fjalë
të tjera, morali dhe rutina e jetës në
agjërim, mund të bëhet shkak që njeriu
të korrigjojë të kaluarën e tij, i
vendosur për të përjetuar eksperiencat e
agjërimit, edhe pas tij!
Me fjalë të tjera, agjërimi është një
stërvitës i mrekullueshëm që e bën
njeriun të reflektojë dhe të kuptojë se
vetëbesimi i zhvesur nga besimi në Zot,
nuk është gjithçka në jetë, përkundrazi,
është një arsye më shumë drejt
arrogancës injorante dhe ushqimit të
kapriçove me mendjemadhësinë e
vetëkënaqur!?
Agjërimi na mëson se sa rëndësi ka që të
paktën një muaj në vit, besimtari të
refreskojë besëlidhjen e fesë dhe të
besimit, duke u dëshmuar si individ i
shëndoshë i një shoqërie, që përherë ka
nevojë për përmirësim. Të ketë mundësi
të kuptojë se suksesi dhe arritjet e
larta, përfshi vullnetin për të ecur në
jetë, kalojnë nga bota e besimit dhe
përkushtimit ndaj Thirrjeve të Zotit, më
të plotave thirrje për mbarësi dhe
sukses!
Ateistët dhe përhapësit e teorive
afetare në shoqërinë tonë (por jo
vetëm), edhe pse mundohen t’i japin
drejtimin e filozofisë së tyre kuptimeve
të agjërimit, nuk arrijnë të kuptojnë
shpirtin dhe esencën e marrëdhënies së
njeriut me Zotin, atë prej të cilës ata
e kanë privuar veten.
Agjërimi është mënyra më e mirë, që
njeriu i kohëve moderne; krijesa që
përpiqet të marrë mbi supe jetën, duke e
larguar Zotin prej saj, i vërsulur pas
teorive dhe filozofive afetare dhe
ateiste, drejt teknologjisë së vrasjes
dhe shkatërrimit në masë me armët e
krijuara dhe tmerrin që ato shkaktojnë
në duar abuzive, të ketë një mundësi
kthese dhe pendimi, të ketë një derë të
hapur për t’u kthyer nga Zoti, Krijuesi
i Vetëm, i Urti Dijeplotë!
Agjërimi, është mundësia më e mirë, që
njeriu i sotëm pa besim, ateist dhe
arrogant me pushtetin e shumëllojshëm në
dorë, të ndalë pak hovin e arrogancës së
tij dhe të mendojë se kjo gjithësi e ka
NJË ZOT, nuk është ai zoti! Ai nuk është
asgjë, është një krijesë e dobët e
rritur në mënyrë të gabuar, e gatshme
për të prishur e për të shkatërruar
tokën dhe jetën!? Ja, sot në Gaza, ku
njerëz të pafajshëm, besimtarë agjërues,
fëmijë e gra, pleq e plaka, vriten dhe
masakrohen pabesisht dhe në mënyrën më
tinzare nga makina e terrorit dhe
urrejtjes!? Shembulli më i neveritshëm i
devijimit të racës njerëzore, nga besimi
dhe thirrja e tij në jetë!
Agjërimi është mënyra më e mirë për t’u
kthyer nga Zoti dhe mësimet e tij, por
njëkohësisht edhe mënyra më e mirë e
bashkimit dhe solidarizimit të
bashkësisë së muslimanëve kudo në botë,
për t’i rikthyer botës dritën, me të
cilën ata i dhanë kuptim jetës dhe
njeriut, cilitdo njeri, teksa udhëhiqnin
botën me dashuri dhe paqe!
Shkodër, më
10 korrik 2014
[1] Tirmidhiu,
hasen dhe Bejhekiu nga Ebu Hurejra
(r.a).
[2] Ebu Nuajmi
në “El-Hilje” dhe Khatibi në
“Et-Tarikh”, nga Ibni Mesudi (r.a),
hasen.
[3] Ebu Hamid
El-Gazali, “Ihja Ulumiddin”, botimi
I-rë, Bejrut, 2000, vëll. I-rë, fq. 310.
[4] Bukhariu dhe
Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[5] Kur’ani,
Ez-Zummer: 10.
[6] Dr.
Abdulkerim Zejdan, “El-Mufassal fi
ahkamil-mer’eti”, botimi i II-të,
Bejrut, 1994, vëll. II-të, fq. 9.