Shenjtëria e Ramazanit
në mesazhet e një hytbeje …

Ditën e djeshme, nëpërmjet hytbes së xhumasë, që mbajta në xhaminë e Dërgutit, dhashë disa mesazhe që lidhen me shenjtërinë e Muajit Ramazan, në një kohë dhe në një vend, ku fjala “shenjtëri”, “rregull”, “disiplinë”, “peshore”, “të drejta elementare” e të ngjashme, shpesh ndodh të fshihen si në heshtje nga realitetet e jetës së përditshme.
 
Unë mendoj dhe them se në një vend si yni, me një përqindje dominuese islame të popullsisë (por, edhe po të mos ishte kështu), institucionet lokale dhe vendore, duhet të jenë shumë të vëmendshme për të respektuar shenjtëritë dhe besimin e masës së gjerë, sidomos në raste festash fetare a momentesh kulminante në jetën e tyre, si Ramazani (në rastin konkret).
 
Nuk është i largët kujtimi i festimeve mbi njëmujore që nisin në Shkodër (sikurse edhe në mbarë Shqipërinë), në prag të Krishtlindjes. Është e natyrshme dhe krejt normale që institucionet drejtuese të organizojnë aktivitete dhe të dëshmojnë gëzimin, për nder të besimtarëve të vet, prej të cilëve marrin edhe votat, ndonëse të gjithë së bashku jetojmë në një vend e shtet laik, i dalë nga një diktaturë ateiste e pashembullt!
 
Krishtlindja është një ditë, por të gjithë jemi dëshmitarë të zbukurimeve mbi njëmujore, që e bëjnë qytetin të vezullojë nga llambushkat dhe ndriçimet e rrugëve, ku spikasin elementët kishtarë të festës. Krejt normale, brenda kornizës së ruajtjes dhe kultivimit të mëtejshëm të frymës së harmonisë dhe respektit të besimeve, sidomos aty ku ato kanë një prezencë më të madhe (si rasti i të krishterëve katolikë, në Shkodër).
 
Ndërkohë, vjen Ramazani, një muaj i tërë, i mbushur me një shpirt dhe atmosferë shpirtërore dhe domethënie shumë më të rëndësishme se shumë ditë dhe festa të tjera fetare në Islam. Ndalem dhe hedh sytë përreth; asgjë! Nuk ka asnjë lëvizje të Bashkisë, Prefekturës, Këshillit të Qarkut, a institucioneve të tjera shtetërore, në drejtim të shfaqjes së respektit dhe nderimit për Muajin më të shenjtë të muslimanëve!? A nuk është e habitshme?
 
Nga këtu, kam shprehur dhe vazhdoj të ngrej zërin, me aq sa më takon, për të thënë se në kuadrin e bashkëpunimeve serioze dhe korrekte që ne kemi me institucionet lokale dhe vendore, nuk do të ishte utopike që rrugët e qytetit tim të ishin zbukuruar me fenerë e llampa ndriçuese, simbolikë e këtij muaji të shenjtë! 
 
Nuk do të ishte aspak e habitshme, që Bashkia të ngrinte “çadra iftari”, në dy-tre skaje të zonave muslimane, në të cilat të ftoheshin nevojtarët dhe skamnorët për të ngrënë një vakt të begatë, nga një dorë bamirëse, për të cilën të gjithë kanë lëvizur dorën, për t’i dhënë të drejtën e pushtetit dhe drejtimit!
 
Nuk do të ishte aspak utopike, që institucionet dhe Drejtoritë Rajonale, të shpërndanin pako me ndihma ushqimore për familjet e varfra në nevojë, në prag të këtij Muaj të Begatë.
 
Është më se logjike që në Buxhetin e përvitshëm të Bashkisë, të ketë një fond të posaçëm për Muajin Ramazan, Muajin më të Shenjtë të muslimanëve të këtij vend.
 
Nuk do të ishte utopike, që me rastin e këtij Muaj të Shenjtë, Prefektura të ndikonte me politika të posaçme për uljen e çmimeve, që njerëzit ta ndjenin realisht bekimin hyjnor në këtë muaj; muslimanë dhe të krishterë!
 
Nuk do të ishte utopike, që Këshilli i Qarkut në koordinim me Komunat përkatëse, të ndërmerrnin një aksion për pastrimin dhe ndriçimin e rrugëve të fshatrave ku ka xhami, në të cilat, në çdo natë Ramazani besimtarë të shumtë shkojnë për të falur namazin e teravisë.
 
Më rastisi mbrëmë, të shkoj në fshatin Mes-Myselim, nga rruga mbi Urën e Kirit, që të çon në Bardhaj e prej aty për në destinacionin tim. Errësirë pa fund. Shkurre të shastisura, që desh hynin në xhamat e hapur të makinës, prej ku ajri karakteristik i zonave të gjelbëruara, përzier me freskun e mbrëmjes së vonë, hynin dhe na shoqëronin në mjetin tonë!? A nuk do të ishte me vend, që të paktën në prag të këtij Muaj, të kishte një përpjekje, qoftë edhe në bashkëpunim me Myftininë e Shkodrës dhe xhamitë e saj, për prerjen dhe sistemimin e këtyre shkurreve, për lyerjen e rrugëve dhe vijëzimin e tyre me të bardhë etj?
 
Nuk do të ishte utopike, që në Shkodër, për gjatë gjithë Ramazanit të ndjehej atmosfera e shenjtërisë së Ramazanit edhe jashtë xhamive, si një kujtesë që nuk mund të fshihet as nga politikat ateiste, as nga neglizhenca e hutimi, (për të mos thënë:), as nga tendenca për të zhbërë thirrjen e shpirtit nga frika e mentaliteteve donkishoteske a komplekset islamofobe (o Zot, nuk dua ta besoj këtë të fundit, nuk është mirë të jetë kështu!), në emër të vlerave qytetare dhe si një dëshmi e paqtimit me Zotin, të Cilit, iu kthye shpina dhe u mohua për më shumë se 23 vite!?
 
Nuk do të ishte aspak utopike, madje kjo është detyrim i institucioneve tona, tamam si detyrimi që i kanë ngarkuar vetes me fillimin e dhjetorit të çdo viti, a edhe shumë më shumë se dhjetori…
 
Në këtë mënyrë, do të ishte shumë domethënëse, që kur të dalim me fëmijët tanë nëpër rrugët e qytetit tonë të dashur, t’u themi herë pas here: “Babë, festohet, në nderim të besimit dhe vlerave të shpirtit, që na bëjnë të jemi më të mirë e më të afërt me njëri-tjetrin, në Shkodërlocen tonë të shtrenjtë!”
 
Këtë deshta të përcjell nëpërmjet hytbes së djeshme, teksa flisja mbi shenjtërinë e Muajit Ramazan dhe nevojën që ka ruajtja dhe përhapja e kësaj shenjtërie në raporte të drejta shoqërore, në një qytet, që jeton mrekullisht kuptimet e shprehjes: “realitet në kufi”, ku çdo kufi duhet nderuar dhe respektuar…
 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
Shkodër, më 5 korrik 2014

 

Shenjtëria e Ramazanit në mesazhet e një hytbeje xhumaje…