Promovohet libri: “Lexoj dhe mësoj Kur’an”
03 korrik 2014
Ditën e enjte, më 3
korrik 2014, në xhaminë e Parrucës,
Myftinia Shkodër ka organizuar në një
rreth të ngushtë me imamë, teologë,
pedagogë, intelektualë e të rinj
muslimanë, promovimin e librit më të ri
nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, të
titulluar: “Lexoj dhe mësoj Kur’an”.
Në fjalën e tij hapëse, teologu Ervil
Kuçi ka vënë theksin te rëndësia që ka
angazhimi i thirrësve islamë shqiptarë,
në pasurimin e jetës fetare dhe
bibliotekës islame, sidomos me botime të
dobishme, që ofrojnë njohuri dhe dije të
reja, të domosdoshme për jetën fetare.
Ndërsa teologu Arben Halluni, në fjalën
e tij, ka përshëndetur librin e ri të
teologut Lavdrim Hamja, si një libër që
përkon edhe me Muajin e Begatë të
Ramazanit, në të cilin nisi zbritja e
Kur’anit Famëlartë. Ai theksoi se ky
libër do të shërbejë më së miri edhe për
xhamitë dhe kurset fetare, që Myftinia
Shkodër organizon në to, për mësimin e
alfabetit të Kur’anit dhe leximin e
rrjedhshëm të tij.
Me shumë vëmendje, të pranishmit kanë
ndjekur edhe fjalën e autorit, në të
cilën ka treguar shkaqet që e kanë
nxitur në përpilimin e këtij libër, në
të cilin ka material të bollshëm për
mësimin e gjuhës së Kur’anit, rregullat
e texhvidit dhe një ndihmë për të gjithë
ata që kanë nevojë për një mbështetje në
leximin e sureve kryesore dhe xhyzit
“Amme”, pjesët e të cilit janë sjellë
edhe me shkronjat e alfabetit tonë,
krahas origjinalit.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, i
cili pasi falënderoi autorin e librit
për këtë vepër të dobishme, solli në
vëmendje të pjesëmarrësve kujtime nga
koha e studimeve dhe personazhet e
librit të ri, sidomos dijetarin e
texhvidit, Shejkh Ramadan Dib.
Myftiu u lut për mbarësinë e teologëve
dhe thirrësve, që kanë nisur të
angazhohen me penën dhe letrën, në dobi
të komunitetit besimtar.
Për të pranishmit u shpërnda libri
“Lexoj dhe mësoj Kur’an”, si dhe numri i
ri i gazetës “Udha Islame”, kushtuar
Muajit Ramazan. Ndërkohë, pas faljes së
namazit të akshamit me xhemat, të
pranishmit kanë marrë pjesë në iftarin e
shtruar nga Myftinia Shkodër.